SHBA-BE urdhërojnë shkrirjen e LSI-së, të larguarit pranojnë se kanë marrë urdhër të braktisin bandën e Metës dhe Monikës

0
80

Përfaqësuesit e SHBA-BE kanë paralajmëruar figurat e fundit në LSI që të distancohen nga Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta, si e pranoi Basha planin me Ramën për t’i dhënë fund bandës partiake

Ndërmarrja familjare e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, me emrin LSI, e njohur tashmë ndërkombëtarisht si një nga bandat e korrupsionit më famëkeqja në Ballkan, po braktiset çdo ditë nga figurat kryesore, të cilat Meta dhe Monika i kanë përdorur për 8 vite me radhë, si duar për të vjedhur pasuritë publike, por edhe si makijazh për t’i dhënë ndërmarrjes formën e një partie politike. Pas planit për asgjësimin e LSI-së nuk është më sekret se fshihet një pakt mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, por të dhënat e fundit konfirmojnë se eliminimi i LSI kërkohet edhe nga ndërkombëtarët.

Para disa ditësh, Edi Rama pranoi për të parën herë marrëveshjen me Lulzim Bashën për shkatërrimin e partisë së Metës dhe Monikës, por Rama akuzoi Bashën se po e tradhton, pasi Berisha e ka detyruar që të bashkohet me Monikën.

Edi Rama tha se “Çuarja për skrap e LSI praktikisht ishte projekt i përbashkët me Lulzim Bashën, por i tradhtuar nga ky i fundit se unë nuk e kam tradhtuar projektin, unë vazhdoj të besoj tek projekti. Ishte ai që e ndau me demokratët domosdoshmërinë për ta çuar LSI-në për skrap që nuk do të ketë më matrapazllëqe me LSI-në dhe sot është një aksioner në SHPK-në e 4 ortakëve, ku ai është ortak minorance se ortakët kryesorë janë Saliu dhe Ilir Meta.

LSI është projekt që duhet zhbërë. Besoj se LSI-ja është sistem që duhet çmontuar komplet. E kam besuar dhe e besoj”.

Lulzim Basha nuk mund ta mohonte këtë plan, pasi askush nuk do ta besonte. Basha, në një reagim të tijin, e pranoi planin, por ai tha se tashmë PD-LSI do të rrëzojnë Ramën nga pushteti.

Të gjithë e mbajnë mend në maj të vitit 2017 kur Lulzim Basha nisi një fushatë kundër LSI pas marrëveshjes me Ramën. Basha përbetohej se LSI i kishte ditët e numëruara. Sali Berisha e detyroi Lulzimin ta linte planin në mes dhe të bashkohej në një koalicion me LSI-në, edhe pse vetë Berisha e ka konsideruar Metën si ‘kokën e qelbur’ të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.

Meta dhe Berisha u bashkuan në fund të vitit 2017 nga frika e reformës në Drejtësi, ku u koordinuan në sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Megjithatë, sot Edi Rama nuk është i vetmi që vijon luftën për të shkrirë LSI-në. Për fundin politik të LSI-së, si simbol i korrupsionit dhe plaçkitjes, janë interesuar dhe angazhuar përfaqësuesit diplomatikë të Perëndimit në Shqipëri. Disa nga figurat kryesore që kanë braktisur LSI-në këto ditë, kanë deklaruar se për të kryer këtë lëvizje, kanë marrë urdhër nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë. Edhe pse nuk kanë përmendur emra diplomatësh, nuk është e vështirë të kuptohet se bëhet fjalë për përfaqësuesit e SHBA-BE, të cilët janë në një luftë të hapur me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, si përfaqësues të korrupsionit të nivelit të lartë në Tiranë.

Ish-deputeti i LSI-së Gledion Rehovica, deklaroi dje se të gjithë zyrtarët e lartë të strukturave të LSI-së janë kontaktuar nga trupa diplomatike, për t’u paralajmëruar që të distancohen nga Kryemadhi.

“Sa për dijeni unë kam informacion se të gjithë zyrtarët e lartë të strukturave të LSI janë kontaktuar nga trupa diplomatike për t’i paralajmëruar që të distancohen nga Kryemadhi”, tha ai.

Gledion Rehovica është një nga personazhet politikë që është larguar nga LSI-ja. Me sa duket, kjo është edhe arsyeja se pse Monika dhe Meta i akuzojnë ambasadorët për komplot ndaj tyre./Pamfleti

Burimi/pamfleti.net