Publikohet foto e rrallë/ Ja kush ishte kafeneja ku uleshin VIP-at e asaj kohe të largët në Tiranë

0
89

A e Dinit Se Kafe Kursal, një nga kafe-restorantet më të njohura të gjysmës së parë të shek. XX në Tiranë, emrin e kishte marrë nga klinikat kurative të Evropës veriore?
Kafe “Kursal” ishte një ishull evropian i Tiranës së viteve ’30, si për nga arkitektura e arredimi, po edhe për shërbimin e lartë!

Ndodhej aty ku kryqëzohen rruga e Durrësit dhe e Kavajës, pranë ish-Parlamentit (sot Teatri i Kukullave).

Emri i kafenesë nuk na thotë asgjë në shqip, por po të mendohemi pak, Kursal gjen gjegjësin e vet “kuursaal” të gjermanishtes, që në Evropën veriore përdoret për banjat termale dhe mjediset kurative lidhur me to.

Sigurisht, Kursali ynë nuk ka asnjë lidhje me kuptimin fillestar të fjalës.

U ndërtua në fundvitet ’20 dhe ishte një ndërtesë njëkatëshe, me dy kulla në pjesën perëndimore, të stilit japonez.

Lokali frekuentohej kryesisht nga elita e kohës, politikanë, ministra, deputetë, intelektualë, por edhe personel i huaj, i akredituar në kryeqytet, si dhe tregëtarë, vendas dhe të huaj.

Në vitin 1938, në kafe “Kursal” u hap një sallon i veçantë për shkollë vallëzimi modern nga prof. Stathi dhe në mjediset e tij janë hapur ekspozita pikture të artistëve shqiptarë.

Pas Luftës II Botërore u rrafshua si trashëgimi borgjeze, duke rrafshuar, simbolikisht, edhe atë çikë kurim shpirti që mund të gjenin frekuentuesit e barit në kohën e rendit të ri politik që po agonte.

Në imazhin e kësaj kartoline që ruhet në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror duket Kafe Kursal, fotografuar nga tarraca e ndërtesës së dikurshme të Bashkisë së Tiranës.

Aeroplani mbi të është montazh artistik, për t’i dhënë pamje idilike-moderne peizazhit të qytetit./Arkiva

Burimi/shkodranews.org/