Romeo Gurakuqi – Andërruesit e uzurpimit të Akademisë së Studimeve Albanologjike

0
87

Me 21 korrik 2021 u zhvilluan zgjedhjet për strukturat drejtuese të Akademisë së Studimeve Albanologjike, institucion ky që operon brenda Ligjit te Arsimit te Larte dhe Kërkimit Shkencore në RSH. Procesi zgjedhor dhe rinovimi i institucioneve u zhvillua konform rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe nën monitorimin e MAS. Institucionet, gjegjesisht Rektorati, Senati, Dekanatet dhe drejtuesit departamentalë, u rinovuan, ndërkohë që në ditët ne vijim pritet zyrtarizimi nga Ministria e Arsimit ( Institucion ma i naltë ekzekutiv i vartësisë) dhe institucioni i Presidentit të Republikes (si garant i indipendencës, paprekshmërisë së lirisë akademike dhe institucionale).
Ndërkohë që procesi po përfundonte në institucionin e vendosur me seli qendrore ne Sheshin “Nënë Tereza”, në një institucion tjetër, krejtësisht të veçantë dhe pa asnjë lidhje ndërvarësie me ASA, të vendosur me seli ngjitur me ndertesën e Parlamentit të Shqipërisë, dmth në Akademinë e Shkencave, protokolloheshin tre dokumente të adresuara, në emër të kryetarit në detyrë të atij institucioni, Asamblesë së ASH, via e-mail: 1. Nje Qarkore drejtuar anëtarëve të Asamblesë së ASH; 2. nje Projektvendim per kalimin e Instituteve kerkimore te Albanologjisë pranë ASH; 3. Një RELACION për kalimin dhe organizimin e ish instituteve të Albanologjisë pranë Akademisë së Shkencave.
Madje, zotërinjtë e institucionit të lartë promovues të shkencës (vini re, ASH nuk është institucion kërkimor), pa u bazuar në asnjë ligj që lejon ambicjet përthithëse të një institucioni të pavarur ndaj një institucioni tjeter të pavarur, kanë përcaktuar edhe proceduren që do të ndiqet (afërmendsh që mund t’ia imponojë kush KM tonë rrugën se si Ai do të duhet të veprojë në këto kohë të trazuara), që u ofrohet ndër të tjera edhe asambleistëve konstitucionalistë, duke i implikuar edhe ata në këtë sipërmarrje jashtë kornizave të legjislacionit:
a. Projektvendimi i përpiluar në zyren e kryetarit në detyrë të ASH (kujtoj se procedura e rikonfirmimit të tij në drejtim nuk është përmbyllur nga një mbledhje e Asamblesë së ASH, sikurse e kërkon ligja), përcillet me e-mail për aprovim online nga ana e anëtarëve të ASH, me sa lihet të kuptohet, pa të drejtë debati në aulen e Asamblesë.
b. Më pas, projektvendimi i kalon për aprovim Këshillit të Ministrave të RSH.
Hartuesit as nuk duan t’ia dijnë fare se procedurialisht, bëhet fjalë për një institucion (ASA) krejt tjetër të arsimit të lartë pa ndërvarësi, të sanksionuar si i tillë nga një dekret presidencial; një institucion që operon në indipendencë të plotë, me institucionet e veta vendimarrëse dhe ekzekutive, brenda kuadrit të një ligji krejtësisht të veçantë (Ligji i Arsimit të Lartë dhe kërkimit Shkencor) nga ligji me të cilin operon ASH (Ligji Mbi Akademinë e Shkencave).
Po të lexohen me kujdes dokumentet e dala nga zyra qendrore e ASH, dallon me lehtësi këto orientime themelore frymëzuese:
Së pari, një shkrim me argumentim të nivelit të dobët gazetaresk, jashtë standardeve të një arsyetuar të përpunuar akademik e institucional, i ngjashëm në formë dhe përmbajtje, me shkrimet e dikurshme të rubrikes arsimore dhe shkencore në gazetën “Zëri i Popullit”, në vitet 1980’.
