Ramazan Çeka – Me mikun tim “Mjeshtrin e Madh” të humorit Besnik Çinari

0
52

Besnik Çinari, talent i lindur, aktor i papërsëritshëm, përfaqësues i humorit tipik shkodran, një tjetër pasardhës i shquar i skenës së estradës, por dhe përçuesi i këtij humori nëpërmjet interpretimit dhe krijimtarisë së tij letraro-humoristike.
Të portretizosh një artist, aktor, këngëtar, shkrimtar, piktor a ndonjë sfere tjetër të artit nuk është e lehtë, pasi duhet të hulumtosh për jetën dhe veprimtarinë e tij. Unë për fatin tim të mirë, nuk e kam këtë vështirësi, pasi këto personazhe i njoh nga afër dhe shpesh, thjesht në bisedat e lira me ta, arrij, jo vetëm të mbledh ato që më duhen, por edhe në ndonjë rast pse jo, të kem edhe oponencën e tyre.
Megjithatë, shpesh i ndjej vështirësitë dhe përgjegjësitë, sepse personazhet nuk janë aspak të zakonshëm, por në veprimtaritë e tyre janë figura që kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë.
I tillë, shumë i afërt por dhe i largët, një figurë komplekse, është edhe aktori i Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës, humoristi i mirënjohur Besnik Çinari, tanimë i lauruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh “.
Si për gjithë kolegët e tij, artistët e mëdhenj që ka nxjerrë skena shkodrane dhe që janë pjellë e tabanit kulturor të këtij qyteti, ashtu edhe për Besnik Çinarin, sfondi që e shoqëron është Shkodra e tij me historinë, pejsazhin e mrekullueshëm, rrugët plot diell dhe humorin e njerëzve që nuk shterron kurrë.
Besnik Çinari është tepër njerëzor, është një bashkëshort i shkëlqyer dhe prind i mrekullueshëm. Një aktor me nur’ me një komunikim brilant me publikun, falë edhe bashkëpunimit të tij me kolegët.
Të flasësh për aktorin e madh Besnik Çinari nuk din nga t’ja fillosh, pasi ai është një humorist i përmasave të mëdha por dhe një krijues, i cili ka një pendë të goditur dhe të mprehtë. Ai shkruan vazhdimisht materiale humori shumë të bukur, por me humorin e tij profesional dhe origjinal ka bërë për vete shumë zemra artëdashëse shkodrane si dhe në të gjithë Shqipërinë. Një Besë i mrekullueshëm, besnik i skenës.

Ramazan Çeka

Burimi/Facebook/Ramazan Çeka