Qyteti i Durrësit rrenohet nga termeti

0
345

Në vjetin 525 e gjithë Lindja kje tronditë nga termete shpeshta e të tmerrshme dhe shumë qytete kjenë rrenue. Në Grekí Korinti e n’Epir të Rí qyteti i Durrësit nga njí termet fort i rândë kjenë rrenue që nga themelet, si tregon Evagri (bl. 4, kap. 8); Jakob Gotfredi n’Ekzpoziten e botës mbarë etj., si shifet në Schelestratium (bl. 2, Kohët e vjetrá të Kishës).

Po ashtu edhe nje tjeter termet në vitin1273…

Mbas gjithë këtyne të këqijave Durrësit iu shtue edhe njí e keqe tjeter, edhe mâ mâdhe d.m.th. termeti i tmerrshem nga i cili, kah vjeti 1273 mbarë qyteti kje rrenue e gadí krejtsisht rráfshue, por dhe robnija pothuejse shfarosë.

“Rreth këso kohe ase pak mâ mbrápa ndodhi rrenimi i tmerrshem i Durrësit e per t’u vajtue me lot per faqe, dhe ndodhë pak a shumë këso dore:
Në fillim të marsit erdhen tue u rritë krizmat të shungullueshme që vijshin prej nêntokës në mënyrë gadí të pamëshme (dukshme), porsí gjâmë si i thrret populli. Këto ishin sheje të kjarta të njí së zeze mâ së mâdhe e të shpejtë. Mbas pak kohe që u ndien këto gjâmë të nêndheshme, njí ditë pá pritë e pá kujtue u ndien mâ thekshem e mâ afer se bumbullimát e perparshme e kah po vijshin tue u shtue këto gjithnjí e mâ teper, disá, prej frige, lânë shpiat e duelen jashtë qytetit e bânuen nder kësolla që të mujshin të shpëtojshin po të ndodhte mâ keq.
Nâten mbas bashkë me këto gjâmë të perditshme rá njí termet i rândë, e aq me tronditje të rrebtë saqë kurr në të kaluêmen s’ishte ndie njí i tillë.
Ai termet nuk ishte njí tronditje që merrte në njí anë, por ishte njí shtymje e hovshme e të dý anâve të kunderta, tash porsí ngrehje e vetvetes e tash me njí hov të kundert shkonte tue u perhàpë e tue u hjedhë.
Nga këto lkundje të kunderta në njí ças qyteti u rrenue që nga themelet e rá. Shpiat e qytetit edhe ato mâ të qindrueshmet u rráfshuen perdhé tu i mbytë njerzit që gjindeshin mbrendë, pá pasë kush kohë të shpetojë. Ata që delshin prej shpiave të véta mbarojshin nên shpiat tjerá që rrenoheshin kudo, kështu që mâ shpresë shpëtimi ishte per ata që rrijshin mbrendë sesa per ata që delshin jashtë. Në kjoftë se ndonjí pjesë shpie u qindronte lekundjeve, n’anë tjeter nuk mbet shpi pá u rrenue së paku pjesrisht: në kjoftë, po thom, se ndonjí pjesë e ndonjí ndertesë nuk rráfshohej nga tronditjet e tokës, rrxoheshin nga ndertesat tjerá t’aferme mâ të nâlta që bijshin mbí to. U bâ këso dore njí grumbull i mâdh rrenimesh tue rá shpia mbí shpi. Kështu kush pat fatin t’i shpëtonte lkundjes së parë, kët fat s’e pat veç per kohë të shkurtë, sepse tue u rrenue menjíherë ndertesat tjerá i vorrojshin nên germâdhá.
Prándej kaq i shpejtë e me turr rá si termet i tmerrshem, sa n’asnjí mënyrë s’kje e mûndun me shpëtue. Fati mâ i miri duket se kje me të shumët që mbaruen tue kênë në gjumë. Ata që ndodhen çuet s’fituen tjeter veçse ngushtîcë, frigë, disprim e mâ t’idhten tmerrë. Ata që kjenë perpí pá u kujtue mbaruen pá e njoftë hatan e vdekjes. Kjo lumtuní u tokoi së parí fëmijve të njomë e atyne që s’e kishin ende perdorimin e arsyes. Të tillë që mbaruen të shtypun e të therrmuem provuen vetem vûejtjen trupore pá pësue asnjí ankth shpirtnuer.
