Ramazan Çeka – ME KËNGËTAREN VJOLETA ZEFI, NJË LULE E RRITUR NË SKENË.

0
29

Vlerat e Vjoletës nuk qëndrojnë vetëm tek zëri, por edhe tek inteligjenca e saj për të plotësuar vetveten me një repertor të larmishëm e të dashur për publikun, me këngë shkodrane, të Shqipërisë së Mesme, kosovare dhe të Jugut.
Talentin e saj ajo e ka demonstruar edhe në marrëdhënie me zërat e tjerë si në duete, ansamble vokale etj. Vjoleta që nga koha kur ka dalë për të parën herë në skenë, ka fituar respektin dhe dashurinë e spektatorit, i cili e ka duartrokitur dhe mirëpritur në çdo shfaqje. Këtë respekt e mirëpritje Vjoleta e ka pasur jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë, e në të gjitha skenat ku ka përformuar jashtë atdheut.
Përsosmëria e realizimit të këngëve dhe vokali i saj mjaft interesant flasin më së miri për një këngëtare të formuar artistikisht dhe mjaft të talentuar.
Jam krenar që me krijimtarinë time poetike, respektivisht me tekstet e mia, bashkëpunova me këngëtaren Vjoleta Zefi “Mjeshtre e Madhe” për të cilën skena dhe kënga popullore do ta dëshirojë gjithmonë zërin e ëmbël dhe interpretimin mjeshtror të kësaj mbretëreshe të këngës.
Zëri yt pastë gjithmonë aromen e lules, ashtu siç ke edhe emrin që të përfaqëson në oborrin e lulëzuar të këngës popullore shkodrane.

Burimi/Facebook