Qyteti e Qarku i Shkodrës i kanë rrugët e frymëmarrjes të bllokueme!

0
91

Nga Filip Guraziu-

Qyteti, e në përgjithësi nji vendbanim, asht vendi ku jeta e shoqnisë njerëzore ndërthuret organikisht me mjedisin jo organik ( ndërtesa, rrugë, ura etj). Në kët kuptim ” qyteti” merr nji trajtë të dyzueme; si objekt i shkencave shoqnore mundet me u trajtue edhe si ” qenie e gjallë”, kurse në fushën e shkencave të tjera trajtimi asht ndryshe.

Si çdo qenie e gjallë që lenë, zhvillohet, plaket e vdes edhe ” qyteti” i trajtuem si ma nalt, ka të njajtin fat. Shumë qytete që njihen si qytete të lulëzuem në periudha të caktueme të historisë, si rezultat i ” sëmundjeve “kronike të frymëmarrjes” të lidhuna ngusht me zhvillimet gjeo-politike të kohës, sot janë vetem gërmadha për hulumtime arkeologjike. Në rastin e qyteteve, ” frymëmarrja” identifikohet prej ” hapsinave jetike” të nevojshme me zhvillue aktivitetin ekonomik e kulturor. Këto hapsina frymëdhanëse-jetike në varësi prej vend ndodhjes së tyne mund të jenë të jashtme ose të mbrendshme. Mungesa e frymëmarrjes që vjen prej jashtë asht fatale për qytetin, kurse frymëmarrja e mbrendëshme i jep qytetit agoni. Kur kombinohen të dyja, qyteti vdes e asgjasohet. Të dhanat e fiilimit të shekullit XIX-të e radhisin Shkodrën ndër qytetet ma të zhvillueme të Perandorisë Turke në Ballkan. Rreth portit lumor të qytetit funksiononte nji qender tregtare me 2500 dyqane e magazina që për qarkullimin e mallnave u dallonte në tregtinë ballkanike. Në atë periudhë Shkodra numëronte rreth 40.000 banorë në nji kohë që Athina e Beogradi së bashku kishin vetëm 27.000 ! Ky zhvillim i dedikohej kryesisht” frymëmarrjes prej jashtë” që vinte kryesisht prej pozicionit të veçantë gjeografik ku shtrihet qyteti; pranë autostradave të lashtësisë; rrugëve ujore prej detit Adriatik, lumi Buna e Liqeni i Shkodrës si dhe kalimit të detyrueshëm të rrugëve tokësore që lidhin Europen me thellësinë e Ballkanit, si prej prendimit në lindje ashtu prej e veriut në jug.

Zhvillimet gjeopolitike gjatë gjysës së dytë të shekullit të kaluem, fatkeqësisht damtuen interesat ekonomike të qytetit. Hekurudha Nish-Shkup-Selanik ndikoi për spostimin e tregtisë tradicionale prej Shkodrës drejt lindjes, por dami ma i madh i erdhi qytetit prej krijimit të shteteve të rij në Ballkan, në kurriz të tokave me shumic shqiptarë autokton (në kuadrin e perandorisë Turke). Kufijt e ri politikë, ngushtuen teper tregjet tradicionale ( frymëmarrjen ekonomike) me pasojë izolimin ekonomik të Shkodrës, dukuni që për arsye ideologjike u thellue ma tepër gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Duket se shprehja e famëshme e Galileo-s e thanë nën trysninë e inkuizicionit fetar ” E pra…, rrotullohet” ( bota), nuk lidhet me Shkodrën e veriun shqiptar, sepse deri sot që po shkruej këto rreshta, megjithëse kane kalue gadi 30 vjetë prej vetëshembjes se komunizmit asgja thelbësore për zhvillimet strategjike në lidhje me shbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes së qytetit e Qarkut të Shkodrës nuk shihet. Asgja nuk lëvizë, asgja “nuk rrotullohet”!

Po të ishte organizue nji pytësor i thjeshtë, me vetem nji pyetje drejtue institucioneve përgjegjësëe ( qëndrore e vendore) për zhvillimet e ardhme strategjike në Qarkun Shkodër si: ” Cila asht strategjia e zhvillimit për rritjen e mirëqenies së popullsisë së Qarkut Shkoder që jep shpresë për jetesë dinjitoze të familjeve të reja?, simbas bindjes time, pytesori kishte me mbetë pa përgjigje ! Jo se nuk duen me dhanë përgjigje, por nuk duen me e gjetë përgjigjen ! Arsyen e mosgjetjes e dijnë ata!

