Qeveria të vendosë emrin “Mësonjëtorja e parë shqipe 1887” dhe “Muzeu Kombëtar i Arsimit”

0
80

Shkolla “Udha e shkronjave” ® Organizatore e Olimpiadës Kombëtare started this petition to Shkolla “Udha e shkronjave” Opinionit Publik Shqiptar
I dashur bujar shqiptar,

Në Korçë, më 7 mars 1887, u hap “Mësonjëtorja e parë shqipe” si vepër e asaj që njihet Rilindja Kombëtare Shqiptare. Përmes saj dhe zinxhirit të shkollave që pasuan atë model u bë u mundur vetëdija kombëtare shqiptare e cila solli lëvizjen për pavarësi kombëtare që u shpërblye me Aktin e Pavarësisë në 28 nëntor 1912 dhe me Shtetin Shqiptar të cilin e gëzojmë edhe sot.

“Mësonjëtorja e parë shqipe” në Korçë, ndodhet në një rrugë historike të Korçës dhe ajo ka patur statusin “Muze Kombëtar i Arsimit” ose “Muze i Arsimit Kombëtar”. Shqiptarë nga çdo anë e botës, sidomos nxënësit, studentët, të rinjtë, shkollat që vizitojnë Korçën do të vizitojnë patjetër edhe këtë muze dhe do të frymëzohen prej tij për punë të larta kombëtare. Para se të hyjnë në të, ata do të bënin një foto në atë skenografi të bukur kombëtare që përmbante godinën siç ka qenë, veprën artistike në oborr që mbante shkronjat ABC, pendën, kallamarin dhe kartën, të vendosura në mënyrë të tillë që të binin në sy që nga jashtë Mësonjëtores dhe ta identifikonin “Mësonjëtoren” si një institucion që në thelb ka kujdesin për gjuhën shqipe.

Në datën 13 mars (vini re jo në 7 mars) Qeveria e Republikës së Shqipërisë publikon inagurimin e punimeve rikonstruktuese dhe vëmë re me indinjatë të madhe se emërtimi “Mësonjëtore e parë shqipe” nuk ishte më, po ashtu statusi “Muze Kombëtar i Arsimit” nuk ishte më dhe po ashtu edhe vepra unike e artit “ABC, pendë, kartë dhe kallamar” nuk ishte më.

Kjo do të bëhet shkak për një zinxhir pasojash në dëmtimin e Kujtesës Kombëtare dhe në edukimin e brezit të ri. Emërtimi i një institucioni të tillë ka statusin e një pronësie “të patundshme”, dhe kështu heqja e emrit “Mësonjëtorja e parë shqipe” zhduk një pasuri të patundshme të Kombit Shqiptar. Posta e Korçës do të duhet t’i kthejë pas zarfat dhe pakot që nisen me adresën “Mësonjëtorja e parë shqipe” Korçë sepse një institucion i tillë nuk do të ekzistojë. Në Google Maps nuk do të ketë të drejtë të regjistrohet institucioni “Mësonjëtorja e parë shqipe” sepse institucionet regjistrohen zyrtarisht. Në guidat turistike, në harta, në libra, në fletëpalosje, në webfaqet zyrtare nuk do të ekzistojë një institucion i tillë. 7 marsi nga një festë kombëtare që ka një histori konkrete, me godina e ngjarje konkrete do të kthehet në një imazh abstrakt.

Heqja e veprës së artit ABC, pendë, kallamar dhe kartë nga oborri varfëron karakterin kombëtar të buleverdit të Korçës. Më parë se të ndodhte kjo, nga ai bulevard është hequr Bibliteka e Korçës “Thimi Mitko”, që si çdo bibliotekë në gjuhën shqipe mund të quhet produkt i Rilindjes Kombëtare dhe pra edhe i “Mësonjëtores së parë shqipe” që është simboli i sistemit arsimor kombëtar laik shqiptar.

Ulja e statusit nga “Muze kombëtar i arsimit” në “Muze i arsimit Korçë” synon që të kthejë “Mësonjëtoren” në një akt me rëndësi lokale dhe jo kombëtare.

Në muze janë bërë edhe shumë rikonstruksione. Ne nuk po ndalemi tek to, sepse besojmë që investimi brenda ka synuar që të krijojë aq shumë probleme sa të relativizojë të fshehë, të minimizojë, të shmangë nga vëmendja e publikut tri problemet kryesore “Heqjen e emrit “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, uljen e statusit nga “Muze kombëtar i arsimit” në muze lokal dhe heqjen e veprës së artit “ABC, pendë, kallamar dhe kartë” që synonte identifikimin së jashtmi të institucionit si kujdestar kryesor i gjuhës shqipe, shtyllë kurrizore e sistemit arsimor shqiptar produkt i Rilindjes Kombëtare.

Ky ndryshim dhe këto pasoja që thamë, për nga përmasat e ndikimit në kulturën tonë, e llogarisin këtë veprim në listën e veprave qartësisht antikombëtare.

Për këtë, ne Opinioni Publik Shqiptar, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë:

a) të vendosë emërtimin “Mësonjëtorja e parë shqipe, 1887, Korçë” si emërtim zyrtar të institucionit dhe ta pasqyrojë këtë në regjistrat e hipotekës, në institucionet në varësi të dyfishtë të Ministrisë së Kulturës dhe të Ministrisë së Arsimit, sepse Mësonjëtorja është themeluesja e Ministrisë së Arsimit;

b) të rivendosë statusin “Muze kombëtar i arsimit” që do të ndikonte në thithjen e investimit kombëtar brenda dhe jashtë Shqipërisë;

c) të rivendosë saktësisht siç ka qenë, në vendin dhe përmasat origjinale, veprën e artit që përmbante shkronjat A, B, C, pendë, kartë dhe kallamar;

ç) të bëhet ekspertizë e pavarur kombëtare me përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, si edhe nga emigracioni, për rikonstruksionin e brendshëm;

d) të hetohet ligjërisht procedura e ndjekur për marrjen e vendimeve dhe të dalin përgjegjësitë ligjore të secilit që ka ndikuar që ky akt antikombëtar të bëhet realitet

Nismëtare e peticionit

Shkolla “Udha e shkronjave”

rruga “Qemal Stafa”, 124, Tiranë
cel. (00355) 692076068
e-mail: info@udhaeshkronjave.edu.al