Si sot 12 vjet nderroi jete Frati ynë i Dashtun Amroz Martini, ofm.

0
35

Zef (Ambroz) Martini leu me 2 dhetuer 1928 në Okol të Thethit, dioqeza e Pultit, në familjen e Martin Ndokës e të Lulë Bales. Hyni ndër fretën me 17 shtator 1938. Me 1926 veshi zhgunin françeskan. Me 1944 ishte novic. Në kallnduer 1947, ushtar. Me 26 korrik 1948 u arratis në Jugosllavi, së bashku me Fra Vlash (Lin) Delinë, me motrën stigmatine, Orsolinen e vëllaun, Palin. Kohët e para të arratisë i kaloi në Vitomiricë (afër Pejet), së bashku me Atë Daniel Gjeçajn e grupin e malësorëve të arratisun së bashku me tê. Në vjetët 1949-1951 ndoq Fakultetin e Arteve të Bukura, pranë Universitetit të Herceg Novit, për të shërbye, mandej, një vit si profesor në Vladimir (Ana e Malit). Me 1953-55 studjoi letërsi klasike në Universitetin e Beogradit.
Më 12 kallnduer 1955, së bashku me një grup klerikësh e shekullarësh, hyni në Itali. U vendos në Firence-Fiezole ku, më 23 marc 1957, mbasi kishte plotësue studimet teologjike, bani kushtet e përhershme rregulltare. U shugurue meshtar me 29 qershuer 1957, në Fiezole, në duert e imzot Ferronit.Vijoi, ndërkaq, studimet në fakultetin e letërsisë moderne, pranë Universitetit të Firences.
Me 1964, në kulmin e emigracionit, u vendos në kuvendin françeskan romak të Shën Pjetrit në Montorio, së bashku me Atë Daniel Gjeçajn. Nisi, kështu, shërbimin e kapelanit për mërgimtarët, të cilët i ndoq në San Francisco (SHBA) më 16 kallndur 1970; në Bruksel, me 2 tetuer 1974; në Montecatini (Itali) me 6 kallnduer 1999. Me 1983 mori nenshtetësinë belge. U rikthye për herë të parë në Shqipni me 24 prill 1993, për të ndjekë vizitën e Gjon Palit II. Vendosi të mos largohej ma prej Provincës, ku kishte nisë jetën rregulltare. Deri më 2006 shërbeu në Kuvendin e Arrës së Madhe, pranë Kishës së Zojës Rruzare; prej këtij viti e deri sa vdiq, në Kuvendin françeskan të Shën Françeskut, në Gjuhadol, ku kreu shtegtimin tokësuer më 4 fruer 2010, në orën 2.40.
La mbas disa piktura, sidomos grafika, ndermjet të cilave, portretin e Atë Bernardin Palajt e një autoportret, si dhe një pjesë të letërshkëmbimit me Atë Daniel Gjeçajn, me vlerë të madhe njohëse e, jo ma pak, artistike, me stil tejet origjinal, që e radhit përkrah Atë Bernardin Palajt.

Burimi/Facebook/Shtegtimi Toka e Shenjte