SHABAN BINAKI I KRASNIQES.

0
65

Nga ILIR SECI.
Dera fistare e Mulosmanaje, prijësave të Krasniqes, fisit të njoftun të Malësisë së Gjakovës, ka nxjerrë shumë burra të përmendun në mbarë trojet shqiptare, disa prej të cilëve janë kthye tashma në figura legjendare. Prej kësaj dere kanë dalë burra pleqnarë në za e të përmendur në mbarë trojet shqiptare si Binak Alia apo heroj zemërluanë si Mic Sokoli. Kujtimi i këtyne burrave zemerluanë dhe pleqnarë të urtë asht ruejtë dhe përcjellë ndër breza sepse bamàt e tyne janë tashma pasuni e paçmueme e vetëdijes dhe trashegimisë historike mbarëshqiptare.
Burrat legjendarë të derës fistare të Fangit të Mulosmanaje, gjinden të ulun perjetesisht ne Odën e Historisë Kombëtare, duke zanë vend aty me guximin e treguem në Lufta dhe urtine e tregueme në Kuvende. Trima në Luftna e pleqnarë në Kuvende. Kjo asht arsyeja pse Trimnia dhe Urtia e tyne e permendun mbrriti me kapercye shekujt dhe vazhdon të njihet edhe sot nga çdo brezni, jo vetem në Krasniqe dhe mbarë Malësinë e Gjakovës, por edhe ma gjanë në tanë Trojet Shqiptare.
Edhe sot njerëzit kujtojne urtinë dhe trimninë e tyne; fjalet e urta që ka lanë mbas vedit Binak Alia, guximin e pashoq të Mic Sokolit, trimnine e Zeqir Halilit, zotesine drejtuese të Man Avdisë që me djelmninë e Krasniqes e rrethoi Maxhar Pashen në Gjakove. Një rend burrash dheu, që u perkundën ne djepin e tradites së burrnisë së kësaj dere të permendun në Malsinë e Gjakoves, burra kreshnikë, të tanë të permendun, të tanë burra që lanë za mbas veti.
Një nga Burrat ma në za të kësaj dere asht edhe Shaban Binaki i Fangit, i biri i Binak Alisë, pleqnarit legjendar. Shaba Binaki kishte trashegue virtytet dhe zgjuarsine proverbiale të babës së vet, Binak Alisë. Ende sot e kësaj dite permenden mjaft pleqni, urti, thanie, ndamje pleqnish, zgjidhje konfliktesh në sa e sa kuvende ku asht thirre Shaban Binaki. Me shume interes studimi janë disa urtina të Shaban Binakit, aq të arrituna, sa kanë kalue përtej qarkut të ngushte lokal dhe janë kthye ne urtina proverbiale, që ngerthejnë mbrenda pleqni universale. Po shqyrtojmë vetëm dy prej tyne…


-Në atë vakt, Shaban Binaki i Krasniqes, po kalonte përmidis çarshisë së Gjakovës, hipun majë kalit të shalës, i shoqnuem nga disa djem malsorë, trima të zgjedhun, djel mbas vedit, që shkonin gjithëhere mbrapa të Parit. Kur kalonte Shaban Binaki andej, njerezit hapnin udhen. Po kalonte – “Shaban Aga si gjylja e topit” – si thotë kanga kushtuar këtoj burri. Në momentin që po kalonte Shaban Binaki me Djelmninë mbas vedit, nje person në ane të rruges, thote nji fjalë të randë, fyese, në drejtim të Bajraktarit. Djelmnia ndalen në vend, menjëherë ngrenë duart nder alltia, i nxjerrin e bahen gati me e vra atë personin që shau! Trimat kthehen nga Shaban Binaki duke prite fjalen e tij…
– “Folë Shaban Binaki. A e ndjeve çka tha ai njeri!?” – u kcyen djemtë që kishte mbas vedi, – “Vetem na jep izën, (lejen), se e bajmë pluhun!”
Shaban Binaki e sheh që personi që foli ishte njeri me të meta mendore, endacak udhësh dhe u kthehet djelmisë:
– “Kadalë bre djem mos u ngutni! Ju a nuk po e shihni që njeri nuk asht mirë në mend të kresë?! Asht i metë! Tekembramja, mue me shau, nuk u shau ju! Pse, more djem, simbas jush, me ba me u gjuejtë kali shkelm, a kishit me u kthye me e i ra shkelm edhe ju kalit a!?”
Kjo ndodhi dhe pleqnia e Shaban Binakit na kujton fabulën e famshme te Ezopit ku thuhet se:
– “Në rast se të kafshon një qen çfarë ke me ba!? Do kthehesh e me e kafshu edhe ti!?” As bahet fjale qe Shaban Binaki ta kete dite ate fabul te Ezopit antik, porse Malesori Dardan ka te trasheguar urtine ezopike te Odave Malesore qe e ndeshim shpesh ne sa e sa kallzime. Asht i njajti gen urtie.


