“SHKODRA NË VITET E VENDOSJES SË DIKTATURËS KOMUNISTE 1945 -1953”

0
157

Referat prej z. Marçel Hila
Si gjë të parë, ju falendëroj për ftesën që më keni bërë për të marrë pjesë në këtë konferencë shkencore me temë shumë të rëndësishme “Shkodra në vitet e vendosjes së diktaturës komuniste 1945-1953”.
Duke hedhur sytë në rreshtat që përmbante ftesa, lexova që relatorët janë të rekomanduar që mundësisht të flasin rreth argumenteve si: organet e punëve të brendshme të kësaj periudhe, sistemet e përndjekjes, ata të reparteve të ndëshkimit e të ushtrisë, çështje këto me mjaft interes dhe pak të ndriçuara deri tani nga studimet e kryera, kryesisht nga studiues të pavarur.
Pa humbur kohë, po kaloj në temë. Për nevojë të diskutimit, na duhet ta marrim si të mirëqenë faktin se ata që erdhën me datën 29 nëntor të vitit 1944 në Shkodër, ishin trupa ushtarake që u ishin vënë pas ushtrive pushtuese për t’i dëbuar nga ky vend. Meqë çlirimi kryhet, forca ushtarake, sapo e mbaron misionin e saj, siç ndodh zakonisht kudo, duhet të çmobilizohet dhe njerëzit e saj të dërgohen në shtëpitë e tyre. Por tek ne kjo nuk ndodhi. Pikërisht kjo masë, e ashtuquajtur çlirimtare, sapo armiku pushtues e kaloi kufirin e territorit të vendit, si një vërshim ujërash të pista e plot baltë, sulmoi dhunshëm jetën dhe njerëzit e kësaj zone. Si në kronikat televizive, kur shohim rrebeshe ujërash që sulmojnë qytetet, depërtojnë në shtëpitë, mbulojnë dyqanet, prishin vendet e punës, bllokojnë trafikun, rrënojnë orenditë, ndërsa në fshatrat mbysin kafshët e bagëtitë, përmbytin shtëpitë, marrin me vete bereqetin e ushqimet … Ja, kështu ndodhi që në fillim: një përmbytje që erdhi me baltë e llum, nga ata që deklaroheshin çlirimtarë, por që rezultoi se ishin hordhi të dala nga sgafellat më të errta të Jugut, aradhë njerëzore të mbushura plot me urrejtje e helm ideologjik. Këto masakra dhe këtë terror nuk i bënë as pushtuesit në pesë vitet e luftës së dytë botërore, edhe pse ishin okupatorë. E bënë bijtë e popullit shqiptar.
Këta të ashtuquajtur “çlirimtarë”, që u digjej xhani për lirinë, këta pushojnë të jenë të tillë brenda dite, e në çast, shndërrohen në xhelatë e kriminelë.
Atëherë, kush janë këto hordhi që janë derdhur rrugëve e shesheve? Kuptohet, janë vegla që po përdorte udhëheqja komuniste, ndërsa po vendos diktaturën në Shkodër e në zonën përreth. Një pjesë të tyre e nis për në Jugosllavi, në ndihmë, për instalimin e diktaturës komuniste në Kosovë si dhe për t’ua dorëzuar forcave të Titos kundërshtarët nacionalistë.
Por të kthejmë në vendin tonë, e më saktësisht, në Shkodrën tonë.
Jam shumë dakord se është i domosdoshëm një studim rreth argumenteve të përmendura në ftesën, por jo që të mjaftohemi me vetëm këta. Rekomandoj që fokusimi të shtrihet edhe në aspekte të tjera që tregojnë se kur “bota e re” po instalohej, u kryen masakra njerëzore, padrejtësi, grabitje, dhunë, e mizori unike e që u manifestuan hap pas hapi. Këtë na e sugjerojnë ngjarjet. Të shohim kronologjinëë e tyre.
Që ditën e parë, dhunshëm, morën institucionet e shtetit, prefekturën, bashkinë, bankën, repartet ushtarake, por po ashtu gllabëruan shumë shtëpi, sepse në to do të hynin drejtuesit më të rëndësishëm komunisto-ushtarakë, të ardhur nga malet. Shtëpia e Kokës merret e bëhet komanda ushtarake e veriut, në zyrën më të rëndësishme të së cilës ka zënë vend Tuk Jakova. Më vonë, kjo ndërtesë do të bëhet komiteti i partisë i qarkut dhe i rrethit.
Mos të harrojmë shtëpitë e familjeve shkodrane që mbusheshin me oficerë e policë të sjellë nga jugu, në fillim për Seksionin e Mbrojtjes së Popullit e pastaj për Degën e Punëve të Brendshme! Një mjerim më vete! Sa padrejtësi, sa perversitete janë kryer. Sa shumë ishin ato familje që detyroheshin ose të largoheshin ose të tkurreshin, për t’u bërë vend xhelatëve të vet. Kur isha fëmijë, te pragu i shtëpisë së Dabërdakëve, shihja plaka me shami të zeza në kokë, që rrinin te dera e soditnin dynjanë. Kishin ardhur bashkë me bijtë e tyre, që tani punonin policë birucash, nga Jugu i thellë. Në kuvendin i fretërve, që u mor e u bë shtëpi, ishte mbledhur një llum i frikshëm njerëzish. Mbaj mend, kur isha fëmijë, meqë e kisha shtëpinë afër, policin Visho nga fshatrat e Vlorës, një pervers imoral. Kush e di sesa shumë dini ju për ta! Tema? Pushtimi i shtëpive qytetare nga llumi jugor-komunist! Me shifra pamja del e frikshme, me cilësi njerëzore të përbindshme!
Po sa argumente do të dalin kështu, po të shikojmë me kujdes dhimbjen e padrejtësinë në të gjithë manifestimin e saj!!
Po marrja e shtëpive që në ditët e para? Ia morën shtëpinë e sapondërtuar tregtarit Lec Shkreli, që është në Piacë, aty ku deri në fund banoi Muho Asllani! Po si e morën Arçipeshkvinë? Mehmet Shehu shkoi për vizitë për Pashkë, me datën 1 prill 1945 tek imzot Gasper Thaci, një javë pasi kishin pushkatuar don Ndre Zadejën. Imzoti, pas kësaj vrasjeje, kishte rënë në krevat, i sëmurë me zemër. Nuk e priti. Atëherë, për hakmarrje se Arqipeshkvi nuk i doli, Mehmeti dha urdhër që godina katërkatëshe të merrej. Ajo u mur e u mbush plot me oficerë sigurimi, të ardhur nga jugu.
Po ku morën shtëpi Shefqet Peçi, komandanti i trupave ushtarake të qarkut, prokurori Josif Pashko, prokurori Aranit Cela, e prokurorët e tjerë kriminelë si dhe dhe ushtarakët e tjerë të lartë? Po të pyesim, edhe na tregojnë. Patjetër që duhet të ketë pasur dhimbje e padrejtësi të mëdha, sepse bëhet fjalë për shpronësim e nxjerrje jashtë.
Zoi Themeli, kryetari i parë i Seksionit të Mbrojtjes së Popullit për Shkodrën, merr banesë tek Alimëhillët, përballë ambulancës së sotme. Nesti Kopali, nënkryetari i Seksionit të Mbrojtjes së Popullit, tek familja e Karlo Çobës, në Gjuhadol, te shtëpia e bukur e madhështore, në katin e dytë. A e kemi një hartë të këtyre gllabërimeve, në kuptimin më të mirë të fjalës? Jo, e them me siguri, por duhet ta bëjmë!
Po kryetarët e Degës së Punëve të Brendshme, kush ishin? Përbindsha të vërtetë! Zoi Themeli, një kriminel i pashoq, injorant i thekur, që kishte punuar në një furrë buke në Korçë: kishte vetëm katër klasë shkollë. Gjovalin Zezaj, anëtar i grupit Bashkimi Shqiptar, i arrestuar në këtë rrethanë, thotë se Zoi e nxori Mark Çunin në ballafaqim me mua. Meqë Marku nuk pranoi asgjë, në praninë time, e rrahu me kamzhik gjerman. Kamzhiku i sillej për fyt, duke i nxjerrë gjak, sa herë që i binte në mishin e butë të qafës, ndërsa, pasi e rrahu kështu, e hodhi për tokë, i hyri në shqelma e ia theu krahun. Martiri Mark bërtiste nga dhimbjet e tmerrshme, por Zoi vazhdonte ta qëllonte. Kur u lodh, i bëri zë policit që ta merrte e ta çonte në qeli, poshtë. I tha ta tërhiqte zvarrë. Ai e mori duke e tërhequr nga këmbët. E ulte shkallëve të ndërtesës së Seksionit, nga kati i dytë në të parin, e koka i binte në shkallët, të gjitha betoni, duke i shkaktuar dhimbje të hatashme. Apo super krimineli e përdhunuesi Nesti Kopali. Mjafton të lexohen faqet e librit të At Zefit, për të kujtuar sesa shumë i masakronte viktimat e veta me majën e çizmes së tij të lustruar oficeri sadist, nga fshati Qorraj i komunës Fterrë të zonë së Sarandës. Ishte nënkryetari i Seksionit. Merrte vajza të reja në zyrë e i bënte presion se gjoja ishin pjesë e organizatave kundërshtare, e do t’i arrestonte, por i përdhunonte aty. E nuk i linte as edhe të ngrinin zërin e të kundërshtonin. Po i tmerrshmi Lilo Zeneli, që Ahmet Bushati tregon sesi e ka masakruar me një pamëshirësi të pabesueshme. E kishte futur nën tavolinë dhe e godiste me shqelma. Edhe Kolec Pikolini flet për një rrahje të frikshme që i kishte bërë atij në vitin 1948, kur e kishin arrestuar. Ishte kasap me profesion. Nuk i kishte as dy klasë shkollë, por ishte i besueshmi i partisë. I pasuar nga krimineli Rasim Dedja, i pashkollë edhe ai e në fund i përbindshmi Hilmi Seiti, një picanec, kumarxhi e imoral, historitë e tij të dashurive tregohen edhe sot në Shkodër. Ishte ai që çoi në vdekje martiren Marie Tuci, thjesht se vajza që i kishte hyrë rrugës për t’u bërë murgeshë, nuk pranoi të bëhej e dashura e tij. Për hakmarrje, i shkaktoi vdekjen. Ia doli të mobilizonte të gjithë makinerinë e diktaturës. Frederik Nosi, kryetari i gjykatës së lartë, dy ditë para se të vdesë martirja në spital, i lexon dënimin me burgim, me akuzën se ajo ka strehuar diversantë. Ky, bashkë me hetuesin maskara Ali Xhunga, kanë fabrikuar akuza të përbindshme edhe për priftin e pushkatuar dom Ejëll Kovaçi. Po ku rrinë këta tipa kriminalë e plot me vese? Kuptohet: zaptojnë shtëpitë më të mira! Po kujt ia marrin? Këto duhen zbulur! A dimë gjë për këta Robeispierë të revolucionit shqiptar? Jo! Shumë pak. Thuhet se ishin demonë.
