Sali Berisha cilësohet si rrezik për sigurinë e SHBA, ambasada paralajmëron se do përdoret çdo mjet për ta ndëshkuar për veprat e tij korruptive

0
83

Ish-kryeministri Sali Berisha cilësohet si rrezik për sigurinë e SHBA. Ditën e djeshme ai kërcënoi hapur amerikanët dhe i sfidoi se nuk ka ndërmend të dorëzojë mandatin e deputetit, por ambasada amerikane ka reaguar me një deklaratë tepër të fortë.

Yuri Kim brenda shumë pak ditësh lëshoi dy mesazhe në drejtim të Berishës duke ia bërë të qartë se ai nuk duhet të jetë në Parlament, por duke qenë se ish-kryeministri nuk bindet, dje amerikanët kanë paralajmëruar ndëshkimin e tij. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, ambasada shprehet se ai përbën kërcënim për SHBA dhe do të ndëshkohet për veprat korruptive.

“Midis urdhrit ekzekutiv të Presidentit Biden, shpalljes nga sekretari i shtetit Blinken, deklaratave të ambasadores Kim përpara shtypit javën e kaluar dhe editorialit të saj këtë javë, qëndrimi i SHBA është i qartë dhe i pandryshuar: Lufta kundër korrupsionit përbën një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për tu përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë”, – shprehet ambasada amerikane.

Pra siç duket SHBA po ia bëjnë të qartë ish-kryeministri se nëse nuk largohet me të mirë, mund të kalohet në një tjetër nivel beteje. SHBA e shpalli të padëshiruar Berishën dhe sinjalet ishin se ai nuk duhet të jetë në Parlament. Mirëpo ish-lideri i PD e mori si sfidë dinjiteti dhe nga dita në ditë ka deklaruar se nuk do e dorëzojë mandatin e deputetit. Reagimi i ambasadës dje është një sinjal se tashmë lufta ka nisur të ashpërsohet dhe do kemi surpriza.

Mesazhet e Yuri Kim

Ambasadorja amerikane në harkun e pak ditëve i dërgoi dy mesazhe ish-kryeministrit Berisha. Deklarata e saj e parë erdhi ditën e premte, ku pas takimit që pati me kryedemokratin Basha u shpreh hapur se Berisha nuk duhet të jetë në shtator në Parlament. Ndërsa deklarata e dytë erdhi të mërkurën. Përmes një editoriali ambasadorja e ritheksoi se në Parlament duhen lista të pastra deputetësh.

“Presim me kënaqësi ta shohim Parlamentin të rikthehet me pjesëmarrje të plotë në mënyrë që shqiptarët të jenë të përfaqësuar nga i gjithë spektri politik. Nxisim udhëheqësit nga të gjitha krahët që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar. Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion si dhe udhëheqësi të vërtetë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë. Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”, – tha ambasadorja amerikane.

Burimi/billbordi.com/