“Në vitin 1910 pushtuesit osmanë, tradhëtisht kishin arrijtë me i kapë dhe i mbanin në hapsane, (burg), në Gjakove, prijesit e Malësisë, Shaban Binakin e Krasniqes dhe Abdullah Hoxhen e Gashit. Të dy ishin dënu me vdekje nga gjykata e pushtuesit osman dhe pritej dita kur do te vareshin ne konop mes Gjakove. Arrestimi i kreneve te Malsisë zgjoi Djelmnine e Malsise se Gjakoves, (si asht qujtë Tropoja deri ne vitin 1945), pse ata nuk mund te rrinin duarkryq e te pranonin një gja të tillë. Bahet plani që natën ta shpërthejnë burgun ku mbahej Shaban Binaki me Abdullah Hoxhën.
– “Duem me ardhë me ju liru!” – u çojnë fjalë Djelmnia, – “Kemi me e shperthy burgun për ju!”.
Shaban Binaki u kthen fjalë Djelmnisë që kishin ba atë plan:
– “Ju more djelm ju rrittë ndera por mue më thonë Shaban Binaki i Krasniqes dhe më njohin në shtatë krajli! Nuk jam hajdut kuajsh qe me shpërthy burgun e me ikë! Nuk mundem me ikë prej burgut të shpërthyem si hajnat!”
Edhe te kjo ndodhi gjejme elementet e urtise proverbiale antike, prijësi malësor ma shumë se vetë mordjes i druhet emrit qe ka ma lanë mbas! Vdekjen e quen ma të lehte se koritjen! A nuk gjejmë këtu të njëjtën qëndrueshmëri si atë të Sokratit kur piu vetë kupën me helm!? Prijësi Malësor ma mirë vdiste me emën të nderuem se të rrnonte me kori!


Përshkrimin ma të saktë atyne ngjarjeve ia ka ba kanga popullore që ende sot e kësaj dite këndohet në Malsi e Kosovë:
“O po na dvet qaj Sulltan Hamiti
Zot ku vajti aj pashë Xhaviti
Dymbdhetë topa pasha na i grabiti
Në Qafë të Morinës pasha na i qiti
Kurrkush luftës s’mund ja nisi
Veç Krasniqja qaj Zeqir Halili
Veç Krasniqja, Krasniqja e Gashi
Halil Dula paj tha Hoxhë Dollapi
U çuen Krasniqja janë ra te qarri
Ra te qarri paj janë besatue. ”
Me tradhti pushtuesit turq arritën të kapin krenat e Malsise duke dënu me varje në litar Shaban Binakin dhe Abdulla Hoxhën. Dhe nuk vonoi e erdh dita me i varë të dy në mes të Gjakovës, si thotë kanga :
“Hajmedet tha po ban konaki
Sot po viret Shaban Binaki
Hajmedet, tha, po ban Gjakova
Sot po viret Abdulla Hoxha
Shaban Aga si gjylja e topit
Drejt po ecka rrugës së konopit
Ecka trimi prej gazepit
I ka qillue Hoxha skej vetit.”
Urti universale asht porosia e fundit që na ka lanë mbrapa Shaban Binaki i Krasniqes, në momentet e fundit para se m’ia hedhe litarin në qafë, para se me e varë, e pyet Hoxha :
-“Sa sharte i ka turqnia?!”
Me “turqninë” atëbotë kuptohej përkatësia fetare myslimane, me sharte bahej fjale per ritet fetare muslimane…kësaj pyetje trimi i gjegjet me nji thanie – pleqni, pleqni e mbrame që asht perjetesue në kangen qe kendohet për Shaban Binakin :
-“Po ma dvet qaj mejteplia,
Sa sharte i ka turqnia,
Me takat more lum zotnia,
Pesë manxerrja e gjashte alltia.”
Lapidare keto fjalë!
Ju jeni pushtues dhe vetëm pushka i ndan punët me ju.
Malsoret Shaban Binaki i Krasniqes dhe Andullah Hoxha i Gashit u varen ne Gjakove me 27 Nandor 1910, si sot 107 vjet ma para.
27 NËNTOR 2017.

Burimi/Facebook/Mardena Kelmendi