Së dyti, në vitin 2021, në kohen kur shoqëria shqiptare me ndihmen e partnerëve ndërkombëtare po punon intensivisht, që askush të mos vendoset mbi ligjin dhe askush të mos veprojë në institucionet shtetërore mbi udhëzimin e pasjoneve vetjake, ose mbi kushtetuten, shohim të ripërtërira në thelbin e synimeve, me një trimëri të pabesueshme, ambicjet uzurpuese të personazheve të botës së vjetër, të rrëzuar dhe shfuqizuar 30 vite më parë, që mendonin në atë kohë, se mund të zgjidhnin me një lidhje të shkurtër, edhe pse të paparashikuar nga kuadri ligjor, çdo projekt përforcues të domeneve që kanë zënë në mënyrat e tyre ende të panjohura.
Së treti, edhe pse ASH është një institucion honorifik promovues i shkencës në tëresi, fokusi i goditjes akaparuese nuk është drejtuar ndaj të gjitha institucioneve shkencore që u shpërndanë ndër IAL në vitin 2007, por vetëm tek institutet e studimeve shqiptare. Dhe si për koincidencë, që unë kam arsye ta besoj se nuk ështe e tillë mbasi edhe shkruesit nuk e fshehin, kjo kërkesë ndodh pikërisht në ditët dhe muajin kur ASH, në kundërshtim me rregullat e shtetit të së drejtës, që përcaktojnë ku merret fondi për kërkimin shkencor dhe nga kush, ka arritë të vendoset në zotërim të një fondi të paimagjinueshëm për një vend të varfër dhe me borxhe të mëdha publike, për rishkrimin e një historie që e kanë rishkruar, pikërisht institucionet që ajo kërkon t’i uzurpojë, sot, ditën kur të gjithë duhet të jenë korrekt me ligjin. A eshte kjo perpjekje e deshperuar per te shpetuar nga problemet qe lindin nga devijimi i pabazuem i buxhetit te shtetit per kerkimin shkencor?!
Së katërti, teksti është shkruar me një sens injorues të punës akademike pararëndëse, shtrembërues të të vertetave dhe fakteve në lidhje më ndërlikimet e legjislacionit, deri edhe falsifikues të historisë së gjatë të ekzistencës së institucioneve që janë marrë me studimet shqiptare në këtë vend, në mbi 100 vite jetë shtetërore dhe të personaliteteve të medhenj, që ato nuk duan as t’ua përmendin emrin (As nuk permendet fare ekzistenca e Institutit te Studimeve Shqiptare dhe Institutit te Studimeve te Artit dhe Shkences). Në relacion dallohet qartë fryma puniste, mishëruar në tezën se shkenca fillon me vendimarrjet e PPSH mbi shkencën dhe arsimin në Shqipëri, dhe gjerat duhet të kthehen ashtu siç ishin konceptuar në kohën e udhëheqësit të diktaturës, duke fshire Koliqin, Pader Antonin dhe koleget e tyre te ndritun.
Së katërti, bie në sy guximi i shkruesve të relacionit, të cilët nuk mund t’i fshihen më publikut mbas emrit të kryetarit të tyre: shkojnë deri në sipërmarrjen e tagreve audituese, vlerësuese dhe monitoruese ndaj ASA, kolegëve që punojnë atje, duke kryer përkufizime fyese, kundër etikes mes profesoratit dhe rregullave të recensimit akademik, të punës kerkimore dhe veprimtarisë botuese të ASA. Dhe kjo kritikë abstrakte ndodh nga një pakicë burokratësh, që punojnë në atë administratë vegjetuese përballë Qendres “Toptani”, të cilët nuk kanë, as kodet formative mbi bazën e të cilave të ndërmerret një vlerësim i tillë, as instrumentët e nevojshme profesionale dhe as tagrin për ta realizuar përkufizimin që ata kanë shkruar në Relacion.
Së pesti, autorët e tekstit injorojnë faktin se nuk është ASA përgjegjëse për prishjen e kuadrit ligjor dhe krijimin e vakumeve në 5 vitet e fundit, por është legjislatori dhe politikëbëresi i mangët; janë ata që nuk njohin mirë Shqipërinë dhe institucionet e saj; ata që bijnë pre e interesave private në arsimin e lartë, atyre individëve që donin të vendoseshin gjithnjë e më shumë në zotërim të fondeve publike, që ishin përcaktuar të shkonin themelisht tek studenti dhe profesori i IAL-ve publike, dhe jo tek zotat e vilave të periferisë së Tiranës, që kanë ba lamsh sistemin universitar shqiptar dhe po i degdisin studentët më të mirë jashtë vendit amë.
