Si u katandisa në njeri pa vlera

0
204

Jam një mesogrua.

Dua të jem anonime për faktin se në qytetin ku banoj

njihem si parja e kuqe.

E pata të vështirë të merrja guximin të shkruaja këtë histori për faktin se ka të bëjë me një çështje të ndjeshme, aq më tepër me jetën time private, por kam besim se lexuesi juaj i nderuar do të më falë. S’kisha mënyrë e mundësi tjetër për të ngushëlluar sadopak veten për këtë përfundim tragjik që pati jeta ime. Në vitin 1958, erdhëm nga një fshat i Malësisë së Madhe në qytetin ku unë banoj. Pasi mbarova shkollën fillore, fillova gjimnazin, por për fatin tim të keq, pasi mbarova vitin e dytë, rashë në dashuri me një djalë më të madh në moshë, i cili më premtoi martesë dhe pa ditur se ç’po bëja, unë u dashurova marrëzisht me të. Pa u zgjatur shumë, po ju them se nisa edhe marrëdhënie intime me të. Ai tani më përdorte si gruan e tij. Pasi realizoi ç’deshi, pas disa kohësh më lajmëroi të mos mbaja më shpresë për martesë se prindërit e tij e paskëshin fejuar me një vajzë dhe ai s’kishte rrugë tjetër, vetëm të merrte atë. Ai do të më kishte vetëm të dashur. Qaja si e çmendur dhe u ndjeva tepër e trishtuar, e shokuar, por s’pata fare kurajo ta braktisja se e doja. Ishte dashuria ime e parë. Lashë gjimnazin dhe, si e papunë që isha, shtova xhirot dhe nisa të vija vonë në shtëpi, duke e kaluar kohën më të madhe me të dashurin, pa e kuptuar ç’po bëja. Në ato vite, bije në sy në lagje dhe bëheshe problem, ndaj ruhesha të mos bija në sy. Po bëja një kohë të gjatë në dashuri me të dashurin, kur vuar re njëfarë ftohjeje ndaj meje; ai s’kishte më atë pasionin e mëparshëm, më gënjente, nuk vinte në takime, më thoshte lloj-lloj justifikimesh. Një ditë të bukur më paralajmëroi se do të priste çdo marrëdhënie e kontakt që kishte me mua dhe kjo gjë më tmerroi edhe më shumë. M’u duk se tani humba gjithçka dhe jetoja pa shpresë. Si e papunë, bëra kërkesë në këshillin e lagjes dhe ai më sistemoi në punë në Fabrikën e Duhanit.

Pas njëfarë kohe, po më vardisej një shok i punës. Si me magji, rashë në dashuri me të. Ai ishte i martuar dhe pretendonte se me të shoqen kishin konflikte e do të ndahej prej saj. Pasi kaluam disa kohë me dashuri, ai më bëri presion të kryeja marrëdhënie me një shokun e tij, për faktin se ai s’kishte asnjë mundësi të ndahej me të shoqen se e kërcënonin njerëzit e saj me vdekje. E trazuar në ndërgjegje dhe e tronditur, humba personalitetin dhe nuk isha më vetja sepse kalova dorë më dorë, herë me njërin, herë me tjetrin. Tani fillova të merrja edhe shpërblimin, shqip, fillova të shisja trupin tim. Ndonëse shoqet e mia ishin bërë nëna e gjyshe, unë vazhdoja rrugën e pisët si e përdalë. Tashmë, isha kthyer në një njeri pa vlera dhe, ndonëse e kuptoja, s’kisha vullnetin e forcën t’i thoja “ndal” vetes. Prindërit më kishin fëmijë të vetëm, ishin të dhënë pas meje dhe besonin tek unë verbërisht, por edhe ishin liberalë prej natyre. Kjo ishte edhe një prej shkaqeve pse përfundova këtu ku isha. Ata s’donin të dinin ku shkoja e nga vija, në vija vonë apo s’vija fare në shtëpi. Verbëria e tyre kishte arritur deri atje sa, edhe nëse çoja njërin në shtëpi dhe flija me të, mos e dhëntë Zoti të shqetësoheshin për këtë. Të ndjerët ishin aq naivë sa çdo sjellje e veprim i imi u dukej normal dhe s’kishin asnjë reagim si prindër. Lashë punën dhe kjo ishte fatale, pasi humba çdo mënyrë jetese. Ç’të bëja? Vazhdoja zanatin herë me njërin, herë me tjetrin.

M’u sëmuren prindërit dhe pas një periudhe tremujore i humba të dy, nënë e baba. Ata shkuan në botën tjetër duke më lënë mua të vetmuar dhe të tmerruar. Tani vazhdoja zanatin, pa e vrarë mendjen, por pa e ndjerë, bashkë me moshën, po më ikte edhe freskia, s’po ma varte më njeri. Tani unë isha një kartë e djegur; sa vinte e jeta po më bëhej më e vështirë. S’kisha mjete jetese. Njihesha si femër tipike edhe kur dilja në xhiro, njerëzit pëshpërisnin për mua: “Kjo u fishk fare, skadoi”, më shikonin me përbuzje edhe ata që kishin patur marrëdhënie me mua. Mosha ime tani është e tillë që s’ma ka njeri nevojën. Pamjes time tani kam filluar t’ia zënë vendin rrudhat, thinjat, shëmtimet, mosvlerësimi, harresa. E kam njohur gabimin, por tani është vonë; koha e kaluar nuk kthehet. Këtu më solli jeta e shthurur. Pa dashur të hiqem si e moralshme, u bëj thirrje të rejave të sotme të mos bien pre e qejfeve të tepruara, viktima të së keqes. Zoti një jetë ka dhënë dhe ajo mendoj se duhet trajtuar si duhet; ta kthesh në favorin tënd. E kaluara nuk kthehet. Unë tani bëj një jetë të mjeruar, të vështirë, pa shpresë, pa të ardhme. Jetoj me një ndihmë ekonomike sa për të mbajtur shpirtin gjallë, ndjehem tepër e vetmuar dhe e përbuzur tani, se shoh që po vuaj gabimet e papjekurisë në rini pa objektiv. Tani, në këtë moshë, po paguaj gjynahet e rinisë. E shoh se tani jam vetëm një njeri pa vlerë që asnjeri s’ma var, por është vonë; koha nuk kthehet më.

Burimi/intervista.al/web/