Profesor Ernest Koliqi për heroin e lirisë

0
66

Ndoc Mirakaj
Ndoc Mirakaj lindi në Iballe të Pukës në vjetin 1919. Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Shkodër. Në gjimnazin e Shkodrës muer dhe maturën.
Në Shkodër, Ndoci, kishte hî n’ambientin e rinisë tue u dallue për shkathtësi mendore e fizike. Ishte i shkueshëm me të tânë e të gjithë e dojshin, e çmojshin dhe e afrojshin. I pëlqente sporti për të cilin shkrîte të gjitha energjitë e tija.
Prej Shkodre kaloi n’Itali, n’Torino ku u regjistrue n’universitetin e atij qyteti, il Politecnico, tue i u shpërvjelë me kujdes e zell të madh studimeve të cilat dishrote me i u krye në rregull, sa mâ mirë e sa mâ shpejt.
Kzr Ndoci kthente në Shqipni për pushimet verore, shkonte gjithmonë në Pukë për të gëzue ajrin e kulluetë t’atyne bjeshkve t’bukura të cilat i bâhen kunorë fushës së gjanë të Iballes.
Mosha dhe kultura e nxitshin me njoftë mentalitetin e malsorit e me u futë sa ma thellë në brendinë e shpirtit të tij. E shpija e Mirakajve ia epte kët mundësi. Dera e tyne gjithmonë e hapët ishte nji shkollë e çmueshme për te.
Aty Ndoci ndiqte me vëmendje kuvendin e javashtë të burravet të Maleve t’ona, të cilët me sjelljet e tyne t’urta e me shprehî të matuna zhvillojnë nji kuvend qi mrekullon deri njerzit mâ të shquem të botës së qytetnueme. Aty Ndoci ndigjonte tue folë për Kanunin, për at’ ligjë të madhnueshëm të Shqipnis’ Veriut, për të cilin krenohet kombi mbarë. Ndigjonte tue folë për besën e burrave pa të cilën s’ka jetë shqiptari, për burrninë që cilson vlerat e njerzvet, për bujarinë e malsorit, i cili shkrihet për të nderue mikun që i vjen në derë. Ndigjonte tue folë për kultin e familjes qi asht gjaja ma e shenjtë e shqiptarit e për nderen e cila e shtrëngon aq fort shqiptarin sa me dhanë shpirtin por jo, kurrë, mikun qi i bjen në derë.
Aty Ndoci formoi ndërgjegjjen e karakterin e tij qi mandej e dalluen ndër gjithë të tjerët. Por Ndoci mendote gjithnji për të vazhdue studimet universitare e mos me i ndërprè kurrsesi ato.
Mjerisht, rrethanat e luftës e penguen e ia prenë hovin e dishirit tij. Kështu, si shumica e stdentavet edhe ai u shtrëngue me qindrue në Shqipni.
Ndoci iu shtrue fatit por nuk u demoralizue dhe vazhdoi në përpjekjet e tija derisa u burrnue dhe hini në rrethin e burravet me të tana cilsinat e nji pukjani të ndritun e të nji Mirakaj të shquem.
Gjatë vjetit 1942 shërbej në Pejë ku u tregue në naltësin e misionit të tij. U tregue i pamshirshëm kundra komunistave jugosllavë. Për kët arsye qe kërkue dorzimi i tij me çdo kusht prej komunistavet.
Në mbarim të dhetorit 1945 Ndoci arrestohet e bashke me 15 djem të tjerë u nisën për Podgoricë. Por Ndoc Mirakaj nuk mund t’pranote me u gri në kasaphanen jugosllave dhe vendosi me u arratis. Në Podgoricë i futën të gjithë në nji kazermë të bombardueme në pritje të nji urdhni të ri. Ndoci i squet e velet siç ishte kishte pa se muri qi rrethonte kazermën-burg mund t’u kapërcente, natyrisht prej nji atleti si ai dhe në të dalmen për nevojë, i lidhun siç ishte e natyrisht i dhoqnuem prej rojevet, merr turrë e me nji kërcim të naltë i hidhet murit. Rojet shtijnë por Ndoci kalon përtej dhe hupë në errsinën e natës. Prej Podgorice drejtohet për në Kastrat te Gjon Martini, i cili pasi i hoqi prangat e duerve, e priti, e mbajti, e armatosi dhe simas dishirit tij e përcuell deri në Shkodër. Aty vehet në kontakt me kunatin, Ndoc Ejllin.
Organet e sigurimit të Shkodrës lajmërohen dhe fillojnë menjiherë ndjekjet. Ndoc Ejlli e kuptoi rrezikun dhe e përcuell Ndoc Mirakën në Bardhaj, nji katund afër Shkodre, por sigurimi i Shkodrës dyshoi dhe në Ndoc Ejllin i cili arrestohet. Ndoc Mirakaj në Bardhaj bashkohet me kunatin tjetër të tij, Shtjefen Geg Gjuraj, prej Berishe, sot me banim në Kaliforni e antar i Bllokut Kombtar Indipendent, dhe të dy bashke shkojnë në Berishë të Pukës ku kalojne dimnin e vjetit 1945.
Në fillim të pranverës së vjetit 1946 Ndoc Mirakaj bashkohet me axhën e vet Pashuk Bib Mirakaj e të tjerë luftëtarë pukas. Këtu Ndoci fillon të diftejë zotsinë e tij të shqueme tue dhanë nji drejtim të shndoshtë luftës anti-komuniste në Pukë. Katërmdhetë muej ma vonë Pashuk Bib Mirakaj vritet e Ndocit i ngarkohet prija dhe drejtimi i nacionalistavet tue u dallue përherë e ma tepër për trimni, zotsi, urti, matuni e organizues i përpiktë. Mjerisht, kohët shkojshin tue u keqsuepër mbarë nacionalizmin e kështu dhe Ndoc Mirakaj bashkë me dy shokë mirditas, Ndue Perlleshi e Ndue Nikollin, me 29 gusht 1949, në Prosek të bjeshkës Iballes, bijnë në pritat komuniste dhe aty mbesin heroikisht të tre tue luftue me kundra nji garnizoni të tanë.
Me deken e Ndoc Mirakës jo vetëm krahina e Pukës psoi nji tronditje të thellë por mbarë Malet t’ona, të cilat në djemt’ si Ndoc Mirakaj kishin mbështetë shpresat.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij e i paharrueshëm qoftë emni i Ndoc Mirakës.
Ernest Koliqi
Nga arkiva dokumentare personale e familjes,
Ervina Toptani

Burimi/Facebook