Ramazan Çeka – Me humoristin Edmond Halili

0
92

Aktori i humorit Edmond Halili ka lindur në qytetin e Durrësit, por është rritur dhe ka banuar deri në vitin 2002 në Shkodër, ku ka qenë edhe një ndër aktorët më të njohur të Estradës Profesioniste të këtij qyteti. Në vitin 2002 ai vendoset me banim në Durrës, ku bëhet edhe pjesëtar i Estradës Profesioniste.
E kaluara e tij artistike, eksperienca e re në qytetin bregdetar dhe bashkëpunimi me aktorët e tjerë të mrekullueshëm durrësakë, krijuan një vazhdimësi që Edmond Halili të vazhdojë të jetë aktiv në shumë aktivitete artistike, sigurisht në fushën e humorit.
Pavarësisht se tanimë ky aktor i ka ca vite mbi supe, kjo nuk e pengon që në skenë të përformojë me shkathtësinë dhe zhdërvjellësinë që e karakterizojnë, për ta plotësuar aq natyrshëm me lojën dhe mimiken aq të veçantë të tij.
Është vërtetë bukur kur artistët vlerësohen për kontributin e punën e tyre. Ky është një tregues i vlerësimit të një karriere të gjatë, jo vetëm nga spektatorët si vlerësimi më i mirë, por edhe i kolegëve.
Pas shumë sukseseve me klubin “Punëtori!” dhe si amator me estradën e NSHN, vjen si profesionist në estradën e Shkodrës. Shumë shpejt u evidentua si një aktor karakteri, dhe pas pak vitesh si profesionist, korri suksesin e tij të madh, në recitalin “Mondi Show” organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në estraden e Shkodrës ka realizuar disa role me shumë sukses si: tek Ndihmat, Toka e Dan Dupit, Mullari, Gjergj Mullaga e shumë të tjerë. Është aktor shumë i dashur nga spektatorët.
Mondi është dalluar edhe në disa filma humoristikë të regjisorit Arjan Çuliqi. Pikërisht atëherë kur po kapte majat e suksesesit u largua nga Estrada e Shkodrës për në Durrës. Kjo nuk e di nëse e ndihmoi apo jo, por ishte zgjedhja e tij. Megjithatë Mond Halilin vazhdon ta dojë artëdashësi.
Duhet nënvizuar se Mondi pas një shkëputje të gjatë u ngjit përsëri në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, këtë radhë me një shfaqje brilante, të titulluar “Mondi Show”e cila u shpërblye nga pjesëmarrja e qytetarëve durrësakë, sidomos e fansave të Mondit. Spektatori i pranishëm në sallë ishte treguesi më i mirë i suksesit të kësaj shfaqeje.
Për kontributin e tij të çmuar Edmond Halili është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” me motivacion: “Në vlerësim të veprimtarisë së suksseshme si aktor i humorit, veçanërisht të atij shkodran, ndihmesës së vyer në çuarjen përpara të kësaj gjinie si në teatër, ashtu edhe në ekranin televiziv shqiptar”.

Burimi/Facebook