Në arkivën e ish-Sigurimit të shtetit gjenden dosjet e çdo ish-oficeri dhe ish-prokurori të qarkut Ushtarak të periudhës së fillimeve, sepse ishte kërkesë dhënia e llogarisë përmes autobiografive. Në ato dosje, në autobiografinë e shkruar me dorën e vet, Aranit Çela tregon se e kishte pasur babanë pijanec (srahosh, siç e shkruan ai), që kishte keqtrajtuar gruan e fëmijët e që kishte vdekur në rrugë të madhe i pirë. Autobiografia përpilohej me saktësi, sepse në rastet kur nuk thuhej e vërteta, personi e pësonte. E ëma, pas vdekjes së të shoqit, shkon e kërkon ndihmë tek dom Mark Papaj, prifti katolik i Vlorës, e i thotë se ka mbetur e ve me shumë fëmijë e ka nevojë për ndihmë. Ai, i ndjeshëm, gjoja i merr një jerevi me qera, sa për të justifikuar shpenzimet, por në fshatin e Aranitit nuk shkeli kurrë. Ishte një pretekst për të ndihmuar të gjorën ta shtynte jetën. Edhe kjo e shkruar në autobiografinë e tij. Sapo Araniti njëzet e dy vjeçar, pasi braktisi fashizmin e u bë komunist, u soll në Shkodër, kërkoi dënimet pa fund me vdekje për gati të gjithë klerikët katolikë, njëri prej të cilëve ai që e kishte ndihmuar të rriste shtatin me bukë.
Po Dul Rrjodhi, që kishte qenë dikur i mirë, sepse kishte mësuar në medrese, por pastaj, nga shokët e këqij, ishte bërë hajdut, pijanec e ishte marrë me putanat e Kotorrit. Këtë e shkruan ai vetë në autobiografinë e tij. Tregon se kishte pasur gabime të rënda në rini, si kumarxhi e vagabond, por nuk harron të shënojë se partia e kishte rehabilituar e i kishte dhënë një detyrë me shumë rëndësi: atë të eleminimit të kundërshtarëve të pushtetit të ri. Po Ali Xhunga, po Sirri Çarçani e sa e sa prokurorë e hetues të tmerrshëm? Sa janë të tillë? Gati të gjithë. Vijnë nga xhirizet e errëta dhe marrin pozita me rëndësi që as që e kanë imagjinuar ndonjëherë. Ia vlen për të gjithë këta Maratë dhe Dantonë të komunizmit shqiptar që të bëhen studime, edhe përgjithësuese. Dalin se ata që kishin jetët e njerëzve më me vlerë në dorë, ishin llumi më i ndyrë i kësaj toke.
Ngjarjet e dhunshme na thonë se çlirimtarët, që të nesërmen e hyrjes, ia nisin në mënyrë intensive kontrolleve shtëpi më shtëpi, në kërkim të personave që ata kanë projektuar për burg dhe plumb. Janë bërë listat! Nga kush? Nga ata krejt lart, por kuptohet, me ndihmën e komunistëve vendas! Kontrollet bëhen në tavane, në jerevitë, në puset, në oborret, në ahure, për njerëz të arratisur, për ish-anëtarë të Ballit e Legalitetit, për bashkëpunëtorët, për kuislingët, për armë, kontrolle me pasojë terrorizimin e banorëve. Kontrollohet tek të afërmit e të kërkuarve, te motrat e vëllezërit, te kushërinjtë. Të gjitha këto gjenden në librat me kujtime. Ka faqe me një vërtetësi drithëruese sesi kryheshin këta kontrolle dhe terrori që ushtrohej mbi njerëz e mbi familje mbarë.
Po sekuestrimet në masë, që e rrënuan ekonomikisht krejt shtresën e pasur? Për t’u hyrë në qejf komunistëve jugosllavë, me inisiativën e hierarkëve vendas, u vendos që të sekuestroheshin mallrat e pasanikëve shkodranë. Magazina të tëra u boshatisën e kamionë të ardhur nga Jugosllavia motër, mbushen plot e marrin rrugën për andej, ndërsa varfërojnë deri në ekstrem tregun vendas e rrënojnë pronarët. Ulqinaku i madh është një shembull model! Po të tjerët? Këta, sa janë? Kush janë? Sa gjë e mall iu është marrë me dhunë? A ka një shifër të dëmit? Familjet e dëmtuara mund të tregojnë shumë!
Kryhen vjedhje dhe grabitje. Për këtë ka një leteraturë të mjaftueshme që, nëse studiohet, dalin qartë episode të vjedhjeve sy më sy. At Zef Pllumi tregon në librin e tij sesi nga kontrollet e ushtruara, që në ditët e para nga skuadrat e partizanëve, u vodhën sende me shumë vlerë historike të muzeut arkeologjik, gjë që e detyroi At Mati Prendushin të ankohej tek Shefqet Peci. At Francesco della Rosa, në ditarin e tij, të botuar në librin “Një seminar papnor në vorbullën e persekutimit komunist”, flet për kontrollet e shumta, deri në shtatëmbëdhjetë, të kryera nga datat 30 nëntor 1944 deri me 16 janar 1945, në shtëpinë e jezuitëve, me pasojë grabitjen e sendeve personale, deri edhe me sekuestrimin e benzinës, që shërbente si lëndë djegëse për gatim e ndriçim. Kur eprori jezuit At Daniel Dajani, shkoi t’i kërkonte ndihmë arqipeshkvit Gaspër Thaçit, që ai të ndërhynte duke përdorur autoriretin e tij, që kontrolle të tilla shkatërruese të merrnin fund, arqipeshkvi, i pafuqishëm, i tha se para dy ditësh kemi pasur kontrollin e rradhës, që na kanë lënë tri orë jashtë në të ftohtë e në natë, duke u dridhur nga murlani, e kur kemi hyrë brenda, kemi gjetur të gjithë shtëpinë lëmsh e li e shumë sende të vjedhura. Këtë gjë ia kondirfmoi edhe At Danieli, i cili i tha se pas kontrolleve, gjithmonë, mungojnë sende personale. Ahmet Bushati, në librin e tij “Në gjurmët e një ditari” flet për kontrollet e shumta që bëheshin në ditët e para të fillimit dhe grabitjen e sendeve personale. Tregon, madje, për një palë dylbi, që një partizan i hoqi nga muri e pa asnjë leje, i mori me vete. Po sa janë raste të tilla? Pa fund.
Po sekuestrimi i shtëpive e i pasurive të personave armiq të pushtetit? Sa ishin banesat që u sekuestruan? Nuk e kemi një shifër. Zoti Ahmet Bushati thotë se tek Truma e Dugajëve të reja kishte parë lista të afishuara në një stendë me emrat e personave të cilëve u ishin marrë shtëpitë e që pas kësaj ata po degdiseshin me gjithë familje në Jug të vendit, në internim. Kjo, që në ditët e para të hyrjes së hordhive në qytet, që në dhjetor të vitti 1944. Të gjithë ata që kanë hedhur kujtimet e tyre të fillimit, flasin për këto episode të tmerrshme. Kulla e Gjonit të Marka Gjonit sekuestrohet dhe të gjithë familjarët nisen për Berat, në internim. Data një dhjetor 1944.
Por mendoj se duhen përmendur edhe postblloqet e shumta që viheshin rrugëve, shterrethimet me orë të gjata, të një kohe disa mujore, duke penguar kalimet normale e duke e bërë të pamundur ecjen netëve. Edhe kur kishin nevojë të dilnin për të njoftuar për vdekjet, nuk mund ta kryenin një gjë të tillë, sepse ishte rreptësisht e ndaluar. Gjëra që nuk kishin ndodhur asnjëherë, por po bëhej nga një ushtri që e mbante veten si e popullit dhe çlirimtare.
Po lista e njerëzve të kërkuar e që duheshin arrestuar me çdo kusht, që fillon me vëllezërit Kazazi, me Sulçe Begun, me Maliq Bushatin, me klerikë të shumtë, të konsideruar të gjithë armiq të popullit. Po të përpilohet kjo listë, nuk të habit aq sasia e madhe e tyre në numër, sesa cilësia njerëzore që ata përfaqësojnë. Për të shpëtuar, shumë ishin ata që dolën në male e jetonin shpellave e majave, për të mbrojtur kokën. Janë me mijëra këta. Do të vijnë me mijëra forca të ndjekjes t’i kërkojnë e shumë prej tyre do të vriten e do të vdesin të shpuar nga plumbat e çlirimtarëve, për fajin e vetëm se nuk mendojnë si mendojnë këta vrasës dhe endërrojnë një Shqipëri tjetër nga kjo që kanë projektuar djajtë e për këtë kërkohen dhe janë kandidatë për t’u pushkatuar. Një sa për të gjithë: Ndoc Jakova, vëllai i kompozitorit të famshëm Prenk Jakova, vdes në mal nga plumbat e forcave të ndjekjes, në hyrjen e një shpelle ku gjendej, në duart e klerikut gjerman, misionarit don Alfons Tracki, që edhe ky do të pushkatohet pas një hetuesie të tmerrshme, në vitin 1947.
Nuk duhen harruar urdhrat për mbajtjen e shtëpive hapura, për mësymjet në mesditë e në mesnatë, pa pritur e pa kujtuar, të forcave të armatosura, që ia behnin në kërkim të njerëzve dhe terrorizonin popullatën. Ata që i kanë shkruar në librat, tregojnë mjerime të vërteta.
Po të pushkatuarit e parë pa gjyq, siç ishin tetë vetat e vrarë para Bashkisë Shkodër, me datën 26 janar 1945, thjesht për të terrorizuar popullsinë, sepse ushtria e çlirimtarëve ka shkuar të bëjë masakra në Veri e, duke mos mundur të depërtojë në zona që nuk i njeh e nuk mund t’i kalojë lehtë, lë të vrarë në fushë. Atëherë, për t’i treguar kundërshtarëve të saj imagjinarë se nuk ia lejon gjatë gëzimin e marrjes së lajmit se kanë pësuar humbje, organizojnë arrestimin dhe pushkatimin pa gjyq të të pafajshmëve të mjerë. Një skenë të tmerrshme na e jep Kolec Pikolini në Librin e tij “Regjimi i Hienave”, por edhe Ahmet Bushati, në librin në “Gjurmët e një ditari”. Ka edhe shkrime në internet për këtë ngjarje të kësaj dite. Një genocid paralajmërues, që do të vazhdojë me masakrat e Kelmendit e Vuklit, me vrasjet për kryengritjen e Shkrelit, me genocidin e dënimet e ashpra me vdekje të Kryengritjes së Postribës, e do të kulmojë me masakrën e njëzet e dy të pafajshëmve të bombës së ambasadës sovjetike, në shkurt të vitit 1951, një prej viktimave do të jetë edhe zoti Pjerin Guraziu, babai i të nderuarit zotit Filip Guraziu.