Nuk don shumë mend me e kuptue se elementët bazë, kryesorë që munden me shbllokue ” rrugët e jashtme të frymëmarrjes” së qyteti e Qarkut të Shkodrës me pasojë risjelljen e optimizmit për jetesë dinjitoze të brezit të ri në vendin amë janë ” dy “:

Pozicioni gjeografik mbi të cilin shtrihet qarku i Shkodrës merr vlera strategjike të veçanta për zhvillimin e ekonomisë së Shqipnisë veri prendimore e ma gjanë, për faktin se në ultësinën mbi, rreth e poshtë Shkodrës parashikohet zbritja drejt jugut për në Greqi e dy autostradave trans-europiane që bashkohen në Podgoricë; ajo ” Adriatiko-Joniane” dhe ” Beograd – Podgoricë”. “Pruemja” njerëzore e materiale e këtyne dy autostradave trans-europiane, që detyrimisht duhet të kalojnë rreth e pranë qytetit të Shkodrës, natyrisht që i jep zonës ” frymëmarrje jetike” për zhvillimet në perespektivë. Projektimi me ” vullnet të mirë” e zgjuersi i “gjurmës” ku ka me kalue kjo autostrade , detyrë e institucioneve qendrore në konsultim me vendorët ka me qenë vendimtare për të ardhmen ekonomike të nji popullsie prej 260.000 banorësh.
Universiteti U-Polis (urbanizim e arkitekturë) – Tiranë, i cili realizoi para pesë vjetëve detyrën qeveritare per “strategjinë e zhvillimit afat gjatë të Qarkut të Shkodrës”, me të drejtë, gjurmën ku do të kalojë autostrada, e përcaktoi në anën lindore e afer qytetit të Shkodrës, gja që u votue unanimisht prej Këshilit të Bashkisë Shkodër, por këtu fillon e çfaqet njeni prej absurditeteve ma të çuditëshme në Shqipninë demokratile. Qeveria Shqiptare, qe e pati dhanë detyrën si dhe financimin për studimin e strategjisë zhvillimore afat gjatë të Qarkut Shkodër dhe e pati aprovue atë studim, në praktikë i del kundër ! Sot qeveria e majtë në pushtet po ban çmos me bindë palen malazeze që autostrada “Adriatiko-Joniane” të futet në territorin shqiptar në Velipojë e jo në zonën e mbi Shkodrës. Kujtojmë se për kët çeshtje edhe qeveria e djathtë (e para 2013-tës) ishte për variantin e kalimit të autostrafës nëpër Velipojë. Çdo kush lehtësisht e kupton se përpjekja e qeverisë Shqiptare ( e kundërt me studimin e ma sipërm ) që kërkon me e kalue autostraden në Velipojë drejt Tiranës tue anashkalue Shkodrën asht teper negative dhe e damshme për të ardhmen ekonomike drejt rritjes së mirëqenies së popullsisë së Qarkut Shkodër sepse i “bllokon arterien e jashtme të frymëmarrjes”. Shumë i çuditëshëm dhe i pakuptueshëm mbetet “gjumi letargjik” i intitucioneve drejtuese vendore si dhe i shoqatave të shoqnisë civile që veprojnë në Shkodër; as edhe nji herë nuk e kanë çue zanin e tyne kundër këtij varianti të qeverisë qendrore që denon randë ekonominë Shkodrane. Kjo në shërbim të mbrojtjes të së drejtës primare të jetës së nji populli :” rritjen e mirëqenies se jetesës në vendin amë”

Element tjeter( bazë) për strategjinë e zhvillimit të veriut të Shqipnisë, konsiderohet edhe sistemimi i bashkësisë ujore egzistues ( liqeni i Shkodrës, lumejt Buna,Drini, Kiri e Moraça-MN ), në të cilin element kryesor asht sistemimi i lumit të Bunës, si arter i jetës në historinë mijavjeçare të rajonit; i vetmi lum i lundrueshëm në pjesën lindore të Adriatikut me gjatësi 42 Km e nji ndër lumejt ma të randësishëm të Mesdheut i cili bashkon detin Adriatik me liqenin e Shkodrës, ma i madhi i Europës jugore.
Me iniciativen e Bashkisë së Shkodrës në Shtator 1996 pati qenë realizue nji bashkëpunim me shumë vlerë, për projektimin e sistemimit të lumit Buna, me Istitutin ARNI-Boreto (RE)-IT ( Azienda Regionale per la Navigazione Interna – e lumit Po). Simbas projekt-idesë së realizueme prej Institutit italian ARNI, nën drejtimin e Ing. Dalla Luna, nji ndër ekspertët ma në za në botë në fushën e sistemimit të lumejve, rezultonte se sistemimi i shtratit të lumit Buna nuk ofron vetëm lundrimin e anijeve detare-lumore të klasës së V-të, me kapacitet 2000 Ton e me thellësi zhytje vetëm 3m., por edhe përmirësime kolosale në fushën mjedisore tue hapë rrugët e rritjes së mirëqenies për popullsinë e zonës. * Krijohen kushte reale për shërimin mjedisor – ekologjik të liqenit të Shkodrës ( kujtojmë se specie të rralla të ekologjisë mesdhetare rrezikojnë të zhduken si psh. blini etj. si efekt i fillimit të kënetizimit të liqenit) *Parandalohen përmbytjet e zonës, që sidomos vjetët e fundit kanë qenë të shpeshta tue shkaktue dame të mëdhaja popullsisë. * Mbrohen fushat pjellore të bregut të Bunës prej grryemjeve erozionale, dukuni shumë alarmante e vjetëve të fundit. * Zhvillohet transporti ujor, tue i dhanë nxitje aktiviteteve ekonomike të mundshme për zonën; industria e çimentos, tregtia e mineraleve, e inerteve, aktiviteti i prodhimit të parafabrikateve prej betoni me dimensione shumë të mëdhaja, përpunimi i landës drusore si dhe implementimi i ekonomisë se ” Plepi kulturës” etj.

