Ramazan Çeka – PEDAGOGU I DY KONTINENTEVE

0
111

Suksesi i Eduart Alikos lë gjurmë në Shqipëri dhe ngjitë majat në mes të Amerikës.
Vitet e fundit falë karrieres sime poetike, publicistike e gazetareske, si dhe bashkëpunimeve të shumta me këngëtarë, artistë, kompozitorë, producentë e deri me biznezmenë, kam pasur fatin të udhëtoj disa herë drejt SHBA-ve, asaj toke të bekuar, që dita ditës po na thithë drejt vetes ajken e bijve të shqipes.
Është pak të them se jam ndjerë mirë në mes të bashkëatdhetarëve të mi, nëse nuk do të pohoja me sinqeritet të plotë se ato kanë qenë edhe ditët me të bukura të jetës sime ku çdo ditë jam ndjerë tepër i privilegjuar nga respekti, vlersimi dhe vemendja e posaçme që kam marrë nga bashkëvëllezërit e mi shqiptarë. Sado mundohem ta shpreh me vargje sërish fjalët nuk më mjaftojnë për të qenë falenderues dhe mirënjohës për secilin mik të njohur apo të rastësishëm në një vend të largët ku respekti kthehet në një afrimitet vllazëror, sa të duket sikur diçka e madhe të lidh përjetsisht me këta njerëz. Për kohën, bujarinë, respektin e deri tek përkushtimi të cilin dinë ta ofrojnë vetëm shqiptarët është pak të thuash se jam krenar që jam shqiptar. Ata janë shumë dhe në punën e tyre ata janë të suksesshëm, ndër të cilët do veçoja një mik që zë një vend të veçantë dhe gëzon një respekt apsolut në Komunitetin mbarë shqiptar të Michiganit, z.Eduart Aliko.
Ishte hera e parë që vizitoja “Tokën e premtuar” dhe atë vend të bekuar. Me ftesë të mikut tim të nderuar z.Ndue Ftoni, një misonar dhe aktivist i shkëlqyer i disa aktiviteteve kulturore e artistike në Amerikë, më ishte ngarkuar misioni të hartoja libretin e “Natës shkodrane” ku pata fatin të njihem edhe me Edin, që nga impakti i parë të krijonte përshtypjen e një intelektuali të mirëformuar dhe që mbante mbi supe një bagazh të madh dijesh. I qeshur, i matur dhe orator në të shprehur ishin karakteristikat që përftova në atë takim të parë, të rastësishëm të njohjes sonë.
Bisedat morën rrjedhë ashtu si dhe puna organizative e “Natës Shkodrane” dhe ishte surpriza e atij aktiviteti ajo që vulosi me respekt të kushtëzuar miqësinë time ndaj tij falë dorëzimit të “Mirënjohjes” së dhënë nga Qendra Kulturore “Imperial House” dhe TV ACTV Michigan, të cilën ma dorëzoi në skenën madhështore të asaj mbrëmjeje vetë z.Eduart Aliko, në praninë e një pjesëmarrje të madhe të Komunitetit Shqiptar të pranishëm në këtë aktivitet.
Takime të tjera kam pasur në vazhdimësi edhe disa vite më pas në Festivalin Shiptaro-Amerikan që zhvillohet çdo vit në Michigan, vepër krijuese e shoumenit shqiptar të apasionuarit dhe atdhetarit të shquar Ben Pllumaj në bashkëpunim me televizionin ACTV të shqiptarëve në Amerikë, me drejtor z.Eduart Aliko dhe me president z.Albert Spahi.
Në edicionin e katërt të këtij festivali, pata kënaqësinë t’i dorëzoj “Mirënjohjen” e dhënë nga Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare me titullin “Krenaria e Qendrës” z.Eduart Aliko, për transmetimet shumë profesionale e atdhedashëse, si me ato me tema patriotike, ashtu edhe ato me përmbajtje kulturore, humanitare e sociale, me motivacionin si drejtues i televizionit ACTV dhe si mbështetës e sensibilizues i frymës patriotike, i luftës heroike të Kosovës dhe luftëtarëve legjendarë që dhanë jeten për liri, si dhe një bashkëpromovues i denjë i këtyre vlerave nga më të çmuarat. Kemi nevojë për sa më shumë shembuj të tillë krenarie dhe frymëzimi, për të promovuar kudo në botë vlerat e traditat tona dhe forcuar identitetin kombëtar.
Gjithashtu edhe si pedagog i shquar në SHBA, në Michigan, ku me punën e tij të palodhur ka qenë jo vetëm ideues i aktiviteteve kulturore-artistike, por edhe humane e edukative, në mënyrë të veçanë për brezin e ri të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, duke ruajtur dhe trashëguar vlerat tona kombëtare. Falë asaj mirënjohje nisi edhe mirënjohja jonë, e cila pati rrjedhë të frytshme pasi falë njohjes dhe takimeve të shumta që kam pasur herë pas herë me këtë personalitet të nderuar nga i gjithë Komuniteti Shqiptar në Amerikë, kam pasur fatin e mirë që nëpërmjet tij të njoh edhe shumë nga miqt e tij të nderuar si: Kolonel Dritan Demiraj, një përfaqësues i denjë i Diasporës shqiptare në Michigan-USA, dhe siç dihet, ish Komandanti i Forcave Speciale të Ushtrisë Shqiptare, “Nderi i Kombit”, Albert Spahi, biznesmen dhe President i televizionit ACTV në Michigan, Rush Dragu, gazetar, publicist dhe president i AlbDreams TV në Michigan, si dhe shumë miq të tjerë.
