Ramazan Çeka – RRUGA E FUNDIT

0
145

Shumë u lodha tuj palosë
Disa rroba për dhuratë
Me zemër kisha vendos
Mos t’shkoj n’shpi me duar thatë

Tash dy vjet se kam pa nanen
M’ka djegë malli në mërgim
M’ka prit shumë si nata hanen
I kam ble diçka kujtim

Babës nuk i bleva gja
Se n’mërgim me borxh kam shku
Por do pare ja kam ba
Te borxhlit me shpejt me i çu

Dhe për motrat kam mendu
Do fustana ju kam ble
Nëpër dasma kanë me shku
Thash të veshin diçka t’re

S’po më pritet m’u ba bashkë
Kanë me dalë të gjithë me m’prit
Nipa, mbesa që i kam dasht
Po i pa ata janë rritë

Për ta bleva shumë dhurata
Por ishalla kanë me i ra
I harxhova krejt çka pata
Se m’ka marr’ malli me i pa

Aq pak ditë sa t’rri në shpi
S’kam me lan vend pa shetitë
M’ka marr’ malli për kojshi
Me ta shtatin e kam rritë

I mora t’gjitha çka pata
Dhe do pare porosi
Me valixhe e me çanta
Me ju çu njerzve të mi

M’kishin lanë n’karrikë të dytë
Nga dritarja për me pa
Gjithë naten s’i mbylla sytë
Për Kosoven isha tha

Rruga mbarë e t’fala krejtve
M’thoshin njerzit tuj m’përcjellë
Ju lotonin sytë të shkretve
N’zemër mallin e kanë mbjellë

Një mesazh i çova shpisë
Mos i thoni nanës gja
Nuk flen nana prej mërzisë
E ka marr’ malli me m’pa

Ngjit me mu një djalë i ri
Kishte ardhë ai për studime
Fort ja pata unë lakmi
Se s’do t’ket’ si unë mundime

Në mërgim mos pafsha hasëm
Por me shkollë del n’selamet
Mbas dy ditsh ky kishte dasëm
Po martonte vllan e vet

Kqyrsha xhamin kur po m’rri
Me i thanë nanës m’ban një pite
Me mall tim me ma përzi
Se pa gjumë sa kohë më prite

Kisha mbshtet koken te xhami
Si në andërr e kllapi
N’autobuz u ba nami
Dhe ndodhi kjo tagjedi

Pa defekt edhe pa shkak
Autobuzi u përmbys
Fund e kry u mbush me gjak
Jeta jonë u pre përgjys

Ato t’shpisë heret janë çu
Dhe me mall të gjithë po m’presin
Kur ta din çka m’ka gjet’ mu
Si bunari lot tash qesin

Ah moj nanë me marak shkova
Shumë më prite ti k’saj herë
Prej k’saj jete u largova
Ma s’më shihni mu në derë

Krejt dhuratat kanë me ardhë
Vishni rrobat që kam ble
Me m’përcjell me faqe t’bardhë
Dhe ma hidhni një grusht dhe

Po ju la sot në pikllim
Pare mundit edhe mallit
Tash ju duhen për varrim
I fitova me djers t’ballit

Qofsh mallku ti o mërgim
Trupi im n’Kosovë do prehet
K’tu asht toka vendit tim
Jeta ime ma nuk kthehet.

Ramazn Çeka
Korrik 2021

Të nderuar miq!
Tragjedia e autobuzit të Kosovës në Kroaci ka shokuar dhe piklluar çdo shqiptar. Ngushllimet janë pa fund nga të gjitha trevat dhe ka katër ditë që kanë pushtuar rrjetet sociale që nga liderët e Shqipërisë e Kosovës e deri tek njerëzit më të thjeshtë.
Unë lexova mes tyre një tregim shumë prekës të postuar nga një person që nuk e njoh, i cili më ngacmoj që ta kthej në vargje, duke futur aty edhe ndjenjat e mia për këtë tragjedi të jashtzakonshme.
Edhe unë si gjithë shqiptarët u shpreh ngushllimet e mia familjarëve që humbën të dashurit e tyre.

Burimi/Facebook