Protesta në Shkodër/ Procedohet Voltana Ademi dhe 7 të tjerë si organizatorë, nën hetim 2 zjarrfikës dhe 38 qytetarë

0
97

Policia e Shkodrës ka proceduar penalisht 46 persona nën akuzën e tubimit të paligjshëm dhe shkatërrimit të pronës. Në mesin e të proceduarve është edhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi dhe 7 persona të tjerë, të akuzuar si si organizatorë të protestës së dhunshme.

Në njoftimin zyrtar thuhet se gjatë marshimit një grup të miturish kanë thyer disa banderola në sheshin “Nënë Tereza” dhe kanë tentuar të kryejnë veprime të dhunshme, por janë penguar nga punonjësit e Policisë. Nga sendet e forta dhe lëndët piroteknike të përdorura nga këta persona është dëmtuar një punonjës policie.

Më pas, pjesëmarrësit në tubim janë shpërndarë në disa grupe dhe drejtime të ndryshme. Një grup personash është drejtuar te selia e Partisë Socialiste ku protestuesit thyen e shkatërruan xhamat e dyert dhe më pas kanë nxjerrë dhe djegur orenditë që ndodheshin brenda godinës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve, në bazë të pamjeve filmike, kanë proceduar penalisht 17 minorenë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu janë proceduar si organizatorë të kësaj proteste, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme 7 persona. Policia ka proceduar për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” edhe 21 shtetas të tjerë.

Po në vijim të veprimeve janë proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre”, dy punonjës të repartit zjarrfikës, të cilët ishin në shërbim dhe kanë reaguar me vonesë pas njoftimit të bërë nga Salla Operative për të ndërhyrë në shuarjen e zjarrit para godinës së Partisë Socialiste.

Policia e Shkodër apelon për të gjithë prindërit që të mos lejojnë fëmijët të marrin pjesë në tubime dhe të përfshihen në veprime të dhunshme pasi në radhë të parë rrezikojnë jetën e tyre. Gjithashtu apelon për të gjithë qytetarët dhe organizatorët që të mos organizojnë dhe marrin pjesë në tubime të paligjshme, aq më tepër në këtë kohë pandemie sepse është rrezik i madh për shëndetin e qytetarëve.

Burimi/Pamfleti.net