Shaban Murati – Ana e drejtë dhe ana e gabuar e historisë

0
52

Ka një konfuzion të qëllimshëm recidivist neokomunist lidhur me qendrimin nëse Shqipëria mbajti anën e drejtë apo anën e gabuar të historisë në Luftën e Dytë Botërore. Çdo koalicion i drejtë ndërkombëtar i krijuar gjatë historisë ka brenda tij dy anë apo dy palë, të cilat nuk janë të barazvlefëshme nga pikëpamja historike dhe kombëtare, njera palë është e drejtë dhe pala tjetër është e gabuar. Kriteri kryesor historik për të përcaktuar nëse një shtet apo forca kryesore politike e një vendi kanë qenë në anën e drejtë apo në anën e gabuar të historisë është se me cilën palë janë bashkuar brenda një koalicioni historik ndërkombëtar.
Në këtë këndvështrim zgjedhja e Shqipërisë ka qenë e gabuar historikisht. Shqipëria organizoi me një vonesë trevjeçare luftën kundër pushtuesit, tre vjet pasi u pushtua nga Italia fashiste. Shqipëria organizoi luftën çlirimtare vetëm pasi Bashkimi Sovjetik dhe Serbia u sulmuan në pranverën dhe verën e vitit 1941 nga Gjermania naziste, dhe me urdhër të Kominternit, (Qendra Ndërkombëtare e Komunizmit në Moskë), dhe të KGB-së sovjetike u krijuan dhe u rikrijuan në vendet e Europës Lindore, përfshirë Shqipërinë, partitë komuniste dhe lëvizjet çlirimtare të udhëhequra nga komunistët në prapavijat e frontit të luftës si ndihmë për ushtrinë ruse. Partia Komuniste Shqiptare u krijua nga serbët dhe agjentët e Kominternit sovjetik në nëntor 1941, tre vjet pas pushtimit fashist, kurse Ushtria Nacional-Çlrimtare u krijua në korrik 1943 dhe brigada e parë partizane në gusht 1943, katër vjet pas pushtimit dhe kur Italia fashiste kishte mbaruar.
Përse Shqipëria e pushtuar nga fashistët në 1939 nuk e organizoi luftën çlirimtare qysh në vitin 1939, kur Franca dhe Britania e Madhe në shtator i shpallën luftë Gjermanisë naziste dhe përse Shqipëria nuk e lidhi luftën e saj antifashiste me dy shtetet kryesore perëndimore, flamurtarët e parë të koalicionit ndërkombëtar antifashist? Përse Shqipëria nuk e lidhi luftën nacional-çlirimtare me aleatët perëndimorë dhe me palën e Perëndimit brenda koalicionit të madh antifashist botëror?
Shqipëria në koalicionin antifashist ndërkombëtar zgjodhi palën e Beogradit dhe të Moskës për t’i shërbyer me luftën e saj nacional-çlirimtare. Pra zgjodhi anën e gabuar të një koalicioni të drejtë.
Fitorja e koalicionit të madh antifashist botëror mbi nazizmin nuk mund të shërbejë si alibi për neokomunistët modernë, që duan të amnistojnë mëkatet historike të baballarëve të tyre. Dhe që Shqipëria ishte në anën e gabuar me palën e gabuar të koalicionit të drejtë historik, ku e lidhi veten dhe të ardhmen e vendit me armiqtë historikë të kombit shqiptar dhe jo me shtetet perëndimore dhe jo me Perëndimin, e dëshmon pasoja tragjike historike e kalvarit të saj si satelite e Beogradit dhe e Moskës pas Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha shtetet e Europës Lindore dhe të Ballkanit, që e lidhën veten dhe luftën e tyre antifashiste me Moskën dhe Beogradin, pra në anën e palës së gabuar të koalicionit historik antifashist, përfunduan në koloni sovjetike pas Luftës së Dytë Botërore.
75 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore gjërat duhen thënë me emrin e tyre të vërtetë.

Burimi/Facebook – Shaban Murati