Poezi nga LEONIDHA NAQEDHRAMI

0
103

B A R D H A
— S’e di ç’ditë do ia këput
Veç trupin , veç kafkën e kokës
Se nuk e rrita që Zoga ime
Ta bënte vezën në furrik të botës .
Sikur dënimin ta kish nuhatur ,
Bardha në shtëpi më s’u duk.
Kaluan ditë , kaluan netë
Dhe vezët mbaruan në sënduk.
Nga shtëpia pula kish mërguar
Kur një ditë pulën e mjerë
Klloçkë me një vatër puplakësh ,
E shohim të dalë nga një ferrë .
–Kot , kot moj nënë e paske dënuar,
Bardha me cicrrakët shend e gaz
Në shtëpi po kthehesh si hëna ,
Me dhjetë yje që e ndiqnin pas.
Dhe nëna doli , e priti në derë
Me buk’ e thërrime në futë.
U ktheva ,- tha Bardha , – u ktheva .
Furriku yt është më i ngrohtë
Balta jote është më e butë .
F E R R A
Zjarrin i vunë e bënë hi.
Më tej se hunda e vet s’panë.
Ç’dinin a ç’bënin vendet e tjera,
 Shkulni e digjni ç’do rrënjë,
Na i mori arën ferra !
Në një dyqan të ri një ditë,
Hynë të shihnin brenda ç’kish.
S’besuan . Lanë mendjen . Shqyen sytë ;
Një dorë manaferre ,
Më shtrenjt se një kile mish .
S H E K U J T S’ M B I J N Ë N Ë L O T.
Kripë ta mbollën patricët
Djerrinën e kohës.
Si Roma Kartagjenën.
Ndaj shekujt s’të mbinë dot.
Jo lotin lumë ,
Po lumin.
Vuru lumin !
Se shekujt s’ mbijnë në lot .
E V R O P A
Evropa kala e madhe .
Themelet , gurë të shtuftë .
Në sot bashkohen me paqe ,
Nesër ndahen me luftë.
G R E Q I A
Valle e rëndë Evropa.
Greqia po qan me lot.
Dha pes’ e hyri në valle ,
Jep dhjet’ e nuk del dot.

Q I E L L
O qiell,shtrati ku fle demiurgu,
Me çarçaf të ajërt mbuluar
Foshnjat ëngjëllore yjeartë aureolë,
I bëjnë dritë
Nat’e ditë.
E nëpërgjumje ,
Enigmën e tij , të tyre dhe timen cicërojnë .
Atje as mendja , as ëndrra atje s’më arrin.
Thonë se shpirtrat tokësorë ,
Arrijnë atje.
Ata lart , e ju më lart.
Ju që enigmat vet I krijoni ,
Na dërgoni një shpirt ,
Ta shohim e të na shohë ,
Ju lutem , na dërgoni.
Mesazhet e tua dritëshkruar ,
S’mund t’i deshifroj.
Alfabetin tënd , nuk e di.
Dhe mbeten atje n’ ajër fshehur ,
Të pazbërthyeshme ,
Minat e enigmave ,
Si lojë e përjetshme fëmijësh
“ Më gjen dot , s’më gjen.”

Burimi/Facebook/Petraq Pali