Sa ishin ata që u pushkatuan pas Varrezave të Rrmajit? Nuk ka një shifër! Sa malësorët e shumtë u dënuan me vdekje, thjesht se dikush që gjendej maleve, për të siguruar një strehë, i troket derës së tyre, duke kërkuar mikpritje. Qëllonte që forcat e ndjekjes rrethojnë banesat, arrestojnë të sapoardhurit dhe marrin me vete edhe të zotët e shtëpive. Këta i dënojnë me pushkatim për krimin e strehimit të të kërkuarve. Por ata nuk e dinë se kë kanë strehuar. Ata kanë pranuar trokitësin, kushdo të ishte ai! Ky lloj strehimi është pjesë e kodit të ligjit të maleve, mijëravjeçar, i bërë normë jete për këta zona: mikpritja i ofrohet kujtdo që të troket në derë, edhe pa ditur se kush është, madje pikërisht se ti nuk e di se kush është, i jep strehë. Ahmet Bushati flet për një numër të madh viktimash të tilla, që shkonin të lidhur, rrugëve të Shkodrës, me pranga e zinxhirë, drejt e pas murit të varrezave për t’u pushkatuar. At Francesco della Rosa, në ditarin e tij, të datave të fillimvitit 1946, thotë se sipas asaj që flitet, numri i të pushkatuarve për pesëmbëdhjetë muaj, është rreth një mijë vetë.
Po sekuestrimi i arit, burgosja e tregtarëve, shpronësimi i tyre, torturat e tmerrshme në hetuesitë për dorëzimin e pasurisë së tyre shtetit. Një grabitje e tillë nuk ishte parë. Faj, për çdo legjilacion të globit, është vjedhja e pasurisë pronarit të ligjshmë nga dikush. Ndërsa bota ishte përmbysur: ishte krim po nuk e dorëzove pasurinë tënde. Po sa janë të tillë tregtarë e të pasur që masakrohen e vdesin në tortura?
A ka një shifër të saktë sesa mijëra e mijëra napolona ar u sekuestruan? Sa ar nxori Shkodra nga bankat e saj familjare? Nga një burim i sigurt, kam mësuar se familja Kakarriqi nuk kishte kasafortë, por një bordum shumë të madh mbushur me ar, i cili u mur e nuk dihet sesi e se ku përfundoi. A nuk ia vlen një hetim i hollësishëm vetëm për këtë? Po sa janë të tjerët që u grabitën në këtë mënyrë? Dikur, vite më parë, kam punuar me një djalë me origjinë nga fshatrat e Gjirokastrës, që më tha se babain e tij e kishin sjellë në Shkodër për t’u marrë vetëm me sekuestrimin e arit tregëtarëve e mbeti pastaj këtu. Tek këta tipa kanë pasur besim për zbatimin e kësaj lloj detyre.
Po arrestimet e atyre që ishin kambistët, që kishin shkëmbyer arin me monedhën e huaj, kur tregtarët niseshin për tregti jashtë shteti. Meqë këta tregtarët e arrestuar qëllonte që nuk e tregonin pasurinë e tyre, atëherë, me një dinakëri demoniake, ishte gjetur kjo zgjidhje: arrestimi e torturimi deri në vdekje i kambistëve, në mënyrë që ata të tregonin se kujt ua kishin thyer paratë. Nëse këta flisnin, tregtarët e pësonin. Këto fakte do të ballafaqoheshin e për deklarim të rremë, pronarëve të arit u shkonte edhe koka. Sa prej këtyre kambistëve u arrestuan? Sa qenë ata që rezistuan deri në pikën e fundit për të mos marrë në qafë pasuritë e tregtarëve, miq të besuar të tyret? Shumë. Heroizmin e këtyre trimave s’ka pendë që e përshkruan. Letërsia dokumentare nuk mjafton t’a paraqesë në formë statistikore e përmes numrave këtë fenomen madhështor rezistence e mirësie. Këtu duhet të na vijë në ndihmë letërsia, kinematografia, filmi.
Para se të kalojmë të organet e torturave, po ndaloj tek faza paraprake: ajo e marrjes së shtëpive për t’u bërë qeli hetuesie! Të gjitha këto u morën me dhunë! Me vetëm një fjalë goje banesa sekuestrohej pa asnjë akt noterial apo ligjor e bëhej vend torturash të tmerrshme. Njerëzit nxirreshin jashtë pa asnjë shpjegim e me urgjencë! Studiuesi Kastriot Dervishi flet për këta shtëpi që ishin marrë e që u bënë biruca hetuesie … Studiuesi Fritz Rodovani thotë se në vitit 1945-1946 në Shkodër kishte 26 hetuesi të tilla, kaq i madh ishte numri i të arrestuarve. Të thotë mendja se nuk kishte mbetur kush jashtë. Unë di dy, të papërmendura nga askush: njëra tek hoteli Adriatik, në Parrucë e tjetra, e tjetra një sallë përballë ambulancës së sotme. Te kjo e fundit u dënua Myfit Bushati me akuzën se ka strehuar xhaxhanë e tij plak Sulçe Begun, që i kishte kërkuar ndihmë e për këtë krim Myfitit i dhanë 30 vite burg! Ndërsa te hoteli Adriatik dënohet Valentin Pervizi, me akuzën si bashkëpunotër i pushtueseve, por në të vërtetë se është i biri i gjeneral Preng Pervizit, edhe pse gjatë të gjithë kohës së luftës kishte qëndruar në Itali, si student. Këtë ma ka thënë vetë zoti Valentin, në vitin 1989. Po cilat salla u përdorën si vende gjyqesh? Kinema Rozafati, por edhe salla të tjera dhe godina të gjykatës ushtarake. Në fshatin Xhaj të Dukagjinit shtëpia e ipeshkvit bëhet hetuesi për malet! Sa malësorë janë masakruar në ato dhoma! Por, edhe në këto raste, a i shpjegon mjaftueshëm vetëm statistika? Fakti i ftohtë dokumentar, që kuptohet se edhe ky mungon, sepse ka mbetur pakgjë e shkruar, a është i mjaftueshëm, edhe pse i domosdoshëm, për nevoja të studimit? Jo, nuk do të mjaftonte dokumenti të shpjegonte të gjithë dhimbjen e dëbimit e të sekuestrimit të orendive e të kthimit të shtëpisë së dashur në ferr torturash për të tjerë! Ajo nuk mund të pasqyrohet nga shifrat! Edhe në këtë rast, këtu duhet të na vijë në ndihmë arti! Arti është borxhliu i madh ndaj dhimbjes së këtyre njerëzve.
Po ata që u arratisën? Çfarë trimërie deri në vetëmohim ka në largimin e tyre, me pasojë ndarjen nga të afërmit e vet! Sa ishin ata që arratisen? Shumë! Emigracioni i parë klandestin që e varfëroi qytetin e zonën nga shumë të rinj! Çfarë skena dhimbjeje ka në tregimin e Kolec Pikolinit, kur ndahet me nënën e vet, i sigurt se nuk do ta shohë më kurrë. Edhe daja i im plak, në Kanada, vite më parë, më tregoi skenën sesi ishte ndarë me nënën e tij, gjyshen time, krejt i bindur se nuk do te shihej kurrë më me të, dhe sesi kishte qëndruar në supin e saj duke lotuar për më shumë se një gjymë ore, i qartë se ai ishte takimi i fundit! Sa janë këta? Vetëm të përpilohet lista e të arratisurve të merr frika. Nuk mund të rri pa përmendur arratisjen e Martin Camës dhe Lin Delisë, në vitin 1948, nga Qafa e Boshit në Thethit, dy artistë me famë më vonë, por edhe arratisjen e Arshi Pipës e të Sami Rrepishtit, pas burgosjes së tyre, arratisjen e jashtëzakonshme të Kolec Pikolinit që, pasi ikën nga burgu i Tiranës, sorollatet për 32 ditë udhëtim maleve e kodrave, fushave e arave, duke ecur natën e duke fjetur ditën, pa bukë e pa ujë. I shoqëruar gjithë kohës nga ëndrra dhe vegime paralajmëruare. Një misktikë e veçantë, e panjohur deri më tani, e që e karakterizon krejtësisht librin e tij- Po ikja e Nihat Bakallit, militant i rinisë së Ballit Kombëtar, që duan ta arrestojnë. Ikën nga malet e veriut! Po ata që u vranë në kufi, në përpjekjet për ta kaluar atë! Vrasja e Mark Cacës, Bardhosh Danit dhe Ibrahim Dërgutit! Një trio e djelmoshave të mrekullueshëm, e sa e sa shokëve të tjerë që i pasuan. Sa janë ata që u copëtuan nga plumbat? Po të bëhet një listë, sa e madhe del ajo!
Po tradhtitë jugosllave, që i kthenin të arratisurit! Dom Marin Shkurtin, që sapo e kthejnë, pushkatohet, po Leopold Shkrelin e shumë e shumë të tjerë! Sa vuajtje përcëlluese, të pa shoqe në botë. Çfarë shijet të hidhur ka lënë ky mashtrim.
Po skenat mashtruee që krijonin me postat kofitare, që vinin foton e Titos e i linin të arratisurit idenë se ishte tashmë në Jugosllavi. Ata zbrasheshin, në prani të gjoja autoriteteve jugosllave, por që në fakt ishin shqiptarë. Deklaratat ua merrnin për agjitacion e propagandë, ndërsa arratisjen si tentativë dhe dënoheshin deri në njëzet vite burg. Kësi rastesh janë me të vërtetë shumë!
Po dhimbjet e internimeve për ato familje të cilëve u kishin ikur bijtë e vëllezërit! Sa janë? E kur mendon se nga trupi i këtij komuniteti shkëputen aq shumë njerëz e familje me vlera, degdisën për një jetë sfilitjeje më të vlefshmit, shtëpitë e të cilëve, për dënim, pasi çohen në internim, në Tepelenë apo Porto Palermo, në Berat apo Gjirokastër, i merr Sigurimi e sjell aty policë nga jugu i largët!
