Ramazan Çeka – Me këngëtaren e mrekullueshme Alma Velaj, besnike e këngës popullore shkodrane.

0
31

Kënga popullore shkodrane i ka fillimet e saj shekuj më parë dhe ashtu si çdo gjë e bukur që ka dalë nga mendja dhe duart e shkodranëve, edhe kënga është krijuar dhe interpretuar në këtë mjedis, duke u bërë jo vetëm gëzimi dhe dëfrimi i tyre, por edhe frymëzimi i jetës së përditshme. Janë me qindra emrat e krijuesve dhe interpretuesve të saj që kanë lënë gjurmë në kulturën dhe artin shqiptar. Janë më qindra që vazhdojnë këtë traditë deri në ditët tona si për të vërtetuar plotësisht se Shkodra është një fidanishtë dhe një burim i pashterrshëm për artin dhe kulturën jo vetëm shkodrane, por mbarëkombëtare
E bëra këtë hyrje për këngën popullore shkodrane, për t’u ndalur tek njëra nga përfaqësueset më bashkëkohore të kësaj kënge, tek këngëtarja e suksesshme Alma Velaj.
Alma Velaj lindi e u rrit në këtë ambjent, ashtu si edhe paraadhësit e saj këngëtarë e muzikantë. Ajo që në moshë fare të re u bë pjesë e këngëve dhe ahengut shkodran, duke u bërë që atëherë edhe një interpretuese që shpejt do të binte në sy të mësuesve e specialistëve si një talent që premtonte një të ardhme të suksesshme. Kënga popullore shkodrane kishte gjetur edhe një këngëtare të re që do ta përçonte atë jo vetëm në dasma e gëzime familjare, por edhe në aktivitete prestigjioze të skenës dhe ekranit. Shpejt ajo bën emër me zërin e mrekullueshëm, interpretimin e mrekullueshëm dhe repertorin e pasur. Dhe të bësh emër në Shkodër si artist nuk është e lehtë, por ama është edhe një nder i madh.
Alma Velaj është një nga përfaqësueset më besnike të këngës popullore shkodrane dhe ky është çelësi i suksesit të saj. Ajo është një këngëtare e mrekullueshme, simpatike dhe e talentuar. Kjo ka bërë që karriera e saj artistike të njohë vetëm suksese.
Ajo është e pëlqyeshme dhe e kërkuar në të gjitha trevat shqiptare si këngëtarja më e dashur dhe më e preferuar nga të gjithë dashamirësit e këngës shqiptare, veçanërisht asaj shkodrane.
Një tjetër veçori e kësaj këngëtareje është edhe bashkëpunimi i saj me kompozitorë, autorë tekstesh dhe kolegë këngëtarë. Këngëtarja e mrekullueshme Alma Velaj ka një bashkëpunim tepër të suksesshëm në radhë të parë me kolegen dhe miken e saj Vjollca Luka, për të vazhduar edhe me emra të tjerë që janë të shumtë si Ardian Jaku, Lap Logu, Roland Çukaj, Hajredin Gjeta etj.
Këtu duhet veçuar edhe bashkëpunimi mjaft i sukseshëm me “Mjeshtrin e Madh” Bujar Qamili në duetin “Ma ke gishtin për unazë”. Bashkëpunime të suksesshme në realizimin e këngëve të saj, Alma Velaj ka pasur edhe me kompozitorin e talentuar shkodran Luan Dagistani, por një sukses i veçantë ka qenë dueti “Lot e mall” me tekstin tim, muzika nga maestro Alban Furtuna, të cilin e këndoj me këngëtarin e mirënjohur nga Ulqini, Gëzim Salaj.
Alma Velaj ka edhe idetë e saj për këngën popullore shkodrane. Ajo i druhet një lloj largimi të rinisë nga kjo perlë e kultivuar në vite dhe mendon se duhet punuar edhe më shumë nga vetë këngëtarët popullorë, që ta mbajnë gjallë e ta trashëgojnë. Ajo është një nga ata këngëtare që këngën popullore nuk e ndan asnjëherë nga jeta dhe pasioni i saj. Prandaj edhe e kanë quajtur besnike të saj.
Dhe vërtetë, këngëtarja e pavdekshme Naile Hoxha ka thënë për Almen se “është pasardhësja e denjë e imja”. Ky është një vlerësim dhe një nder i madh për këtë këngëtare të mrekullueshme dhe besnike të këngës popullore shkodrane.

Burimi/Facebook