  • Zhvillohet turizmi, edhe në mugesën e infrastrukturës toksore , tue ringjallë sektorin e shërbimeve, atë të prodhimeve të freskëta bujqësore e artizanatin me aq tradita për qytetin e Shkodrës. * Krijohen mundësi reale për ndërtimin, organizimin e funksionimin e porteve turistike per ankorimin e anijeve private me tonazh të vogel në lumin Buna ( gjatë periudhës dimnore), aktivitet ekonomik me shumë interes për zonën etj.

Sa ma sipër don me thanë zhvillim e rritje të mirëqenies jo vetem për Qarkun Shkodër, por edhe ma gjanë, për veriun shqiptar me pasojë frenimin e largimit të shqiptarëve prej vendit amë. Fatkeqësisht projekt-idea e masipërme e cila përveç vlerave shkencore të ofrueme siguronte edhe financimin e duhun për realizimin e projektit nuk pati qenë përfillë prej pushtetit të asaj kohe.

Historikisht, prej mija vjetësh Shkodra ka funksionue si qytet-port lumor me lidhje, nëpërmjet Bunës, me Adriatikun dhe liqenin e Shkodrës. Edhe në strategjinë e zhvillimit afat gjatë shënohet qartë se nji ndër elementët me vlerë për ekonominë e Shkodrës do të jetë “Shkodra-Port lumor” , por përsëri në praktikë ndodhë e kundërta. Me fondet qeveritare, simbas nji projekti të realizuem prej specialistave në qender, restaurohet ma së miri në shërbim të turizmit lagja e Shirokës buzë liqenit të Shkodrës, por…, prapë por…, nuk parashikohet e nuk ndërtohet porti liqenor i Shirokës -Shkodrës! Si mundet me qenë në shërbim të turizmit nji qender turistike buzë liqenit, pa pasë portin turistik të sajë ? A mundemi me e justifikue këtë lloj mungese në projekt me fjalen ” lapsus” të projektuesave? Natyrisht që jo! Simbas mendimit tim, e verteta qëndron te mungesa e vullnetit në qender për me trajtue me dashamirësi e korrektësi planin strategjik të investimeve për Qarkun Shkodër, të cilin po ata e paten aprovue në vjetin 2016 si dhe te indiferentizmi, për mos me thane “mungesën vizionare” të pushtetit vendor në Shkodër.

E kuptoj se Shkodra nuk asht Shqipnia , por veç as Tirana nuk asht Shqipnia e kështu, as Vlona, Saranda etj. nuk janë Shqipnia! Ne veriorëve na bahet ” zemra mal” kur kuptojmë investimet strategjike pro zhvillimit e rritjes se mirëqenies në jug të Shqipnisë, se Shqipnia asht e të tanëve. Gëzohemi se Vlona u lidh me kryeqytetin me autostradë, se Vlona u ba me ” lungo mare” madhështore e me tangenziale drejt jugut, se në Vlonë pritet të ndërtohet aeroporti ndërkombëtar si dhe porti i ri. Po kështu gëzohemi që Saranda po ndërlidhet me nji rrugë të re bashkëkohore më Gjinokastren , që në Sarandë po ndërtohet nji ” lungo mare” e re cilësore , porti i ri turistik etj. I lumtë qeverisë shqiptare për të gjitha këto investime me vlerë, por për hir të së vertetës, krahas kënaqësisë që ndijmë, përjetojmë edhe ndjejën e diskriminimit, sepse edhe veriu asht Shqipni, sepse edhe Shkodra ka nevojë për invesitime strategjike si ato që ma nalt i përshkruem.

Qeveritarë, mos i trajtoni shqiptarët; ” ky i imi e ky tjetri i njerkës” në bazë të kritereve politike. Qarku i Shkodrës i ka të nevojshme e të domosdoshme dy ndëryhymje strategjike për të arëdhmen e jetesës së brezave të rij : autostraden Adriatiko-Joniane me shtrimje në lindje të qytetit dhe sistemimin e shtrati të lumit Buna. “Zoti e ka krijue natyrën në shërbim të njeriut, asht vullneti e inteligjenca njerëzore, e sidomos dashamirësia, që së bashku duhet të gjejnë rrugët optimale për me e shfrytëzue”

Urojmë e shpresojmë që mesazhi i artikullit mos të mbesin në ” veshë të shurdhuem”. Ndoshta situatat e reja u kan vue edhe ” veshë të rij” politikanëve e qeveritarëve tue i krijue ma shumë ndjeshmëni për realizimin e projekteve që kanë si objektiv përmirësimin e së ardhmes të nji popullsie relativisht të madhe e njikohësisht shumë të vorfën ai ajo e veriut Shqiptar!

Filip Guraziu

Shkodër, 03.01.2020.

Burimi/Koha Jone