Prandaj, në këtë pikë propozoj hapjen e studimeve dhe të anketave. Anketa do të saktësonte se sa mallra, sa ar, sa vite burgje, sa internime, e sa vuajtje u pësuan! Por edhe cilat shtëpi u bënë hetuesi, e pastaj, të mbledhim kujtimet nga ata që hoqën. Kjo do t’i ishte në ndihmë të madhe studiuesve, që do të përcaktonin vendet, numrin e tyre, kapacitetin bartës, por edhe vështirësitë e panumërta që iu krijuan familjeve që braktisnin banesën e tyre dëboheshin pa e ditur se ku. Unë di dy prej tyre. Marjan Shestani, pak para se të vdiste, më tha se, meqë e kishin pasur shtëpinë pranë degës së punëve të bredshme, një ditë, pak pasi seminari i ulët franceskan ishte marrë e u përshtat si seli e Sigurimit, ia bëhen tre oficerë, i dhanë babait urdhër që për një çerek ore të dilnin nga shtëpia e të largoheshin, sepse u duhej atyre, se kishte qëlluar afër degës. Me gojën mbyllur, me një trastë me rroba në dorë, ikëm e shkuam te një dajë i joni, që fatmirësisht, na pranoi, sepse mund edhe të mbetnim në rrugë të madhe. Ndërsa dëshmia tjetër është e zotit Eduard Çurcia, që më tregoi sesi forcat partizane erdhën një ditë të dhjetorit 1944 te shtëpia dhe me një urdhër me gojë, na thanë që urgjentisht duhen të lëshonim banesën, sepse merrej për nevoja të pushtetit të ri. Na u desh të largoheshim. Drejt e në rrugë të madhe! U bë hetuesia e shtëpisë së Çurcisë, Seksioni i Mbrojtjes së Popullit të Qarkut Ushtarak të Shkodrës. Në jerevinë e shtëpisë kishin mbetuar edhe veglat e punës, njëra prej të cilave, ishte sopata që përdorej për të prerë drurët, por që Vaskë Koleci e Jonuz Mersini, ka shumë mundësi që e kanë përdorur për të coptuar këmbët dhe krahët e dom Lazër Shantojës.
Po Tatimet e jashtëzakonshme që dërrmuan me themel jetën ekonomike të qytetit dhe të tregtarëve? E që për mos pagimin e tyre mund të përfundoje i vrarë?
Po shkatërrimi i biliotekave, librave, i dokumenteve me vlerë, i arkivave? Pader Zef Pllumi flet për rrënimin e bibliotekës së ftretëve që, pasi u mur, pas torturave çnjerëzore që u bënë mbi At Pal Dodën, nuk dihet se ku përfundoi. Ku kanë shkuar ata dokumente? Ku janë? Humbën gjithë ata dëshmi me vlera të jashtëzakonshme historike.
Po Biblioteka e jezuitëve, që për ditë e ditë me rradhë, punëtorët e ngarkuar me eleminimin e saj, hodhën në zjarr libra të pafund, të të gjitha llojeve, dokumente arkivore, një bibliotekë me rreth 50.000 libra, të gjithë të shkrumbuar e të bërë hi! Ishte formuar ngadalë, për shumë e shumë vite. Ishte ndër bibliotekat më të pasura në Ballkan.
E tani, për torturat e ndryshme në hetuesi? Ata që përshkruan atë Zef Pllumbi tek libri i tij! Ajo e dom Anton Muzajt, e fra Gjon Pantalisë, e Myzafer Pipës, e Paulin Palit, e sa e sa të tjerëve! Po torturat që i bënë një djaloshi të ri, Ahmet Bushatit, vetëm tetëmbëdhjetë vjeçar, që duroi një hetuesi të përbindshme për shtatëmbëdhjetë muaj! E e sa e sa të tjerëve, që nuk mund t’i rreshtoj, sepse janë të panumër? Për këto lloj torturash a është e mundur të kryhet një studim? Kjo tokë nuk kishte parë kurrë gjëra të tilla!
Po për dëshmitarët e rreme, për spiunët që të merrnin në qafë, për sa prej këtyre gjërave mund të flitet!
Po për hetuesit dhe masakrenjtë, që nga çlirimtarë atdhedashës ishin kthyer në kriminelë të pashpirt? A ekziston një listë e të gjithë atyre personazheve që u gjenden bashkë me detyra kaq të kobshme si: Nesti Kopali, Zoi Themeli, Zoi Shkurti, një Karrabec, një xhahil nga fshatarat e Sarandës, që e përmend Ahmet Bushatit tek libri i tij, po Dul Rrjodhi, Fadil Kapisyzi, Xhemal Selimi, Shefqet Peçi, Ndreko Rino, Çesk Shoshi, e të tjerë, e të tjerë, të gjithë të thirrur për rrënimin e sa e sa jetëve të pafajshme njerëzore!
Po prokurorët e përzgjedhur që pa u mbështetur aspak në ligje, si Josif Pashko e Aranit Çela, Isuf Mersini e Vaskë Koleci, Siri Çarçani e shokë, që kërkuan dënime me vdekje e ia dolën t’i merrnin nga trupa gjykuese e gjykatës ushtarake të Mustafa Iliazit e të Esat Ndreut. Çfarë llumi njerëzor është ky, që pa asnjë vrarje të ndërgjegjes, i ka hyrë punës të shkatërrojë palcën më të shëndoshë njerëzore të këtij vendi, me pretendimin se po ndërton botën e re?
Do të doja të sillja një rast të vetëm. Çfarë sy përbindshi kishte Shefqet Peci, ish-komandant i trupave të qarkut ushtarak të Shkodrës. Kur atij, me radiogram, i erdhi një urdhër nga drejtori i drejtorisë së mbrojtjes së popullit Koçi Xoxe dhe eprori i tij Enver Hoxha, që të kryente një vlerësim e të nxirrte një shifër të përafërt sesa kandidatë për burgosje dhe pushkatim kishte zona e qyteti i Shkodrës, e këtë ta bënte sa më parë, Shefqeti, me mendjen prej përbindshi dhe me syrin kriminal, i ndihmuar nga veglat e tija, erdhi në përfundimin se për pushkatim ishin kandidatë rreth katër mijë veta, ndërsa për burgosje rreth katërmbëdhjetë mijë. Lajmi u nis me radiogram për Tiranë. Përgjigja erdhi. Do të isha shumë kurioz të dëgjoja ndonjë intuitë prej të pranishëmve këtu në sallë se cila ishte përgjigja e atyre shefave të mëdhenj që i lexuan këto të dhëna? Për të burgosurit, nuk iu tha se ke deklaruar një numër shumë të lartë, por se për momentin nuk kemi vende ku t’i fusim në birucat, nuk ka mbuloja e ushqime për ta e prandaj arrestimin e burgosjen e tyre duhet ta lëmë për një kohë të dytë; ndërsa për pushkatimet, do t’i kemi parasysh. Listat e kandidatëve për varr do t’i ekzekutojmë një e nga një, pak e nga pak. E në fakt, shumë prej fatkëqinjve që Shefqet Peci i kishte vënë në lista, morën rrugën e burgjeve apo të plumbit, gjatë viteve të gjata të diktaturës.
A mund të lihen pa u përmendur llojet e torturave? Hedhja e të masakruarve në bodrumet, në skutat, në ahure, lënia pa bukë e pa ujë, të lidhur në birucat, të coptuar, të gjymtuar, me këmbët e këputura me sopatë të Dom Lazër Shantojës, rrahja makabre e Sulçe beg Bushatit tetëdhjetëvjeçar, që ashtu sikurse e ka dëshmuar Beqir Ajazi në librin e tij, kur i sollën në burg të Tiranës, e meqë i kishin vënë në një batanije bashkë me dom Lazrin, ishin bashkuar plagët e tyre e iu ishin ngjitur. “Kur i ndamë, ata të dy lëshuan nga një rënkim kaq të dhimshëm, saqë, – thotë Ajazi, – nuk do ta harroj deri sa të vdes!”.
Po klerikët e të dyja besimeve si u trajtuan? Nuk kishte parë kjo tokë aso tmerresh. Klerikët katolikë përjetuan një Kalvar të veçantë, të pandodhur ndonjë herë, aq sa e shtyu edhe papën Gjon Pali i Dytë, i cili me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, në Shkodër, me datën 25 prill 1993, tha se ajo që ka ndodhur me Kishën Katolike në Shqipëri as është parë e dëgjuar ndonjëherë në histori. Janë gjashtëdhjetë e shtatë të pushkatuarit e pafajshëm, njëzetedy të vdekur në tortura, të gjithë njerëz të dijes, të kulturës e të besimit.
Por s’dua t’ua ha hakun as të penduarve. Pati prej atyre që kur e panë se kush na qënkeshin çlirimtarët, heronjtë e botës së re, dorëzuan teserat, se nuk i honepsën këto metoda kriminale. Por ka edhe më. Po përmend një partizane! E thotë Ahmet Bushati në librin e tij. Ajo u iku komunistëve dhe trimërisht u vu kundër tyre. E kishte kuptuar se kishin tradhëtuar idealet e lirisë e të drejtësisë, se u bënë kriminelë bisha, vetëm për pushtetin e tyre. Vdiq në betejë me forcat e ndjekjes. Heroizmi i saj është i jashtëzakonshëm. Trimëria e saj e pashoqe. Një figurë simbol. Nuk duhet në asnjë mënyrë të harrohet. Historia duhet t’ia gjejë emrin e portretin. Arti i detyron figurën!
Sami Repishti te libri i tij “Nën hijën e Rofazës” flet për një oficer sigurimi, i cili bënte sikur e merrte në pyetje, por në të vërtetë, kishte kohë që po e vriste ndërgjegjja për të gjithë sa po ndodhte e pse përdorej e donte argumente bindëse për pendesën e tij. Vuante se gjendej në anën e gabuar dhe para se të bënte një veprim kokëkrisur, donte të kishte përgjigje. I kërkonte Samiut që t’ia shpjegonte bindshëm e qartë pikëpamjet e tija, ato që ishin të armiqve të popullit. Nuk duhet lënë në harresë ky njeri. Zoti Sami Rrepishti është ende gjallë e mund të na ndriçojë.
Mos të harrojmë edhe Pjerin Kçirën dhe grupin e tij. Mori dënimin me pushkatim për një deklaratë të fortë, fryt i vrasjes së thellë të ndërgjegjes. Tha se fretërit nuk i kishin futur armët në Kishë, por Sigurimi.
Ahmet Bushati flet për një roje burgu, që kishte dhëmbshuri për të, për këtë djalë të ri, që po shkonte drejt vdekjes pa faj. Polici jugor qante me fatin e keq të të riut viktimë. Janë skena unike, që do të bënin të mendohej thellë çdo regjisor të madh të botës. Pra, duhet ta pranojmë: ka pasur pendesa, trazime të brendshme, vuajtje se dikush është gjendur në anën e gabuar. Ka pasur, edhe në organet e dhunës, zemra brenda të cilave kishte dritë, që rrihnin e vuanin për fatin e zi të viktimave, që nuk mund të bënin më shumë për ta, por vetëm të vuanin në heshtje e të shpresonin se të mjerët do të shpëtonin. Janë zemërbutët që ushtrojnë virtytin e shpresës e që provojnë dhëmbshurinë. Janë miqtë e Zotit, edhe pse të panjohur, të pakuptuar e që nuk flasin. Një sy qiellor i njeh, ua di emrat. Edhe ne na interesojnë shumë.
