Rama ik, Rama ik! Por pse nuk “iku” Edi Rama?!

0
35

Nga Skënder Sadri KAPITI

Prej dy tre vitesh në Shqipëri protestohej: Rama ik,Rama ik; por Rama nuk iku, edhe pse ka akuza për blerje votash dhe të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë , edhe për shumë arsye të tjera.

E me të gjitha këto Rama nuk iku.

Por valle, mos pati arësye të tjera më të forta se pse Rama nuk iku?!

Kësaj mund t’i përgjigjem me pyetjen se ku dhe kush ishte opozita?! Dukej sikur opozita ishin Ilir Meta si President dhe Berisha, ish kryeministri që dikur ishin në kualicion së bashku: Berisha Kryeministër dhe Meta zëvëndës i tij. E ku në mes Ramës nga njëra anë dhe Berisha-Metës nga ana tjetër ishte VETING-u. Rama ndoshta nuk iku se donin largimin e tij sidomos antiVETING-ashët Berisha, Meta, Nishani e Kryeprokurori Llalla me kompani.

Berisha, nëse e ka dashur me të vërtetë Partinë Demokratike, dhe jo vetëm për interesin e tij personal për ta shfrytëzuar, vjelur e sunduar atë, këtë do ta tregonte fakti nëse ai vetëlargohet dhe pensionohet realisht politikisht, që do të thotë nëse ai e liron Partinë Demokratike nga pengmarrja që ai i ka bërë asaj.

Opinioni i gjërë e deri edhe te ndërkombëtarët kanë bindjen e tyre se edhe në këto 8 vite Berisha vetëm formalisht nuk ishte kryetar i PD-së. Opinioni publik, mediatik dhe ai ndërkombëtarë kanë të perceptuar dhe janë të bindur se realisht dhe de fakto edhe tani ai është kryetar i Partisë Demokratike.

Ka njerëz mediatikë, opinionistë dhe antarë e simpatazanë që Berishën e kanë si idhull të tyre, dhe le ta mbajnë të tillë sepse është e drejta e tyre.

Por shumica e shqiptarëve kanë tjetër opinion dhe bindje ndaj tij dhe e perceptojnë atë si autokrat, egoist, hakmarrës i egër, mosmirënjohës dhe i gatshëm për cdo kompromis, tolerancë dhe marrëveshje vetëm nga zori dhe kur nuk ka nga të shkojë , si dhe ka qenë gjithmonë i gatshëm për të sakrifikuar edhe PD-në për interesa të ngushta personale, nepotike e klanore. Ai ka shpërdoruar e keqpërdorur pushtetin, shtetin, drejtësinë, demokracinë dhe besimin e autoritetin që atij ia ka dhënë gjithmonë në mirëbesim Partia Demokratike.

Këtë se cfarë shkurtimisht paraqita më sipër e verteton edhe deklarata e SHBA-ve e cila ia ka ndaluar atij hyrjen në SHBA. Dhe erdhi kjo kështu, jo se don ky , ai apo dikushi dhe kundërshtari politik, por se kështu edhe e ka perceptuar dhe kanë fakte e bindje edhe SHBA- të, miku dhe aleati më i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Prandaj së paku Berisha duhet të tregojë respekt për antarët, simpatizanët dhe votuesit e Partisë Demokratike, sepse më në fund dhe në këto momente, shërbimi më i madh i tij që mund t’i bëjë si PD-së dhe Shqipërisë është vetëlargimi i tij nga parlamenti dhe nga Partia Demokratike, pensionimi politik i tij në mënyrë që të lirohet e të demokratizohet Partia Demokratike, gjë e cila përshpejton edhe ardhjen e saj në pushtet.

Pra, Berisha, ik tashmë se nuk jemi në vitet 1990?!

Nuk ka asnjë interes dhe nuk i bën ndonjë dobi Partisë Demokratike nëse ajo përdor të gjithë energjitë politike të saj për t’u mburruar me “shpetimtarin” e të kaluarën së kohës së “vetërënies” së komunizmit në Shqipëri; nuk është koha për ta shpëtuar e mbrojur autoritetin e Berishës nga “non grata”amerikane; nuk është gjithcka për Partinë Demokratike vetëm Sali Berisha, por për Sali Berishën ashtu si për cdo antar të Partisë Demokratike,gjithcka politike është tërësia e Organizatës së Partisë Demokratike.

Partia politike në demokraci nuk është uni e as “shpëtimtari”, por është liria, demokracia e brëndshme, dhe jo “Kur themi Partia kuptojmë Lenini, dhe kur themi Lenini kuptojmë Partia”.

Në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 qytetarët me të drejtë për shumë e shumë arsye kërkonin “Rama ik”, por Rama nuk iku, ndoshta nuk iku edhe për shkakun se nuk kishte ikur akoma Berisha me “shokët” e tij.