Rudina Muharremi Beja – VENDLINDJE

0
15

Dheu im,
harliset n’ festë e tërë njerëzia,
skuqen ekranet.
Flamuj shpalosen anë e kënd
por ti, s’ buzëqesh.

Më thuaj toka ime e mjaltë,
ç’ të dhemb?

Të dhembin kufijtë mbi pergamena?
Të dhembin bijtë që t’ mbajnë me rrena?
Të dhembin fjalët e pathëna?
Virtytet që kalben brenda?
Ç’ të dhemb Atdhe,
apo shqiponja me dy krena?

O Zoti im
S’ të dhimbset kjo begati e hajthme
me kurmin shtrirë nën këmbë malesh
njomur përrenjsh e lumenjsh,
përkundur shekujsh në djep hallesh?

Mos vallë ka kund më t’ bukura perëndime
me jehona që vijnë përmes një fëshfërime?
A ka mëngjese që lindin si në tokën time?
Apo ndonjë det,
flet me gjuhë mërmërime
si të tutë, o Ferr-Parajsa ime…

Në kraharorin tënd ballin mbështes,
aty ku Ti fsheh kaq shumë halle
sekrete, tmerre, marrëzi,
m’ rreshk loti Yt,
e botës i bie qark
t’ kërkoj më mirë…

Po në ç’ krahë mund të kem më të ëmblin gjumë,
përtej murit të pafund të mjegullës,
Në ç’ tjetër vend dheu im përveçse tek ti?

Burimi/Facebook/Autori