Megjithëse ai m’u prezantua ashtu thjeshtë, si qytetar modest, më vonë e kuptova se pranë vetes kisha një njeri aq të formuar nga dijet dhe kultura, qytetar model, tejet dinjitoz dhe erudit shqiptaro-amerikanin Eduard Aliko, i cili nga eksperienca dhe rrugëtimi i tij jetësor mbante shumë statuse mbi supet e tij, ndër të tjera profesor fizike dhe drejtor ekskluziv i mediave shqiptare në Amerikë. Gjatë bisedës shumë të këndshme dhe vllazërore z.Aliko më tregoi se ishte larguar nga Shqipëria drejt SHBA-as për një diplomim të dytë, pasi i kishte dalur bursa e studimit për fizikë në vitin 1998, ku pas diplomimit kishte vendosur të qëndrojë e të punojë si profesor fizike në kolegjin “Henri Ford” të Michiganit, meqë kishte eksperiencë pune si profesor, profesion të cilin e ka ushtruar për disa vite në Gjirokastër.
Me ftesë të qeverisë së asaj kohe në vitin 2006 kthehet në Shqipëri ku qëndron për dy vite si drejtor i përgjithshëm i Gjendjes Civile. Falë atij ekipi pune tejet të kualifikuar ka arritur të bëjë atë që sot në Shqipëri njihet si sukses, hartimin dhe përpilimin e dokumentave identifikues, si kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, sistemin e adresave dhe integrimin e kufijve të Shqipërisë.
Ishte një kënaqësi dhe privilegj që iu ngarkua ajo punë kolosale që sot mban firmen e z.Aliko dhe të kolegëve të tij, më tha me modesti mes të tjerash Prof. Eduard Aliko. Për arsye familjare mu desh të kthehesha sërish në Amerikë, ku tashmë jam sistemuar plotësisht. Nga malli që kam për Shqipërinë e vizitoj shpesh, por falë këtij komuniteti kaq të madh shqiptarësh që gjinden në Michigan edhe këtu ndihem si në vendlindje.
Një copës e madhe Shqipërie është instaluar këtu, thoshte tepër entuziast Profesori, aq sa të duket sikur Michigani është kulturalisht një qendër urbane shqiptaro-amerikane. Ndër ta dominon rinia, çka i jep një gjallëri të paparë këtij qyteti në ditë festash e gëzimesh kombëtare, aq sa këtyre gëzimeve t’i bashkohen edhe qytetarë të kombësive të tjera, që nuk ngurojnë të gëzojnë e brohorasin bashkë me ne me flamuj e simbole kombëtare, duke u dhënë këtyre festave kuptim të plotë krenarie shqiptare.
I hapur në biseda dhe tejet i sinqertë në përgjigje, falë kësaj njohjeje arrita të njoh edhe jeten e intelektualëve tanë të nderuar që për arsye të ndryshme emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Integrim ishte i vështirë në hapat e parë, por falë asaj dore humane që vetëm shqiptarët dinë t’i shtrijnë njëri-tjetrit, sot bëj një jetë shumë normale si çdo qytetar e nënshtetas tjetër amerikan shprehet ai.
Edhe pse larg vendlindjes sytë dhe mendjen i kemi atje vazhdon përsëri ai. Jetojmë me shqetësimet dhe brengat që kalon vendi ynë, aq sa shumë herë mblidhemi në solidaritet për të dhënë ndihma monetare. Kemi krijuar qendra të mëdha ku bashkohen shqiptarët, shoqata e shoqëri kulturore, media vizive dhe elektronike, si dhe organizma ku me anë të përfaqsuesëve të tyre mbajmë të informuar komunitetin.
Është bukur dhe kënaqësi të punosh me ta. Personalisht ndihem shumë i privilegjuar që sot mbaj një post të rëndësishëm mbikqyrës, pasi përveç përgjegjsisë së punës, kam mundësi dhe kënaqësi që të jap kontribut konkret në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave tona kulturore e shpirtërore të cilat na bashkojnë ne shqiptarët.
Gjuha, gjaku, arti, historia e deri tek mirëedukimi i brezave me to, janë gjërat që pashë me sytë e mi si dhe sa shumë jepte nga vetja ky personalitet i shquar e fort i nderuar në mbarë Komunetetin Shqiptar në Michigan.
Mars 2021

Kan være et billede af 2 personer, heriblandt Ramazan Çeka, folk, der står, personer, der sidder, televizion, skærm dhe E brendshme
Kan være et billede af 5 personer, inklusive Ilir Bucpapaj og Ramazan Çeka, personer, der sidder, E brendshme dhe tekst, der siger "8088 pepsi. 29.05 2017"
Kan være et billede af 2 personer, heriblandt Ramazan Çeka, folk, der står dhe E brendshme
Kan være et billede af 1 person, står dhe E brendshme

Burimi/Facebook