A mos janë personazhe të vetëm kësaj toke dhe të këtij qyteti e nuk kanë të përngjashëm? Unë do të sillja shembullin e filozofit gjigant rus, Nikolaj Berdiajev, i dëbuar nga Rusia komuniste në vitin 1922. Meqë donin ta dënonin, i dhanë një persekutor të përzgjedhur, të pamëshirshëm e dinak: vetë Xherxhinskin, shefin GPU, sigurimit sovjetik. Por kryespiuni nuk ia doli ta zbërthente filozofin gjeni e për çudi të jashtëzakonshme, pas disa seanca marrjesh në pyetje, Xherxhinski u dorëzua pa ia kërkuar kush, iu hap e i konfidoi. I tha se kishte një boshllëk të madh në zemër, se përjetonte një kaos kolosal: nuk e dinte se ku ishte e mira dhe cila ishte e keqja. Atëherë, i miri Berdiajev, qartë e thjeshtë, i shpjegoi se: ju na konsideroni ne si e keqja e Rusisë, sikur të ishim djalli, e për të na eliminuar na bëni luftë, por jeni ju që po përdorni metodat e djallit, jeni ju që jeni bërë shërbëtorët e tij. Xherxhinski e pranoi këtë. E atëherë ia kishte hapur zemrën krejtësisht e i kishte thënë se: “kam ftohtësi, kam qenë dikur student për prift ortodoks, por e lashë, se nuk më bindi ajo rrugë. Idealet e drejtësisë së revolucionit më entuziasmuan, por nuk i gjeta të realizuara. Më duhet të vras e të masakroj në emër të drejtësisë. Kjo nuk më bind. Zhytem çdo ditë në humnerë. Kujtova se revolucioni komunist mund ta sillte drejtësinë, por me këto që po bëjmë e si po sillemi, është krejt e kundërta. Ja, kjo ka rezultuar fatale për mua!”. – “Hiq dorë, ik, largohu nga kjo!” – i kishte sugjeruar filozofi. – “Jo, këtë nuk mundem, sepse, po të iki jam i vdekur, edhe pse përjetoj një ankth shpirtëror të patregueshëm. Jetoj çdo minutë me vdekjen në zemër!”- “Po pse rri atëherë?”. -“Unë jam i mbaruar! – kishte përfunduar ai. – “Sa të zgjasë, të zgjasë!”. Çfarë misteri! Berdiajevin, si shpërblim të këtij ndriçimi, e dëboi nga Rusia, në vend që ta pushkatonte.
Por po sjell edhe një shembull tjetër, atë të Rudolf Hoessit, komandantit të kampit të Aushvicit, ku mesatarisht vriteshin çdo ditë 1750 njerëz. Ai, në autobiografinë e tij, të shkruar në Poloni, pasi kishte marrë dënimin me vdekje nga gjyqi i Nurembergut, thotë se: “rashë në krim për parime të larta. Dhe kjo është fatkeqësia më e madhe. Detyra, Fyhreri dhe Atdheu më bënë kriminel!”. Këta parimet e mëdha, të bëjnë viktimën më ekselente. Kështu ka mundësi që i ka ndodhur edhe ndonjë personazhi tonit.
Propozoj që për këta dhe të gjithë sa thanë e do të thonë kolegët këtu, të ngrihen si çështje që kanë nevojë për thellim e të formohet një komision me rend të organizuar e të nisë studimi. Të jeni të sigurt se rrjeta e hulumtimit do të nxjerrë gjëra të paimagjinueshme për nga interesi dhe rëndësia.
A duhet bërë, pra, një kërkim i thellë, jo vetëm me çfarë ka rekomanduar Këshilli i Qarkut, por edhe në këto që thashë unë e në shumë aspakte të tjera, që mund t’i sugjerojnë studiues të tjerë? Them se po. Po si i bëhet të rindërtohet, mundësisht sa më mirë e sa më saktë që të jetë e mundur, ajo që ndodhi? Unë propozoj që të mblidhen të gjithë librat me kujtime, të atyre që na i kanë lënë. Të përcaktohen ata që duhen studiuar, t’i hyjmë një pune të rëndësishme, që nuk e ka bërë askush. Si gjë të parë, të sigurohet, përmes bibliotekave, e gjithë leteratura e kujtimeve, pastaj, shkrimet e ndryshme në gazetat, që janë shumë e që kanë detaje me mjaft interes, të shkruara gjatë viteve, të kryhen anketa e të vihen në dispozicion edhe ata kujtime që kanë familjarët në shtëpitë e tyre e që s’janë bërë të njohura deri tani, si dhe dokumente që mund të gjenden në arkiva. Të lexohen me kujdes, të nxirren fragmentet sipas përcaktimit të fushave. Të jeni të sigurt se do të dalë një pamje e tmerrshme, një makabritet poshtërues, i veçantë i të gjithë botës komuniste.
Jemi në dijeni se studiues të rëndësishëm, si Stefan Kurtua dhe ekipi i tij, kanë hetuar dhe kanë përpiluar “Librin e zi të komunizmit”. Ka edhe një libër të rëndësishëm tjetër: “Libri i zi i revolucionit francez”. Ndërsa, për Bashkimin Sovjetik, i madhi Solxhenincin, i vetëm, iu vu punës dhe hartoi veprën madhore, kolosale, afreskun gjigant të vuajtjes së atyre republikave, “Arqipelagun Gulag”. Ndërsa unë po ju them: nëse do të bëhet një studim i tillë në mënyrë sistematike, rreth këtyre që parashtrova, do të dalë një libër i madh, Libri i zi i komunizmit në Shkodër, me vuajtje të mëdha, rrënqethëse, unike, që për nga egërsia, pamëshirësia, kriminaliteti, torturat e ushtruara, do t’ia kalonte disa herë librit të Nobelistit rus. Ky libër do të ishte një risi unike, sepse nuk i përket një kombi, por vetëm një qyteti. Lënda e parë e librit do të ishte më se e mjaftueshme të trondiste fort këdo.
Arqipelagu Gulag i Solxhenicinit është një vepër e madhe në të gjitha drejtimet, një afresk i vuajtjes shtatëdhjetëvjeçare i popujve të ish-Bashkimit Sovjetik, por ajo do të konkurohej denjësisht nga ky libër i vuajtjeve të një zone, të një qyteti. Pse? Sepse ne ishim rrethi i fundit i ferrit komunist. Studiuesi Kastriot Dervishi më ka thënë se i dënuari më rëndë politikisht i vendeve të lindjes ka qënë një në Gjermaninë Lindore, me vetëm nëntë vite burg! Hahaha, sa janë Mandelat e Shqipërisë? Vetë zoti Dervishi ka marrë iniciativën dhe publikon hitparaden e të dënuarve klasikë. Sami Dangëllia 43 vjet burg e internim, Osman Kazazi, 40 vjet, disa me 37 vite, Petrit Velaj, me 35 vite, Pjetër Arbnori me vetëm 29 vite burg e shumë të tjerë, që s’po i përmend. Në fund, rrethi i fundit, ai më poshtë se të gjithë për nga krimet, masakrat, varfëria, nga injoranca e drejtuesve, nga torturat, na mbetet neve shqiptarëve. Por ky rreth vjen e ngushtohet e bëhet gjithnjë e më i thellë e përfundon në Shkodër! Ai është rrethi më i fundit, shkalla më e ulët e komunizmit botëror. Pika më e ulët e nivelit. Prandaj, të marrim këtë iniciativë e ta vërtetojmë me fakte: nuk është “Pavioni i kancerozve” të Solxhenicinit një nyje kancerogjene në trupin e madh të Bashkimit Sovjetik, si ai përpiqet ta përshkruajë në mënyrë alegorike, por Shkodra do të ishte trupi ku u formuan metastazat kancerogjene më të rrezikshme të komunizmit botëror. Për këtë do të fitonim titull!
E që afresku të ishte sa më i plotë, do të propozoja që të mos mungonin në këtë vështrim edhe gratë partizane. Janë pjesë e panoramës e nuk është e drejtë t’i lëmë jashtë kuadrit. Ahmet Bushati flet për një masë të rreckosur partizanësh, mes të cilëve, në parakalimin e datës 29 nëntor, kishte parë edhe disa femra, të ndrojtura e të ngrira, të ngurta, që, “kur i pashë”, – thotë ai – “më erdhi menjëherë dyshimi: a mund të jenë nëna këto një ditë?”. Ndërsa zoti Eduard Çurçia më ka treguar se kur erdhën në shtëpinë tyre partizanët, në natën e parë të hyrjes në Shkodër kur u shpërndanë e hynë gati njëzet veta, partizanet femra morën katin e tretë, sipër. Habija e jonë ishte se të gjitha qenë shtatzëna, edhe pse jo të martuara. Nëna ime u tmerrua e s’dijti ku të futej me motrat, vajzat e saj. Shtangimin e saj e të babait, që po i shikonte me çudi, ato e morën si shfaqje fanatizmi. Babit tim që po i shikonte me trishtim këto të reja barkfryra, një partizane kokoroçe i foli me arrogancë e pafytyrësi: “xhaxho, qënke borgjez fanatik ti! Pse shikon kështu? Çka për t’u habitur! Kemi bërë edhe dashuri në mal, nuk kemi shkuar vetëm për luftë!”.
Pse po i them këto? Sepse nuk duhet harruar se edhe ky ishte një moral i çlirimtarëve! I këtyre që kishin ardhur të ndërtonin një botë të re.
Me datën 26 janar 1945, para bashkisë së Shkodrës, pushkatohen tetë burra, të gjithë të pafajshëm, të akuzuar si armiq të popullit, pa asnjë vendim gjyqësor. Viktimave që po vdesin e që janë duke dhënë shpirt, disa vajza të reja partizane, pasi nxjerrin revolverat nga brezat, i gjuajnë në kokë e në gjoks pamëshirësisht e kur ata përsëri nuk japin shpirt, marrin dhe nga toka e ua hedhin në gojët e tyre që fytet t’u bllokohen, në mënyrë që t’ua përshpejtojnë fundin atyre që po agonizojnë. Çfarë skene makabre!
Mërgim Korça, në një dëshmi të tijën të bërë publike e që gjendet edhe në internet, tregon se me datën 25 mars 1945, ndërsa korteu i viktimave të dënuar me pushkatim po kalonte në Piacën për të shkuar tek vendi i ekzekutimit te Varrezat e Rrmajit, mes tyre kishte dalluar viganin Peng Cali, të munduar e të rraskapitur nga torturat e gjata e çnjerëzore të pësuara në hetuesi, të cilit i ishte rritur edhe mjekrra. Ndërsa është duke kaluar, dy çlirimtarë e ndalojnë për ta poshtëruar. E ulin për tokë. Një partizane hyri në një berberhane që gjendej aty pranë, thotë zoti Korça, e mori një brisk rroje. Atëherë, luftëtarja e lirisë, filloi t’ia priste me brisk mjekrën burrit në moshë, që i kishte duart e lidhura pas shpine e nuk mund të reagonte e as të ngrihej. I binin qimet në këmishë e bashkë me to edhe copa mishi të rrjepura dhe rrjedhje gjaku. Krejt këmisha iu mbulua me gjak.

