Robert Martiko – TRADITA

0
139

Tradita duket si një gjë pa rëndësi, por përcakton gjithë mënyrën e jetës së njeriut, përcakton vetë qytetërimin e tij. Është pikërisht ajo që përsëritet çdo ditë dhe mendja nuk shkon kurrë se diçka tjetër, më ndryshe, mund të ekzistojë matanë horizontit që njeriu ka parasysh. Nëse koha e traditës është e ngurtësuar, shoqëria vijon të jetojë e ngurtësuar brenda saj, pa e kuptuar, në shekuj. Tradita bëhet fuqi zhvillimi vetëm kur ofron forma të gjalla jete. Në këtë rast, merr rëndësi të dorës së parë një e tashme energjike, dinamike, e aftë të projektojë gjërat me krijimtari, duke përgatitur me inteligjencën e duhur të ardhshmen. Krejt ndryshe, tradita e bazuar në të kaluarën, me mburrje të kota, pa vlerë, me një të tashme përherë në gjendje të vdekur, është tmerrësisht problematike. Lavdëroje Skënderbeun njëmijë herë në ditë po të duash, por kur nuk ndryshon vetë, në drejtim të zhvillimit e qytetërimit, nuk ka asnjë vlerë. Në ditët e sotshme kur teknologjia ka zvogëluar hapësirën, njeriu i traditës së pafiltruar duhet të mendojë lidhjen e tij me kohën dhe hapësirën moderne, përndryshe ngurtësimi i shpirtrave do të jetë akoma më i madh. Koha në këto raste kthehet akoma më pas e vijuar nga kaosi, përçarja, armiqësia, me probleme shoqërore të pazgjidhura kurrë. Historia botërore ka treguar se perandori të tëra gjigante, madje edhe mijëvjeçare, ka ardhur çasti që janë rrëzuar fare papritur, si kështjella prej rëre. Ndërsa qytetërime të tëra, me shpirtra popujsh ngrirë, të fosilizuar nga tradita e ngurtë, janë zhdukur pa nam e nishan. PRANDAJ DUHET RILINDJA SHPIRTËRORE E NJERIUT, QË DMTH KORRIGJIM I VETVETES.

Burimi/Facebook