SIRTARI ME QINDARKA

0
29

Kam njohur njerëz shumë bujarë (xhymerta) në jetën time. Shumë! Zoti ia shtoftë sa më shumë këtyre njerëzve, që dinë të japin dhe s’e bojn zemrën komç. Por, si më xhymerti i mbi të gjithëve në memorien time mbetet daja im i madhi, Jusuf Tufina (Sufi). Fati i keq e deshti, që një shpirt i lirë dhe rebel si ai, një danoç që su servilos asnjëherë dhe nuk u shit kurrë tek kauzat e delenxhilerëve të kohërave të ndryshme, të lindte në një Shqipëri të burgosur, mbi të gjitha burgosur mendërisht. Biografia e keqe (anti-komuniste) e familjes, inskenimet, burgimet (ai, babai, gjyshi, farefisi), spiunllëqet etj nuk iu ndanë. Nuk jetoi gjatë dhe kaloi shumë peripecira në jetë, shumë të pamerituara dhe të keqkuptuara, por e kam të gdhendur si njeriun më xhymert që kam njohur në Shqipëri. Shpirti i bardh bujar, që su përlye kurrë me kriminelët me të cilët i ra të jetonte, edhe pse shokë fëmirie kishte tipa si Fatos Nano, i cili shpesh i thoshte: “Ec Sufo se do ja shofësh hajrin!”. Ai prap su përly! Ka lënë kujtime tek unë të një njeriu, që po të kishte jetuar në një vend normal do t’kishte patur një jetë krejt tjetër mjaft më të bukur, pa aq shumë brenga e mëkate, si dhe pa mëdyshje do t’ishte një mega milionier. Por, jeta i kishte ruajtur të tjera surpriza, sepse ai thjesht u lodh. U lodh nga ambienti, u lodh me jetën. Në rini luajti sport tek Tirona bardhelbu. Mësoi dhe zanatin e vjetër të sahatçillikut trashëguar në familje prej brezash. Kërcente në mënyrë perfekte vallet e burrave të Shqipërisë se Mesme. Këndonte e nuk ndalej bashk me djemt e dajave të tij, Medi & Pajtim Struga. A kishte kong që s’ta kapte aty për aty. Por, ishte kulak, e kulaku s’meritonte shkollë, shumë e kishte dhe gjimnazin kulaku. Pushimet e përvitshme sa në Patok e në Golem me dajën dhe lumturia që sillte tek ne fëmitë me bujarinë e tij, i kam të ngulitura përgjithmonë. Deri në Amerikën e largët më ka rastis shumë herë të takoj shqiptarë që as i njoh e as më njohin, por kam dëgjuar histori të shumta për bujarinë e tij për të ndihmuar nevojtarët, si edhe aftësia për të ndihmuar njerëzit në situata krejt të dëshpëruara, ku papritmas ai do t’i jepte zgjidhje. Histori që tek unë forcuan mendimin dhe kujtimin që kisha për dajën tim.
Mbasi erdh’ “demokracia” (i thonçin demokraci) pati hapur një dyqan të vogël ku ushtronte zanatin. Unë isha e vogël dhe rruga për në shtëpi mbas shkolle as më binte fare andeja nga dyqani dajës. E megjithatë, pothuajse javë për javë, unë bëja sikur më binte rruga. Ai më shikonte nga tavolina e tij dhe përtej dritares ma bënte me dorë të hyja brenda. Rrinte gjithmonë i tejmbushur ai ambient, rrethuar me karrige përgjatë mureve sepse aq shumë njerëz vinin. Qefi i parë që ndjeja ishte se sa hyja midis atyre njerëzve më thoshte me krahun hapur duke heq lupën nga syri: “Hajde goca dajës. Si e ke babën?” Një respekt i tepruar për tim atë, që nuk iu sos deri sa iku në amshim. Ai 15 sekondësh që kaloja duke ecur midis gjithë atyre syve që më ndiqnin ishte dhe fama ime. Mbrapa tavolinës së tij kishte me dhjetra e dhjetra vegla. “M’ra rruga kot knej.” Ai qeshte sepse e dinte shumë mirë pse shkoja unë. Më jepte pare, dhe jo sa me la gojën, por një shumë të kënaqshme, ashtu më dukej në atë moshë, pasuri më dukej. Unë që e kuptoja se ai ma kishte ble “hilen” filloja me pyetjet e mia. “Daje, ça bo kjo vegla? Po kjo?” Dhe s’lija gjë pa prekur. Pasi rrija një cop herë duke dëgjuar biseda të zjarrta midis burrave për tema që shumë as i kuptoja. Shikoja se si ai punonte me kokën mbi ato qindra ingranazhe që një zot e di si i qendiste një mbas një dhe zemreku veç kur fillonte tik-takun, asokohe unë deklaroja si me trishtim… “Jom tu shku daje, kot erdha sa me të pa.” E përqafoja dhe boja me ik. Ai më kapte nga dora lehtë, hapte një sirtar të vogël pak mbi prenin e tij, mbushur me lekë metalike dhe mi fuste tek grushti i dorës së vogël. “Shko ke mami tashi vrap pa u qell, e mos nalo kun!” Ashtu veproja, mezi prisja të shkoja t’i thoja mamit e të shikoja sa m’kishte ra llotaria e rradhës. Mbas disa vitesh, mora vesh se s’isha fëmia i vetëm nga fisi që boja këtë “marifet” tek daja. Vohnë e kuptova funksionin e sirtarit me qindarka.

Nga Marsida T Najdeni

Dinastia Tufina ne kete foto

Burimi/Facebook/GEGNISHT/Denata Rroji