Po a nuk është për guinesss fakti se për një qytet me vetëm 35.000 banorë, janë vënë në dispozicion tri ndërtesa për gjykatën ushtarake, sepse ka punë shumë, shumë dënime për t’u dhënë e sallat nuk mjaftojnë. Njëra tek shtepia e doktor Prelës, që nxirret jashtë e sikterriset në rrugë të madhe, si shumë të tjera. Kati poshtë përshtatet si sallë gjyqi, ndërsa sipër merr zyrë të tijën Mustafa Iliazi, kryetari i Gjykatës ushtarake, një partizan nga fshatrat e Tepelenës. Ai ka dhënë aq shumë dënime me vdekje në Shkodër! Zyrën tjetër, atë përballë, e merr Shaban Dautaj, sekretari i Gjykatës. Por një tjetër Gjykatë si godinë është edhe ajo që i merret pronarit të fabrikës së vaj-sapunit, zotit Tef Pogu, tek Dugajët e Reja. Është vendi ku do të jepen sa e sa dënime me vdekje. Sallë dënimesh e gjykatës ushtarake të qarkut ushtarak Shkodër bëhet edhe vetë Kuvendi i fretërve françeskanë, të cilët, të nxjerrë jashtë për shkak të akuzës për futjen e armëve në kishë, përzehen. Merret gjithë ajo ndërtesë gjigante dhe ajo që dikur ishte shtypshkonja, përshtatet si sallë gjykimi, ku, siç tregon At Zef Pllumi, u zhvillua gjyqi i të dënuarve për futjen e armëve në kishë e ku u dhanë tri dënime me vdekje, shumë dënime me burgim të përjetshëm e shumë dënime të tjera.
Nëse Qarku Shkodër por edhe Bashkia Shkodër do t’i hynin një pune kërkimore, duhet të përdorin anketën, pyetësorin, për të gjithë këta aspekte që përmenda deri tani. Në rastin e çdo vuajtjeje e padrejtësie, besoj se gjyshat dhe prindërit janë treguar aq të kujdesshëm sa t’ua transmetojnë nipave dhimbjet e këta t’i kenë të ruajtura në kujtesë të gjitha.
Ja, po sjell një shembull. Vite më parë, në vitin 1995, një profesor i nderuar i universitetitt ë Shkodrës, zoti Simon Pepa, që nuk jeton më, një ditë, ndërsa po shkonte në shtëpi, nisi t’i shikonte shtëpitë e rrugicës së vet me një sy të veçantë. E filloi të numëronte se në këtë këtu, njëri ka bërë njëzet vite burg, në këtë këtu, tjetri shtatëmbëdhjetë vite burg, në këtë tjetrën, njëzet e dy vite burg, këtu ka një të pushkatuar. Dhe mblodhi, në ditët në vazhdim, informata të sakta për të gjitha ato familje që kishin vuajtur. Në një rrugicë të vetme, i dolën 417 vite burg e pesë pushkatime. Po sikur kjo metodë të aplikohej për të gjithë qytetin e Shkodrës? Do të dilnin shekuj e shekuj vitesh burg. Por unë dua të hedh këtu një propozim, që mund ta zbatojë shumë mirë Bashkia Shkodër. Si e mbajmë mend dikur, në vitet e rinisë tonë, regjimi e kishte mbushur qytetin me pllaka ku thuhej se këtu ka qenë një bazë e luftës nacional-çlirimtare; kështu propozoj që të vendosen pllaka me një ngjyrë të veçantë: këtu ka banuar filani, i cili është pushkatuar, këtu ka banuar filani, i cili bëri kaq vite burg, këtu një pllakë tjetër, ku tregon se në këtë vend ka jetuar një familje, e cila është internuar. Kjo shtëpia këtu u sekuestrua e u bë hetuesi, kjo këtu, u grabit e u bë banesë e hierarkëve të lartë. Dhe nëse pllaka do të kishte një ngjyrë të veçantë, të verdhë varak, apo blu, apo të kuqe, që bie në sy, jam i sigurt se e gjithë Shkodra do të ishte e mbushur plot me këso pllakash. E do të ishte një ndër qytetët më të veçanta të botës. Nuk di një tjetër që do të ishte i përngjashëm me të.
Prandaj, për të gjitha këto tema duhet ndërtuar një aerkeologjie historike. Kjo, sa më shpejt, sepse ka mbetur ende gjallë ndonjë dëshmitar. Arkeologjia shkencore ia ka dalë të rindërtojë qytetërime të varrosura mijëra vite më parë. Ne kemi mundësi të rindërtojmë, me anë të fakteve, dëshmive e objekteve, ngjarje të ndodhura jo shumë vite larg, por tani afër, e që kanë një vlerë unike dhe me kontributin e të gjithë atyre që dinë diçka e që janë vullnetmirë, mund të bëhet një gjë krejtësisht e veçantë, një model edhe për qytete të tjera të Shqipërisë, nëse do të duan të ndjekin shembullin e kësaj inisiative.
Por sot ne kemi mundësi edhe t’i njohim për fytyra bishat e asaj kohe, sikurse edhe martirët. Falë kompjuterizimit që ka bërë fototeka Marubi, vetëm të fusim emrin dhe aty i kemi. Pse kjo? Çuditërisht, të gjithë demonët kishin pasur mani të fryheshin e të krekoseshin para aparatit fotografik. Arkivi ka plot foto të këtyre sadistëve, që dalin në celuloid me pozat më të pështira e të neveritshme. Ia vlen një koleksion i tyre, me Zoi Themelin në krye, me Nestin, me Josifin, Vaskën, Lilo Zenelin, Xhemal Selimin, Fadil Kapisyzin, Çesk Shoshin, Aranitin e të tjerë, që nuk po humbas kohë këtu t’ përmend!
Po pse u zgjodh kjo zonë? Pse u projektua që të goditej Shkodra? Është e vërtetë ajo që ju keni thënë në fillim të përshkrimit në ftesën se Shkodra … po pse regjimi e përzgjodhi për ta goditur? Si ai boksieri që e vendos kundërshtarin në një cep të ringut dhe e gjuan pa mëshirë, edhe regjimi e vuri në shënjestër dhe e goditi në mënyrën më mizore! Sepse Shkodra dhe zona e saj përreth nuk e pranoi këtë pushtim shkatërrimtar, nuk e pranoi që dhunimi të quhej çlirim dhe u përpoq që në fillim të reagonte. Po, të reagonte, dhe ata as që e pranonin reagimin e Shkodrës! Për këtë këtë kam zgjedhur një krahasim: Vandenë. Shumë prej të pranishmëve këtu jam krejt i sigurtë se e dinë se për kë e kam fjalën: për atë krahinë në Francën Perëndimore që iu kundërvu revolucionit francez, që u ngrit me armë të mbronte institucionet, mbretin, lirinë e tyre, të drejtën e besimit që revolucioni ia shfuqizoi, dhe për këtë e pësoi rëndë. Protestuan kundër rritjes së taksave, kundër rekrutimit të burrave në ushtri, sepse revolucioni kishte hapur fronte lufte kudo me shtetet europiane dhe duheshin mbushur rradhët me ushtarë. Për të gjithë këto, ata kundërshtuan. Përgjigja nuk vonoi dhe erdhi. U përdor dhuna e tmerrshme, u kryen masakra mbi popullsinë e pa mbrojtur, u krye një gjenocid i mirëfilltë. Arkeologët francezë kanë vazhduar të zbulojnë varre masive, në gropa të përbashkëta, të grave të fëmijëve, të pleqve të varrosur, pasi i kishin pushkatuar e vrarë. Pak kohë më parë është zbuluar një e tillë.
Vandeja ka pasur, krahas revolucionarëve kriminelë, edhe një pendë të shkëlqyer që ka folur për të, një gjeni të padiskutueshëm të letërsisë botërore: Viktor Hygonë. E them këtë për të treguar se edhe mendjet më të ndritura, provojnë pështjellime të pabesueshme. Ja se çfarë thotë Hygoi, në librin e tij “Viti 93, ai i dashuruari me idetë e revolucionit francez, që kujtonte se socializmi ishte një zhvillim i tyre”. Çfarë t’i themi kësaj mendjeje gjeniale, që rrëzohet kaq keq?
Për t’ju përgjigjur, kam kërkuar ndihmën e gjeniut rus, Aleksandër Soxhenicin, çmimi Nobël për letërsinë në vitin 1970, autori i librit prej më shumë se 2000 faqesh “Arqipelagu Gualg” dhe “Pavioni i kancerozëve” si dhe autor i shumë faqeve studimi për komunizmin rus e atë botëror. Jam mbështetur në atë që ky kolos tha pikërisht për Vandenë, në vitin 1993, dy shekuj pas ngjarjeve, kur u thirr në Francë që të ishte i pranishëm në ngritjen e monumentit lartësuar në nderim të viktimave të revolucionit. E meqë idetë e këtij kolosit të fundit janë kaq të kundërta me ato të gjeniut francez, po i ballafaqojmë. Nuk kam frikë këtu të keqkuptohem, sepse vetë Hygoi, tek romani i tij “Të mjerët” thotë se: “vetëm të barabartët kanë të drejtë të gjykohen!”. Mendoj se Solxhenicin është më se i barabartë me Hygoin për nga gjenialiteti e fusha e letërsisë, por ia kalon si më fatkeq apo fatlum, sepse kaloi epokën e djallit, jo në tryezat e shkrimit, por në burgjet e tmerrshme, në Gulag. Hygoi hamendëson një lumturi të ardhshme e aspak të qartë, Solxhenicin dëshmon tmerrin e realitetit të përjetuar e zhgënjyes, kuptohet të socializmit. Ja se çfarë thotë rusi i madh. “Vandea është ajo zona e destinuar të bëhet viktimë nga një regjim vrastar, sepse mishëron më së miri atë që revolucioni urren: urrehet për vlerat që bart, për besimin që ka, për lirinë qe e ka të shenjtë e s’pranon t’ia prekin. Revolucioni i shtypi e i poshtëroi deri në fund fshatarët që iu kundërvunë!”.
“Çfarë solli revolucioni për vandeasit?” – vazhdon me pyetjen e tij çmimi Nobël. – “Vetëm shkatërrim, sepse çdo revolucion shpërthen në njerëzit instinktet e barbarisë më elementare, forcat e errëta të lakmive, të egërsisë e të urrejtjes. Këtë Vandeasit e kishin kuptuar shumë mirë e për këtë paguan një tribut të rëndë!” – përfundon ai.
