Ramazan Çeka – SOT KËNGËTARI I MADH GËZIM NIKA KA DITËLINDJEN

0
132

Pas një karriere të gjatë, me një repertor shumë të pasur dhe natyrisht edhe të njohur për të gjithë, këngëtari Gezim Nika është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, por ndër vite ai mban edhe shumë vlerësime e çmime të tjera.
Për këtë mjeshtër të madh, për këtë këngëtar të mrekullueshëm nuk kanë munguar kurrë vlerësimet dhe mirënjohjet anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe në Amerikë ku jeton dhe punon prej vitesh.
Gëzim Nika ka marrë mirënjohje nga institucione të ndryshme, nga bashkëatdhetarët, por mbi të gjitha ai ka marrë dhe do të marrë gjithmonë jo vetëm mirënjohjen e publikut, por të të gjithë shqiptarëve.
“Misionar i Kombit”, ky ishte titulli i lartë që Unioni Artistik i Kombit Shqiptar me President z.Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh” i akordoi këtij këngëtari të madh për kontributin e tij të shquar, jo vetëm si këngëtar, por edhe si një misionar që përçon mes kombeve të tjera vlerat tona kombëtare.
Unë pata nderin që me rastin e 35-vjetorit të karrierës artistike të këtij artisti të madh të isha i ftuar në Amerikë dhe në një sallë aq shqiptare dhe madhështore t’ja dorëzoja këtë titull, në emër të “Unionit” këtij mjeshtri të madh, këtij misionari të madh.
“Globi i qelqtë me hartën e botës” iu akordua Gëzim Nikës nga “Voice of America – VOA”, të cilën ia dorëzoi bashkëkombasi ynë i nderuar, njëkohësisht drejtor në këtë institucion Dr. Elez Biberaj, i cili mes shumë duartrokitjesh tha: “Është nder dhe pervilegj të jem së bashku me ju bashkëkombasit e mi, në këtë koncert jubilar, i cili më kthen edhe një herë 30 vjet më parë, në kohën kur ne “takoheshim edhe pa u takuar”, tha në dorëzimin e dekoratës, duke kujtuar një sigël të këngës së këngëtarit Gëzim Nika. Kënga e tij në atë kohë “Shqipëri o nëna ime”, e cila vinte si një mesazh ku pavarësisht vështirësive me të cilat ballafaqoheshin shqiptarët, aty ishte shpirti dhe shpresa e tyre të cilat nuk vdesin kurrë!”
Në këtë 35-vjetor nuk munguan vlerësime dhe tituj të tjerë edhe nga politikanët amerikanë, si z.Mark Gjonaj, apo David Tubiolo.
Gëzim Nikën, në këtë 35 vjetor, më një Proklamat nga Asambleja e New Yorkut, e nderoi edhe ish asambleisti Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të Bashkisë së qytetit të New Yorkut.
Legislator David Tubiolo, lexoi duke i dorëzuar Proklamatën e Shtetit të New Yorkut, me të cilën ky ligjistativ e shpalli 1 Dhjetorin si “Ditën e Gëzim Nikës”, në nderim të 35-vjetorit të karrjerës së tij artistike.
Senatori i Shtetit të Nju-Jorkut, Marti Golden, e nderoi gjithashtu më një tjetër titull mirënjohje për punën e tij të palodhur dhe trashëgiminë e vlerave muzikore brez pas brezi.
Televizioni ACTV Michigan me drejtor z.Eduart Aliko, e nderoi këngëtarin Gëzim Nika me një Çertifikatë “Mirënjohje”, të cilën ia dorëzoi atdhetari i njohur Ndue Ftoni.
Në këtë festë të madhe qershia mbi tortë ishte familja Nika, bashkëshortja e Gëzimit Angjelina Nika, e cila mban gjithashtu titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe”. Gjithashtu fëmijët e Gëzimit gëzuan me krenari për babain e tyre, dy vajzat Eliverta, Daniela dhe djali Jason, të cilët janë të sukseshëm në rrugët që ata kanë ndjekur.
Ky spektakël, kjo festë e mrekullueshme do të mbetet si një eveniment, i cili për mendimin tim, një ditë duhet të organizohet edhe në Shqipëri, jo vetëm për Gëzimin, por edhe për shumë artistë të mëdhenj, që askush të mos mendojë se harrohen, sepse ata janë ambasadorët tanë më të mirë, janë zëri ynë, janë përçuesit e vlerave tona kombëtare dhe jo më kot me aftësitë e tyre meritojnë titullin “Mjeshtër i Madh”.
Të këndoftë zemra “Mjeshtri i Madh” Gëzim Nika!
Ju urojmë edhe 100 vite të lumtura!

Burimi/Facebook