Rudina Muharremi Beja – Për punën e përzgjedhur.

0
35

Mbështeti biçikletën e vjetër në një qoshk të murit e për një çast qëndroi e menduar në këmbë para asaj ndërtese me një oborr të vogël e krejt vetmimtar ku trëndafilë shumëngjyrësh thurnin kurora të mahnitshme.

  • Në cilën portë duhet të trokas tani? -kishte folur me vete pasi portat ishin dy, tek përpiqej të dallonte se nga vinin ata zëra njerëzish, ato zhurma të çuditshme por, s’kishte vonuar shumë dhe kishte dëgjuar kuisjen e derës së xhamtë që hapej
    Si duket e prisnin të mbërrinte.
    Pa përsëri trëndafilat që qëndronin të zënë përdore si të donte t’i mbushte edhe njëherë mushkëritë me aromën e tyre dhe ngjiti shkallët e angështa duke vëzhguar me symprehtësi prej fajkoi gjithçka përreth.
    Ishte dita e parë e punës aty dhe emocioni nuk kishte ngurruar të manifestohej me bulëza djerse nëpër duar e ballë…
    Kurioziteti i të gjithë punëtorëve të tjerë ishte krejt i lexueshëm pasi për një çast të gjitha zhurmat shurdhuese pushuan, makineritë u fikën ndërsa drita e përthyer e fenerëve ndriçonte fytyrat e tyre të munduara prej lodhjes
    Ndjeu mbi vete vështrimet dashamirës që kryqëzoheshin me të sajin dhe çburgosi spontanisht një buzëqeshje
    U afrua për të kryer prezantimet e rastit siç ndodhte gjithmonë kur mbërrinte një koleg i ri në grup, me një shtrëngim të përzemërt duarsh ku secili shqiptonte fort e qartë emrin e vet.
  • Shqipe më quajnë, kishte zgjatur dorën e para ajo, kënaqësi që u njohëm, kishte vijuar menjëherë dhe ata me radhë kishin thënë emrat e tyre bukur
    Vështronte gjithsecilin drejt e në sy si për të dashur të kuptojë diçka nga bota e tyre, por edhe si formë respekti apo dëshire për të ndërtuar menjëherë një njohje e bashkëpunim të paqmë.
    Anna, Luka, Tomas, Elena, Lida, Xhovani, dëgjoheshin ata, tek përshëndetnin me ritualin e shtrëngimit të duarve e një buzëqeshje të dlirë që i zbukuronte fytyrën.
    -Salvadore, kënaqësi që u njohëm, ishte prezantuar dhe i fundit prej kolegëve. E kishte vështruar dhe atë në sy si të gjithë të tjerët, por ai, në mënyrë jo të vullnetshme e kishte parë shkarazi e kishte ulur kokën
    -Shqipe, ia kishte pritur ajo sërish, duke vënë re tiparet e tij mesdhetare, dhe një ndrojë të pashpjegueshme por gjithsesi s’ishte ngutur t’i bënte ndonjë pyetje pavend.
  • Në rregull, kishte ndërhyrë përgjegjësi i turnit që mezi priste t’i shpjegonte punën e re për të cilën ishte përzgjedhur në atë rrepart, mirëse erdhët në stafin tonë dhe me një përskuqje të beftë në fytyrë e kishte pyetur;
    -Më fal, si thatë se quheni, se të them të vërtetën s’ua kuptova mirë emrin ?
    -Shqipe, ia kishte pritur ajo me një ton më të lartë, duke skanerizuar mirë shkronjat e duke i shoqëruar me një labiale të saktë
    Ai buzëqeshi pak sa i turpëruar pasi s’kishte kuptuar asgjë edhe këtë herë.
  • Të vjen keq nëse të thërrasim Sara, kishte vijuar ai, do të qe më e thjeshtë për ne të gjithë, dhe kishte mbajtur vesh duke shpresuar në një përgjigje pozitive e të menjëhershme, ndërsa djali që u prezantua i fundit iu afrua sakaq për të “lehtësuar” paksa situatën ;
    Dhe unë Shkumbin e kam emrin, por këta më thërrasin Salvadore për lehtësi shqiptimi, i foli ai në gjuhë të saj, pothuajse në vesh.
    U mësova tani me këtë emër dhe s’më bën më përshtypje dhe bëri të largohej drejt repartit të tij.
    -Ashtu, foli ajo e befasuar dhe për një çast fytyra i ndryshoi pamje.
    -E kam pyetur mirë tim atë se përse kishte vendosur të më quante kështu
    kur kam lindur, iu drejtua ajo tërë grupit duke i parë njëri pas tjetrit drejt e në sy,
    Dhe ai më qe përgjigjur duke kullotur vështrimin përtej thellësive të horizontit, lartësive të bjeshkëve, brigjeve, fushave e gërxheve duke më thënë;
    “Duhet të ngjitesh lart bijë, si shqipet atje ku shumëkujt i mungon fryma,
    atje shpalosi krahët e fluturo,
    dhe mos harro se emri yt mbart brënda rrënjët për të cilat duhet të ndjehesh përjetë krenare kudo që të shkosh nëpër botë”,
    Prandaj, jo! Ia preu shkurt ajo.
    Si mund t’i dal përpara tim eti?!
    -kishte lënë pezull aty për aty një pyetje retorike, e më pas një heshtje e gjatë e justifikuar kishte mbizotëruar për disa minuta
    -Sa herë të keni nevojë apo sa herë ju ta harroni emrin tim, unë do t’ua përsëris me durim, kishte vijuar ajo duke thyer atë shurdhëri, dhe me të njëjtin durim do të mësoj emrat tuaj të bukur, një e nga një, apo jo Shkumbin, kishte ngritur pak më tepër zërin duke mbaruar frazën e duke mos lënë vend për diskutime.
    Më pas, kishte çelur një buzëqeshje mbi fytyrën e praruar duke treguar disponueshmërinë më të lartë për punën për të cilën ishte përzgjedhur.

Burimi/Facebook/Autori