Selim Kurti – Plakja: tre goditje në tre mosha

0
204

Nëse na pyet dikush për moshën e ne i themi ta gjejë vetë (si gjëegjëzë), ai tjetri instinktivisht do të këqyrë lëkurën e fytyrës, mënyrën e qëndrimit të trupit, flokët, dhëmbët, duart.
Mund t’ia qëllojë, por zakonisht jo.
Brenda nesh kemi një orë ku e ku më të përpiktë se sa vlerësimi me sy: proteinat e gjakut.
Sipas një studimi të Universitetit të Stanfordit, matja e nivelit të 373 proteinave tona të gjakut mund ta përcaktojë moshën me një marzh gabimi prej tre vitesh.
Proteinat konsiderohen “kafshët e barrës” të organizmit, sepse mbartin e transferojnë udhëzime të shumëllojshme.
Ndryshimet në sasinë e tyre tregojnë nëse një proces biologjik është në fillim, në zhvillim e sipër apo në fund të tij.
Prandaj proteinat janë një “barometër” optimal për gjendjen shëndetësore të organizmit.
Ajo që nuk dihej ishte se sasia e tyre ndryshon edhe me moshën.
Nga studimi i rreth 3000 proteinave në rreth 4000 njerëz të moshave nga 18-95 vjeç, doli se 1379 proteina ndryshojnë ndjeshëm dhe njëkohësisht në stade të caktuara të jetës.
Studimi i proteomës solli edhe një zbulim të rëndësishëm: plakja nuk ndodh në mënyrë konstante dhe të përshkallëzuar, por edhe me goditje, ose më saktë, në tre momente kyçe të jetës ndodhin ndryshime të forta ose plakje të menjëhershme.
Saktësisht kjo ndodh në moshën 34-, 60- dhe 78-vjeçare.
Natyrisht, me përjashtime.

Burimi/Facebook