Në vitin 2007, kam qenë pjesë e grupit të punës të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, që pas një përpjekje të madhe bindesë mbi nevojën e ekzistencës edhe ma tutje dhe të transformimit bashkëkohorë të tyre, ia arritëm të shpëtonin nga shkrirja ndër universitete, Institutet që merreshin me studime shqiptare, asokohe në Akademinë e Shkencave.
Për rrjedhojë, QSA/ASA i rithemelua si një Qendër Ndëruniversitare e Studimeve Albanologjike në varësi institucionale nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Themelimi i QSA/ASA pati si synim t’i rikonceptonte institucionet e kërkimit shkencor në fushë të shkencave shoqërore dhe humane, në përputhje me edhe rimarrjen e traditës së dekadave të shtetformimit, me nevojat e sotme të shoqërisë shqiptare, me mënyrën e funksionimit të shkencës dhe informacionit shkencor brenda një shoqërie demokratike të europianizuar, të tregut dhe të hapur, në kushtet e globalizimit të shkencës, të teknologjisë dhe të informacionit, të proceseve integruese në Europë, si edhe në funksion të zbulimit, ruajtjes, promovimit dhe reflektimit shkencor mbi pasurinë kombëtare të popullit shqiptar.
Ky ndryshim u shoqërua në mënyrë të menjëhershme asokohe, pas vitit 2008, edhe me reformimin e kuadrit epistemologjik, strategjik, institucional dhe funksional të kërkimit shkencor në fushat albanologjike në ASA, mishëruar në një numër dokumentash bazë standardizues dhe në procedura që ndiqen me korrektësi nga ana e Departamenteve përbërëse të Instituteteve.
Lidhur me strukturën institucionale të instituteve përbërëse, ata u bënë pjesë e një Akademie të tërë, organikisht e lidhur mire mes vetes, që vepron në mënyrë ndërdisiplinore dhe të bashkërenduar. Vetë Akademia ka pasur status special brenda Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në RSH dhe sipas vendimarrjes së drejtuesit aktual të qeverisë shqiptare, komunikuar me rektoret para 5 javësh në një mbledhje të bërë të njohur për median, do të vijojë sërish të jetë e tillë.
Që në vitin 2007, ligjvënësit ranë në një mendje me ekipin projektues,që të ruhej edhe më tutje autonomia dhe emërtimi i Instituteve të Historisë, Arkeologjisë, Gjuhësisë dhe Letërsisë, Antropologjisë Kulturore, sepse kjo lidhej me disa faktorë shumë të rëndësishëm funksionalë: me ruajtjen e traditës, mbajtjen e ekuivalencës me organizmat homologë në botën shqiptare dhe përtej saj, me ruajtjen e specializimet e brendshme në formë grupesh kërkimi dhe mësimdhënieje, etj.
Në ASA, vlerësimi dhe gjykimi i rezultateve të punës shkencore kryhet vetëm brenda kritereve shkencore të njohura universalisht dhe realizohet në mënyrê zyrtare ekskluzivisht nga komuniteti shkencor dhe nga instancat e habilituara për këtë mision. Askund në legjislacion nuk është shënuar që ca njerëz të atashuar pranë zyrave qendrore të ASH kanë tagret kontrolluese, përthithëse dhe monitoruese ndaj ASA. Institutet përbërese të ASA në mënyrë të pavarur nga shkollat e larta të vendit themeluan shkollat universitare në nivel masteri dhe shkollat doktorale të profilizueme në fushat e kërkimit, njëlloj si çdo institucion i lartë në RSH, por që zhvillimet tërësore në Shqipëri pas ndalimit të tejzgjatur për të gjithë IAL të vendit të shkollave doktorale, e kanë penguar vijimin e funksionimit me të regjistruar të rinj.
Vijon…

Burimi/Facebook