Pushtimi i Mirditës nga serbët në vitin 1915, dhe vrasja e Ded Gjo Lulit!

0
96

Një nga vrasjet më të bujshme dhe njëkohësisht nga më të mistershmet në Mirditë, ka qenë vrasja e patriotit dhe atdhetarit të madh Ded Gjo Luli, vrasje kjo që është interpretuar në versione dhe variante të ndryshme nga studiuesit që janë marrë me këtë ngjarje. Po si qëndron e vërteta? A ishte tradhëtia, që e çoi drejt vdekjes burrin e madh të Malsisë dhe të krejt Kombit, apo prita e pushtueve Serbë dhe bashkëpunëtorëve të tyre Esadistë, që kishin mësy Oroshin dhe gjithë Mirditën në atë periudhë, duke bërë masakra të panumërta mbi popullsinë civile të krahinës? Ndodhinë e kësaj ngjarjeje, e paraqet shkrimi i mëposhtëm që është marrë nga revista Hylli i Dritës, botuar në vitin 1931, korrik- gusht, nr 7 – 8.
Pushtimi i Mirditës.
… Me nji herë edhe Serbija ka zdrypë e dalë në Mal Shejt, ku nji farë Zef Ndue Marka Gjergjit, Oroshas, i ka dalë para, tue kujtue se po shifte ndo’i mik serbjan të njoftun parandej; por tesh puna ishte egërcue e pranej serbjant t’a pamen e kan vra. Kapidan Ndue Gjoni kishte dalë me disa mirditas me luftue kundra urdis s’Esad Pashës kah Kreshta, për me u ndalë mos të hite në Mirditë, por mas do kohet janë shpërda gjindja tu Livadhet e Oroshit, ngiat Kallmetit, e pa kurrni pritë muejti partija e Esadit me ardhë deri në Blinisht, ku u ndeshën me disa mirditas.
Oroshi, tek sa ka ndi se po hishin Esadistat, asht dyndë prej vendit; fmi e gja i kanë çue në Kthellë e burrat kanë dalë në mal, e vetun Mashtërkorët i janë dorzue Ali Fehmjut, komiser i Esadit. Në ket ndërkohë erdh n’Orosh Dedë Gjo Luli me të birin, Kolë Toma i Velës e Gaspër Ashiku, i shkodranë e sekretar i Preng Pashës, qi e çote prej Shkodre për me u marrë veshtë me Kapidan Marka Gjonin ndo me Kapidan Ndue Gjonin, por kta s’i ka gjetë n’ Orosh, pse kishin pas ra në Shkodrë. Janë pa me Kapidan Preng Llesh Gjonin, i cilli i ka përbujt në shpi të Kapidanave. Kanë ndejë dy dit; kuer urdija e Esadit ka hi n’Orosh e serbjant, pernjiherë janë përpjekë tu Qela e Oroshit.
Në mrame kanë xanë serbjant në shpi të Kapidanave Dedë Gjo Lulin me shokë e prej Kapidanave të Mirditës, Prengë Marka Prengën me pesë Lejthizakë e i kanë ndry në nji odë të Qelës. At natë dy urdit kanë paçkitë pasunin e Abatit, të cillin e njehshin per anmik. Në nesre, Dedë Gjo Lulin me pesë Lejthizakë, ushtarët serb i kanë vue para, termal, kah gryka e Oroshit; Dedën e kanë mytë e lanë në Sheshaz; Lejthizakët i kanë qitë në Mal Shejt e lshue në Shpellë t’Akullit; të birin e Dedë Gjo Lulit, Kolë Tomën e Velës, Prengë Marka Prengën, Gaspër Ashikun e Kapidanat e Mirditës i kanë ndalë esadistat e manej mergue n’Itali. Mas ksajë ndollje së mnershme Oroshi i vue pushkën pushtuesave qi patën djegë shpin e kapidan Ndue Gjonit e tri shpija në Bulshar. Lejthizakve e Dedë Gjo Lulit, Oroshi i a qiti ket kangë:

Në Bjeshkë t’Oroshit n’a u derdh zani,
Se çë po ban paj më ne serbjani!
Vojt në Lejthiza e në Drobaj fjala
Gjimoj breshta u përkul hala

Marka Lleshi ban me dorë:
Jam pa pushkë e më ka kapë friga
Nuk po dij se kah asht hika.

N’to fjalë n’a i kanë rrethue,
Me vargoj n’a i kanë shterngue.
Zana e malit qanka ankue
Curril gjaku tu’ u shkue:

Nuk kanë giuhë – o me ligjrue,
Nuk kanë mjek- o me i mjekue,
Nuk kanë drrasë – o për me u shtrue,
S’ kanë terplote me i mulue,
S’ kanë vajtore me i vajtue,
Kajkatar – o për me i kndue.

Shpella e Akllit çë po gumon
Gjith ky burrë kuer po gjimon
Tridhetë pash kanë vorrin gropë
N’a i hidhin copë me copë
N’a i përplasin parë e parë
Veç me i nxjerrun me litar.

Shejti Shë Gjin vu dorën në sy
Mos e i pa ma tu u kursy.
Zoti i Madh, Zoti i Shëlbue
Se kjo bjeshkë vallon kahmos
Dhimë për ta t’i kesh me i pshtue
Se kshtu jeta e tyne u sos.

Dedë Gjo Luli lutka Zotin:
Pshtona, o i Lum, Grudën e Hotin
Se për te mje kah un dola
Me Gjo Markajt vetë un fola.

Sheh Hamdija vjen termal!
Kuer duel më Sheshaz burri i botës
Serbi me thikë në krahnuer ja futi.
Dedë Gjo Luli Zotin luti:
Gjaku i em – o le të shkojë fli
Per me pshtue të ngratën Shqypni!
Orse ( ky pseudonim që ka shkruar këto vargje mund të jetë i Gjergj Fishtës – shënimi im)
(Marrë nga: Mirdita në histori e gojdhanë deri në vjetë 1929, shkruar nga Zef M. Harapi. Botuar në revistën Hylli i Dritës, korrik- gusht, nr 7 – 8, viti 1931).
Lin Kiku

Burimi/Facebook