“Koha moderne ia ka hequr aereolën që ia rrethonte kokën revolucionit francez. Duke medituar mbi fatkeqësitë, njerëzit kanë mbëritur në përfundimin se revolucionet shkatërrojnë karakterin organik të një shoqërie dhe rrjedhën e natyrshme të jetës. Revolucioni asgjëson elementet më të mirë të popullsisë, duke i lënë fushë të lirë veprimi më të këqijve e që, në vendet ku ai pllakos në përgjithësi, shkakton mijëra viktima. Në revolucionet përhapet frikshëm varfëria dhe ndodh një degradim i frikshëm i popullsisë!”.
Vetë fjala revolucion vjen nga latinishtja e do të thotë “kthim pas”, “kthim”, “një sprovë”, dhe në rastin më të mirë një përmbysje. Disa domethënie pak të lakmueshme. Vetëm një revolucion nuk mund të konsiderohet gjë me vlerë. Asnjë vendi nuk i duhet uruar një “revolucion i madh”. Revolucioni, kudo ku ka shpërthyer, e ka hedhur popullin e vendit të vet në humnerën e humbjes e të shkatërrimit. Sa shtrenjtë e paguan revolucionin vendet ku i trokiti në derë e i hyri brenda me forcë. E çfarë çmimi i paguam ne revolucionit tonë komunist!
Praktikat mizore te revolucionit francez i janë aplikuar edhe trupit të kombit tonë nga komunistët shqiptarë, vetëm se metodat e tyre kanë qenë ku e ku më mizore se ato të jakobinëve.
Vandea ishte një kryengritje e madhe me pasojë viktima të pafund. Rusia pati Vandenë e vet: kryengritjen e Tambovit në vitet 1920-1921, kryengritjet e Siberisë Perëndimore, të vitit 1921. Fshatarë me kosa në dorë që u ngritën në revoltë e dolën rrugëve të Tambovit, por u grinë nga mitralozët. Këto kryengritje u përsëritën për njëmbëdhjetë muaj rresht, edhe pse komunsitët i shtypën të gjitha, deri duke përdorur avionët për bomabrdime e hedhje gazi helmues e tanket, duke gjuajtur njerëz e shtëpi pa dallim, duke marrë peng familjarët e kryengritësve. Rezistencë bënë edhe kozakët e Uraleve, të Donit, të Kubanit, të Terskut, por qe një rezistencë e mbytur në gjak. Vandea u përsërit në Poloni, në Krakovi dhe në Dansk; Vandenë e vet e pati Hungaria në ngjarjet e revoltës së vitit 1956; Vandea e Gjermanisë Lindore ndodhi në vitin 1948, por u gri nga mitralozët. Vandea u përsërit edhe në Rumani, në Siubi e në Timoshoara. Edhe shqiptarët e Kosovës, që në fillim, në vitin 1944 -1945 patën Vandenë e tyre plot gjak e krime. Vandea u përsërit kudo. Nuk ka vend ku ka pllakosur komunizmi që nuk ka Vandenë e vet.
Edhe ne shqiptaret kemi pasur Vandenë tonë. Krejt zona e Shkodrës dhe vetë qyteti krijuan Vandenë e tyre. Kryengritja e Preng Calit, e Llesh Marashit, kryengritja e Postribës, luftërat në male, Komiteti i maleve, grupet rinore të gjimnazistëve të ndryshëm, Bashkimi Shqiptar, Përpjekja Shqiptare e shumë të tjera, janë të gjithë elementë me ADN të përngjashme me Vandenë franceze. Të gjitha po si ajo mbyten në gjak, dënohen me pushkatime, kalben në burgje, sakatohen në masa drakoniane. Të gjitha me akuzën e ultët: jeni reaksionarë. Po çfarë do të thotë reaksionar? Re-action. Pra ta kthejnë veprimin pas në kohë, të korrigjojnë veprimet e kryera, të shërojnë institucionet, me qëllim një efekt pozitiv mbi shoqërinë. Pra, si në përpjekjen vandease të gjitha ishin përpjekje për të çuar në vend drejtësinë e nëpërkëmbur, kur ata një forcë e errët i ka përdhosur. “Reaksioni” – thotë Solxhenicin, – “bart një shenjtëri të madhe veprimi. Është drejtësia që ka rënë poshtë i i duhet dhënë një dorë për ta ngritur në këmbë”.
Sa mirë do të ishte sikur edhe në Shkodër të ngrihej një monument i madh, ku të përkujtoheshin të gjitha grupet sudentore të gjimnazit, të rinjtë e panumërt që trimërisht dhe heroikisht, kontribuan në një rezistencë të një reaksioni të tillë, viktimat e pafaj, martirët, klerikët, qëndrestarët, vandeasit tonë.
Të bëjmë tani një hap para e të bëjmë pyetjen: kë sulmon revolucioni? Cilët janë kundërshtarët e tij? Përgjigja më e mirë është në rreshtat e fillimit të ftesës: ata njerëz që ky qytet pati e që mishëronin vlera.
Nuk duhet të harrojmë kurrë se revolucioni turret me tërbim kundër besimit në Zotin. Ateizmi është një tipar konstant i tij, kudo. Një intelektual francez, që gjendej në Kinë, në vitet kur komunistët po bëheshin gati të merrnin pushtetin, mori vesh se krahas teorisë revolucionare marksiste-leniniste të marrjes së pushtetit me forcë, maoistët mësonin edhe teorinë e Darvinit. Atij i kishte bërë një përshtypje të madhe fakti se kishin më shumë krenari të quheshin bijtë e majmunit, sesa bijtë e Zotit!
Po pse këto masakra janë në një shkallë kaq të madhe, pse kryhen në një numër kaq të madh? Pse është nevoja për kaq shumë viktima? Merrni personazhet më të poshtër të letërsisë botërore, kujtoni Jagon intrignat, që çon njerëzit në vrasje, mos harroni Makbethin me të shoqen, kujtohuni për Danten me Ferrin e tij. Jago është vetëm një maskara, Makbethi një kriminel. Viktimat e tij janë disa, nuk bëhen as dhjetë. Atë e shtyn frika të bëhet kriminel se i trembet humbjes së fronin. Por krimet e tija janë fëmijënore, djajtë e Ferrit të Dantes janë engjej të rënë, që sorollaten në zgafellat e errëta e që Dantja e Virgjili i shohin se fluturojnë mbi kokat e tyre, pa i bërë vizitorëve specialë asnjë dëm. Këta kulme të negativitetit të mishëruar në figura artistike, janë çiliminj kopshtesh po t’i krahasosh me atë që shkaktuan çlirimtarët tanë të ardhur në pushtet. Po pse pra këta janë të tillë, që planifikojnë deri në 14.000 arrestime e kërkojnë 4000 pushkatime për vetëm një zonë e një qytet? Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një intrigë dashurie ku të shërbejë Jago, e nuk bëhet fjalë për një mbret që përpiqet të ruajë karrigen e vet e t’i duhet të eliminojë rivalin, por është diçka tjetër, më e tmerrshme: është ideologjia. Ajo është bomba atomike, me shtrije të gjërë veprimi e me valë goditëse rrënuese, me forcën më mashtruse të pretendimit se po bën drejtësinë.
Zbatuesit e ideologjisë as që përpiqen ta fshehin të keqen, ta justifikojnë atë, por krenarisht e kryejnë dhe mburren për këtë, duke e quajtur krimin fitore. Ata kujtojnë se po realizojnë një shërbim të madh. Prandaj mburrja është pjesë e psikologjisë së tyre, pafytyrësia është virtyti me të cilin krenohen. Ky është komunizmi, një tentativë e vrazhdë për ta shpjeguar shoqërinë. Dhe si kirurgu që, në vend që të përdorë një bisturi delikate për një ndërhyrje, komunizmi përdor një sopatë kasapi. E gjithë ajo që është më delikate në psikologjinë e një njeriu dhe në strukturën e një organizmi kompleks, e redukton në vetëm procesin ekonomik. Qenia njerëzore është vetëm materie. Është karakteristike sesi komunizmi ka aq pak argumente. Atëherë për të janë nuk ia vlejnë teoritë e sofistikuara, por të vlefshëm janë vetëm shkopi, burgu, kampi i intenimit.
Komunizmi e ka pranuar vetë se refuzon çdo konceptim moral absolut. Gajaset me idenë e të mirës e të keqes si kategori të padiskutueshme. Për komunizmin, morali është relativ, është morali i klasës ai që vlen e duhet ndjekur vetëm ai. Edhe vrasja, po, po, edhe vrasja, vrasja e qindra e mijëra njerëzve, mund të konsiderohet një gjë e mirë, sipas situatës politike. Varet nga ideologjia e klasës. Po kush është ai që e përcakton këtë ideologji të klasës? Përgjigja është e thjeshtë. Klasa mbarë, klasa punëtore dhe fshatarësia. Po klasa mbarë, klasa punëtorë fshatarësia nuk mund të bëhen bashkë e të vijnë në takim që të gjykojnë se çfarë është e mirë apo e keqe. E atëherë, si ta zgjidhim? Kuptohet, do të jetë një grup i vogël ai që do ta vendosë, pikërisht si deputetët që janë të deleguarit e një populli mbarë. Janë këta përfaqësues që vendosin kë të mbajnë në jetë e këtë të dërgojnë në varr. Një pakicë merr atributet të vendosë për shumicën. Është partia, aristokracia e vendimarrjes. Krimet e një pakice marrin justifikimin demoniak se janë bërë për të mirën e një shumice të madhe, shumë të madhe.
Ja pra ku vijmë. Ai vendimi i grupit të vogël – që pretendon se është mendja dhe zemra e Klasës Punëtore, që vendos kë të mbajë në jetë e kë të çojë në varr, – ai vendim merret në emër të disa ideve. Këta ide grupimi i shndërron në ideologji. Ideologjia justifikon të keqen, i jep statusin e një gjëje të drejtë. Ishte ideologjia ajo që e sulmoi Shkodrën. Ajo vlerësoi se trupit të saj shoqëror i duheshin hedhur në varr 4000 veta dhe në burgje 14.000 të tjerë. Po si ia bëri zemra? E thamë sepse ideologjia krijon genocidin në emër të ideve të mëdha. “Duhet ndërtuar bota e re!” – urdhëronte Enver Hoxha. “Duhet pastruar zona dhe qyteti!” – përgjigjej Shefqet Peci! Qëllime shumë të mëdha! “Njeriu” – thotë Solxhenicin, – “për ta bërë të keqen, duhet ta ndjejë si një veprim të ligjshëm e të menduar mirë”. Natyra njerëzore kërkon një justifikim të veprimeve që do të kryejë. Ideologjia është justifikimi i së keqes. Frika e Makbethit se po humbet fronin është shumë egoiste, e vogël, qesharake. Ideologjia të zgjidh punë. Ajo jo vetem që nuk të bën të ndjehesh fajtor, por të garanton se je në shërbim të popullit. Por ajo kërkon zemërgurët, keqbërësit. Ideologjia madje na siguron edhe lëvdata. Sepse i shërbehet një mase shumë të madhe: klasës. Nazistët me racën, jakobinët me idetë e revolucionit dhe komunistët me drejtësinë e diktaturës së proletariatit kujtojnë se po i shërbejnë kombit atëherë, dhe brezave pasardhës në të ardhmen. Prandaj, në shekullin e njëzetë, ishte ideologjia ajo që veproi mbi masa të mëdha e krijoi një milona viktima në njerëz.
