Robert Prendushi – Bepi na la. Nji tjetër mik i fëminisë, i shkollës dhe i jetës u shue pa pritë…

0
377

Bep Margjini, me të cilin jam rritë, nuk asht ma. Më duket se bashkë me Bepin më ka vdekë edhe nji pjesë e fëminisë dhe e jetës sime. Kemi kenë gjithnji në nji klasë për dhetë vite. Kemi mësue gjithnji bashkë në ditët e provimeve, nën kujdesin e nanës, Totës – kështu e thërriste ai nanën e vet – e cila na sillte ndonji frut o çfarë kishte, ose nën kujdesin e nanës Rozë, sepse edhe ai quente nanë, nanën time.
Fëminia! Më duket se atëherë fëmijët rriteshin shpejt. Mora vesht se Bepi ishte jetim. Ishte biri ma i vogël i Kolë Margjinit. Pra ishte “i prekun”. Ma vonë mësova se kishte kenë nji nga përfaqsuesit ma të shquem të Lidhjes së Dytë të Prizrendit dhe figurë e shqueme e arsimit kombëtar e posaçrisht atij kosovar. Njoha dhe historinë e torturave çnjerzore të vdekjes në burgun titist të babës së tij, që edhe sot nuk ka vorr.
Ajo kohë i rriti fëmijët shpejt. Ajo kohë e rriti Bepin edhe ma shpejt. E rritën hallet e jetës. Jeta vazhdonte e ne mësonim, por edhe përpiqeshim të ndihmonim familjen, por edhe të ushqeheshim. 400 gr bukë kallomoqe ishte triska për ne që po lëshonim shtat. Për dy-tri vite, në stinën e verës, njimbëdhetë, dymbëdhetë vjeça, kemi kalue Zallin e Kirit sëbashku me vëllaun tim, Sandrin, që ishte tre vjet ma i madh se ne, me punue në Fermen e Bardhejve. Me punue me shpresë se mos hanim ndonji pemë…. por na çonim gjithnji të mblidhnin perime… Nuk di sa lekë na jepshin.
Me shtytjen e kushrinit të vet, Albert Krasniqit, balerin i njohun, Bepi hyni në rrethin e Baletit në Shtëpinë e Kulturës dhe unë mbas tij. Mershim me këte rast triskën e bukës 900 gr.! Bepi shkelqente si valltar. Filip Gjergji, drejtues shumë i talentuem, vente gjithmonë Bepin të përsëriste hapat për ne të tjerët. “Ti, mor djalë, e ke vendin në Baletin e Shtetit”, i thonte sa herë. Por si Filipi, si Bepi e dinte se ata dyer nuk do të hapeshin kurrë për ‘te.
Mbas shkollës tetëvjeçare, “u takuem” përsëri në Pedagogjike, sepse destinacioni ishte mësues fshati. E përsëri sëbashku, në nji klasë. Gjysa e klasës ishte me konviktorë, shumica të rritun, të ardhun nga Jugu. Kishim dhe nji antar partie. Riza Shtishi quhej. (Sa herë e kemi permendë me Bepin Rizanë!).
Edhe pse Bepi ishte nxanës shumë i mirë, për arsye ekonomike u detyrue në vitin e tretë me lanë shkollën me punue si mësues. Natyrisht në malësi. Por gjithnji na lidhte Shtëpia e Kulturës… Kaluen vitet.
Veçanërisht këto dhetë vitet e fundit-Thirrja e Fëminisë!- për çdo festë, o raste të randësishme, jemi ndigjue ose jemi takue e kemi vazhdue bisedën, sikur të ishim pa vetëm pak ditë ma parë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. E gjithë fëminia e rinia bashkë.
Por Bepi nuk asht ma. Shokët po na lanë. Nji brez po ikën. Kjo asht edhe ligjësi, por jo kështu si ndodhi me Bepin!
A nuk të lidhet nji lamsh në grykë, sa me të marrë frymën, tue pa se sa me lehtësi po merret në vendin tonë kjo murtajë që na mori edhe Bepin?
Na mori Bepin që mund të gëzonte nipat, na mori Bepin që të gjithë jetën e kaloi si mësues në fshat. Të gjithë jetën. Asnji ditë në qytet.
Shterngoj fort në zemër Marselin e Armandin, por edhe nipat, Nikolinin, Merin, Vilin dhe Francin, tue dashtë me i lehtësue sadopak dhimbjen tue i thanë se duhet të gjejnë ngushëllim, mbasi jeta e Bepit ishte e gjitha e bardhë e me dritë. E në Dritën e Pasosun Bepi ndodhet tashti.

Burimi/Facebook – Robert Prendushi