Roza Xhuxha Anagnosti (27 tetor 1943)

0
147

Roza Xhuxha Anagnosti lindi më 27 tetor 1943 në Shkodër, Shqipëri, aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë, bashkëshorte e regjisorit po ashtu mjaft të njohur Dhimitër Anagnosti.
E filloi karrierën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963). Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jone” (H. Hakani, 1964). Viti 1966 ishte viti i bashkëpunimit të suksesshëm me regjisorët debutues Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, në filmin “Komisari i dritës”. Pas këtij filmi Roza dhe Dhimitri martohen dhe jetojnë në Tiranë. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmime të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek “Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969), “Fije që priten” (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi Medalionin e Festivalit të vitit 1977, “Mesonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi Medalionin e dytë. Filmat e tjerë janë “Ndergjegja” 1972, “Qyteti më i ri në botë” 1974, “Në shtëpinë tonë” 1979, “Dita e parë e emërimit” 1981, “Besa e kuqe” 1982, “Taulanti kërkon nje motër” 1984, “Pranverë e hidhur” 1985, “Botë e padukshme” 1987, “Familja ime” 1987, “Vrasje në gjueti” 1987, “Rikonstruksioni” 1988, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” 1989, “Vetmi” 1990. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Xhuxha Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar”, Urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe dekoratën “Nderi I Kombit”.

Burimi/Facebook/Per Ty Shkoder