Keqbërja është e padiskutueshme. A mund të themi se keqbërësit nuk ekzistojnë? Kush i asgjësoi njerëzit e pafajshëm? Maskarenjtë, kriminelët, keqbërësit. Pa ta regjimi nuk do të kishte ekzistuar. Nuk mund të kuptohet komunizmi pa mizorinë e Enver Hoxhës, pa hipokritët kriminelë anëtarë të Byrosë Politike, pa drejtorët e burgjeve, pa hetuesit sadistë, pa policët e pamëshirshëm të birucave, pa gjykatësit e pazemër e sa e sa të tjerë. Po në Shkodër, sa shumë emra mund të gjejmë? Të gjithë masakrenj të rexhur e njëzetekatër karatçë. Pse u gjenden në këto pozita? Sepse të poshtërit i thirri koha. Jo më kot Enver Hoxha kërkonte për Seksionin e Mbrojtjes se Popullit, që në dhjetor të vitit 1944, që të mobilizoheshin njerëz pa shkolla, mundësisht pa asnjë formin, pra kuptohet, të poshtër, çerdhe të padijes që lehtësisht vihen në shërbim të krimit.
Po kush i bën ballë komunizmit? Kush e mund atë, sepse ne e pamë të rrëzuar, të mundur e të marrë zvarrë! Komunizmi, me gjithë agresivitetin e tij të paimagjinueshëm, ka një pikë të dobët, ka themrën e tij të Akilit: ai tërhiqet vetëm po gjeti edhe një vullnet të pamposhtur, të edhe vetëm një individi. Kur një njeri vendos të qëndrojë deri në fund, pa pasur frikë për jetën tij, komunizmi këtu tregon dobësinë tij. Pse? Sepse nuk mund ta mposhtë atë, edhe nëse e vret. Përpara këtij njeriu, komunizmi është i thyer. E kur kujton se këta vullnete, ndërsa shkonin të vriteshin, këndonin e kur gjendeshin para skuadrave të pushkatimit, i falnin armiqtë e tyre, ata që i kishin arrestuar, masakruar, dënuar e tani që po i vrisnin. Përpara tipave të tillë, komunizmi është i mbaruar. Prandaj, duhej marrë një qëndrim, një vendim, jo një pozë: viktima duhet të bëhej gati për sakrificën. Këta e sfiduan komunizmin, këta i vunë kazmën, këta ia rrëzuan muret kështjellës së tij. Jam shumë i sigurt se edhe nga Shkodra e jonë këta tipa e kanë sfiduar komunizmin, e kanë çarmatosurs, ia kanë hequr fuqinë goditëse, e kanë poshtëruar. Komunizmi ka rënë prej këtyre. Këta janë heronjtë që e rrëzuan, jo në vitin 1990, por shumë vite më parë, pikërisht në ditën që vendosën ta refuzonin atë. Dhe e refuzonin jo vetëm për fuqinë e ideve që kishin, por edhe për arsye të virtytit të besimit në Zotit. Prandaj, komunizmi e ka frikë të madhe besimin në Zot, sepse vetëm ky besim i jep forcë viktimave të qëndrojnë.
Një personazh i Solxhenicin në librin e tij Arqipelagu Gulak i vë në gojë këto fjalë: “ju jeni të fortë deri sa i hiqni njeriut gjithçka. Por këtij njeriu që i keni hequr çdo gjë, ai nuk është më në duart tuaja, ai është i lirë, sepse e ka kuptuar se nuk është vetëm, nuk është zot i jetës së tij, nuk është krijues i saj: ai e ka një Krijues!”. Duhet ta themi se njerëz, falë kësaj bindjeje, e kanë kuptuar se nuk mund të jenë skellëver të asgjëje në këtë botë, as të dëshirave të tyre , as të pushtetit, e prandaj rezistojnë. Ky përcëllim u jep këtyre tipave një “un” të fortë e të qëndrueshëm në të gjitha rrethanat. Në komunizmin nuk ka vend për rastin. Ai nuk ekziston, përkundrazi, ka shenja që duhet t’i kuptosh e t’i ndjekësh. Ne jemi thirrur për gjëra të mëdha, sepse jemi të thirrur ta endim jetën tonë në liri. Njerëzve të tillë mund t’ua marrësh jetën, por ata mund t’a çarmatosin xhelatin duke ua bërë dhuratë qenien e tyre. Kjo sakificë e jetës ka një domethenie shumë më të madhe se mirëqenia e prestigji shoqëror. Këta njerëz kanë njohur e pranuar në thellësitë e tyre një Zot, prej të cilit e presin shpëtimin dhe ndihmën. Kur krijesa mbërrin këtu, ajo ka kaluar shumë shtigje e labirinthe të dhimshme e pas kësaj rrugë të mundishme, e pret vetëm kapërcimi solemn i dhimbjes dhe poshtërimit. Këtu ai merr statusin e martirit, që është shprehja më e lartë e dinjitetit të qenies njerëzore. Jam shumë i sigurtë se qyteti i Shkdorës dhe zona kanë nxjerë shumë prej këtyre kolosëve dinjitarë martirë.
Po kush ishin këta kundërshtarët e komunizmit? Ata janë intelektualët, të ndershmit, të diturit, klerikët, këtyre njerëzve, arti u detyrohet shumë, letërsia shqipe u ka borxhe. Ajo do të kryente një shërbim tepër të madh, nëse do t’i kthente në figura artistike. Ai art që ka në qendër martirin, është misionar. Dhimbja që të çon në sakrificën sublime e pasqyruar në art, është forca më e madhe shprehëse e bukurisë.
Ky art mungoi dhe fatkeqësisht, mungon edhe sot. Edhe pse në liri, shkrimtarët tanë të papenguar mund të ulen e t’i hedhin në letër ngjarjet e heronjve. Ata na kërkojnë, ata na thërrasin, atyre u kemi borxh shumë. U kemi borxh shembullin që na dhanë, forcën e qëndresës që na transmetuan, idetë që na i përçuan, moralin e tyre të lartë, që e ngritën në standard.
Ata janë edhe familarët që kur e panë se iu mbyll rruga e përcjelljes së vlerave në liri, i trasmetuan me anë të familjes. Sepse, këtu vjen e natyrshme pyetja: kush e shpëtoi shpirtin e këtij qyteti e të kësaj zone? Kush u doli në mbrojtje, kur çdo burim drite iu pre e kur errësira e sulmoi? Vetëm familja. Ajo iu kundërvu një regjimi të tërë, një sistemi. Familja! E shumtë në numër, ajo u bë Universiteti pa rektorat, pa seli, pa salla leksionesh, pa biblioteka, pa profesorë të njohur, pa asgjë! Familja e shpërndarë dhe e përhapur rrugë më rrugë e lagje për lagje. Ajo mori detyrën unike e të papërsëritshme më parë në histori: vaksinoi individin, mbrojti krijesën e saj. Ajo mori detyrën e të folurit, jo nga katedra e shkollës, por nga dhoma e mbyllur shtëpiake, larg çdo veshi kurreshtar e të rrezikshëm. Ajo thoshte: “mos, kujdes, mos bashkëpuno, mos fol, mos u dorëzo, mos trego, mos i beso, mos i duaj, mos të kesh hezitim, mos ushqe iluzione!”. Këto fjalë të thëna në formë ftese dhe urdhi, mësimi dhe kërkeses, çdo ditë, shumë herë në ditë, në shumë shtëpi, në shumë lagje, përsëritje pa fund, ky ishte ushqimi mbrojtës.
Prandaj, më shumë me mirënjohje sesa me mburrje, duhet të themi se takime të tilla zhvillohen në këtë qytet dhe mungojnë tërësisht në zona të tjera të vendit. Familja atje nuk foli. Edhe nëse foli, ishin shumë të pakta mendjet që e njihnin të vërtetën, gojët me kurajë, veshët e vëmendshëm. Prandaj, ky vend vuan, sepse familja nuk ka folur, nuk ka mbrojtur, nuk ka vaksinuar. Dhe kemi edhe sot, masa që enden sa andej këndej, njerëz që shiten për një vend pune, njerëz që shesin votën. Prandaj liria edhe sot vonon të ndjehet si nevojë, prandaj bëhet kompromis me uzurpatoret e djeshëm që kanë ndërruar emrat, ka çoroditje të idealeve, tradhti nga më të ultat politike me pasojë poshtërimin personal, sa qesharak aq edhe dramatike. Sepse masa të tëra janë pa tharmin, pa vitaminat, pa forcën. Janë individët pa ato “mos” -ët e përshpëritura miliona herë në Shkosër. Por a mos dua të them me këtë se jemi vetëm? Jo, sepse kjo e jona është një lloj vetmie që nuk na dëshpëron, por na nderon, më mirë të thuash. Lartësia për t’u arritur është gjë e madhe, me pasojë se, kur mbërrin lart, gjendesh vetëm. Një vetmi fisnike.
Çfarë fati që Shqipëria ka një qytet me këtë Universitet të veçantë, mësimet e të cilës nuk plaken dhe tharmi i saj nuk vjetërohet. Ka ruajtur një rini të magjishme. Familja nuk pati libra konservatorizmi të filozofisë që të ofronte, leksione të shkencave politike të demokracisë e të kartave themelore të lirive të njeriut, por vetëm këto pilula të vogla, të përditshme dhe shumë potente. Mendimet e Shkodrës, për virtyt të këtyre leksioneve, të dhëna kohë më parë e të shumta në numër, të ngulitura thellë deri në nënvetëdijen e brezave liridashës e të përcjellë tashmë edhe brezave të tjerë që vijnë, janë mendimet e Shqipërisë, asaj që duhet të jetë, asaj të së ardhmes. Prandaj, kësaj familjeje, këtyre familjeve në shumës, u detyrohet i gjithë vendi. Varet se kur do të zgjohen nga gjumi e ta kuptojnë.
Prandaj, jam i mendimit se në “Librin e Zi të Komunizmit Shkodran” të shkruhet një faqe e bardhë për familjen. Ajo ka kryer një shërbim tepër të madh e këtë nuk duhet ta harrojmë. Ajo e ka kryer me sukses të plotë këtë mision: lindjen, rritjen, formimin dhe shpëtimin e individit të qytetit tonë. Merita e saj është e padiskutueshme. Mirënjohja e jonë është e domosdoshme.


Burimi/Facebook/Filip Guraziu