Krizmave të bânesave që rrenoheshin, brímve e gjâmve të njerzve që po mbarojshin u shtue edhe gjâma e jashtëzakonshme e frigshme e valëve shkumuese të detit. Ata që ishin ende gjállë këto mjerime kaq të mëdhája nuk i çmojshin të njí rreziku, megjithse shumë të mâdh e të jashtëzakonshem, per njerzîmin, por mendojshin se kishte fillue katastrofa botnore.
Aq rrebtsisht po vlonte deti, sa kurr para andej (mâ parë) qytetit i Durrësit s’e kishte pá ndonjíherë. E ndersá prej rrenimesh në të katër ânët e qytetit, prej shkrepjesh së mureve që shembeshin, prej brímve të mjeruemve e t’atyne që po vdisshin, njí trumbull zanesh tmerrsisht u perzîe me krizmat mizore e me zhurmat shurdhuese e mbushên ajrin, dhe të gjithë ata që gjindeshin jashtë Durrësit atë nâtë, tue i ndie
këto gjâmë tmerruese e ato valë të pshtjellueme zanesh e zhurmësh së tríshtueshme nuk mûjtën të mendojnë tjeter veçse mbrrijtjen e ditës së fundit të punve njerzore dhe të shkatrrimit perfundimtar të qiellës e të dheut.
Me kët furí, per njí kohë jo të shkurtë, termeti i turrshem kah kaloi, kurrgjâ tjeter s’la në kâmbë perveç kështjellës, e cila kje e vetmja që mbet i paprekun, ndersá të gjithá ndertesat u rrenuen e të gjithë njerzit që kjenë nder to mbaruen si në njí vorr të perbashkët.
Drita e bardhë e hodhi në shesh atë farë trágjedije që ndodhi atë nâtë trí herë të shemtueshme. Atëherë u turren prej fushave nga të gjithá ânët popull i panjehun tue pasë marrë kazmat e shetën e çdo lloj vegle që duhet per germim si u erdhi per duerësh, dhe filluen të germojnë në të gjithá ânët n’atë grumbull të pamasë rrenimesh, që mâ parë kje qytet, a pse dáshtënía s’prîste mâ per të mûjtë me ia rrëmbye vdekjes e me shpëtue ndonjí që ndoshta ishte tue dhânë shpirt nder ato germâdhá shpiash së shkatrrueme e të ráme, ase pse, ishte pjesa mâ e mâdhe, të shtym prej dishirit të teprûem, që të mujshin me rrëmbye gjithë atë mori pasuníje vorrue aty bashkë me zotnuesët e vet e që s’mujshin të kenë mâ tjeter tráshigimtar të ligjshem, mbasí pronârët me gjithë bij e farefis krejt ishin vorrue, prándej s’kishin frigë as mallkim as ligj që mûnd t’i ndálonte me forcë. Këtu prá kje mûndi i sa ditve tue kerkue e tue hulumtue e në kët mënyrë qyteti u rráfshue krejt.
Prá si Arbenët si banorët e tjerë të rretheve u mblodhen në kët arë, korren arët me kazmat në vênd të drápenve e në mbrámi tue u largue me kët plaçkë e lânë krejt të shkretnuem atë që pak para kje qyteti mâdh; aty ku kje hylli i qyteteve, tash veç gjindet shkretnim. Tashtí e njef nder qytete vetem prej historisë e prej êmnit, mbasí qytet s’ka mâ. Deri këtu Pakimeri, Ký shtoi se kje gjetë nder germâdhá gadí i dekun e i coptuem gjymtyrësh Niketa, Arqipeshkvi skizmatik i Durrësit.
Por qyteti nuk ndeji shumë në kët gjendje shkatrrimi, sepse, si tregon i njâjti Pakimer (bl. 6, kap. 32), mbas kund dhetë vjetësh

disá Ilirás, të cilët u lidhen me Karlin Mbretin e Siçilisë, atëherë kur si pat rrokë armët kundër grekësh e që kjenë shkëputë prej Mikelit Perándorit grek, ia hynë m’e ngrejtë qytetin nga ai shkretnim e mjerim i shemtuem, dhe qytetin që ríndertuen dhe e shtuen me popullsi e pushtûen tue u mbshtetë në ndimat e Karlit, i cili me ushtrí të véta mbante në dorë Kaninên mâ t’afermen kështjellë.

Burimi/Mikel Pllumaj/Facebook