” SKA PAQË ME STANDARDIN PA U KTHYE PASKAJORJA” KTHIM PREJ VDEKJES PËR ME DËSHMUE

0
131

Nga Filip Guraziu
Me të drejt, titulli i këtij shkrimi, lexuesit mund ti duket fantazi, por shpresoj se mbas leximit dhe njohjes me dëshminë e jetës së Z. Gjek Beqi ka me ndrrue mendim!
Gjek Beqi, biri i familjes së Marash Beqit, u rrit nën dhunën e ” luftës imorale të klasave” si biri i kulakut dhe nipi a i dy axhave; Gjeto Mark Beqit, i vramë në tentativë arratisje tue kalue lumin Buna me 7 Tetor 1954 dhe Nikë Zef Beqit i vdekun në burgun e Burrelit, mbas dy vjetve në Hetuesi Speciale, në vjetin 1965 ( gjatë vuejtjes së dënimit prej 12 vjetve për agjitacion e propogandë).
Mosha e re, energjia, entuziazmi e dëshira për me përparue në jetë, pamvarsisht ” dhunës së diktaturës” i dhanë forcë Gjek Beqit me përballue vështirsitë e me krye me sukses arsimin e mesëm tue marrë Diplomen e Maturës në vitin 1976 në Shkollën ” Jordan Misja”, Shkodër “. Si të gjithë, maturantat e asaj kohe, së bashku me shokët e klasës u dërgue në terren për me krye ” stazhin në prodhim”, në Hidrocentralin e Fierzës. Atje jeta rrjedhte e qetë, marëdhaniet e mira me shoket e shkollës ishin të kënaqshme, entuziazmi rinor nuk përfillte vështirsitë e punës së përditshme, por…por…, ” syri vigjilent i sigurimit të shtetit nuk flinte”, por ndiqte hap mbas hapi armikun e klasës”, 19 vjeçarin Gjek Beqi edhe atje në terrenin e largët e të vështirë të punës në Hidrocentralin e Fierzës”. Nji ditë, shefi i kuadrit, “shoku” Hilmi Sheboja e thrret në zyrë dhe i komunikon largimin prej “stazhit studentor”, sepse pushteti i fshatit të Velipojës e kerkonte…? ( ishte pasoja e informacionit politik që organizata e partisë e Këshillit Popullor të Velipojës i kishtë çue shefit të kuadrit në Fierzë tue e klasifikue të riun 19 vjeçar, Gjek Beqin si element i deklasuem, pra pjestarë i shtresës armike të pushtetit popullor!
Fakti se shkruesi i këtyne rreshtave e ka provue në veten e tij ekperiencën diskrimininuese politike e mundëson me kuptue ma mirë se kushdo tjeter gjendjen e vështirë shpirtnore që pati përjetue i riu Gjek Beqi mbas përjashtimit prej ” stazhit” me pasojë edhe diskriminimin publik!
” E verteta ishte, shprehet sot Gjek Beqi, se ajo situatë më pat shokue dhe njikohësisht fye para shokëve të shkollës…! Mbas asaj dite, vazhdon ai, mendja e ime parashikonte dy rrugë për zgjidhje; arratisja prej Shqipnisë ose kthim në fshat si punëtor në kooperativë. Arratisja ishte zgjidhje personale e pëlqyeshme, por në dam të familjes që do të kishte mbi kurrizin e saj peshen e randë të ” luftës së klasace”, internim. poshtnim…etj., për të tanë jeten.! Dashunija për familjen fitoi mbi ” unin” tim, në këto kushte u ktheva në fshat .”
Vitet kaluen, jeta i krijoi mundësi banimi në Berat ku Gjeka martohet e fillon jetën bashkëshortore në nji barrakë. Kushtet e vështira ekonomike që kalonte, friga e represionit politik, herë mbas here i sillshin ndërmend mundsinë e jetesës në ” botën e lirë” ku nuk do të kishte ma ” luftë klasash”, e nji ditë në vitin 1987, vendosë me “shkue për vizitë” te kushrini i tij i afërm në Vermosh, me pozicion banimi afer vijës së kufinit me Jugollavinë. Mbasi mbrriti me marrë ( për fat ), “lejen kufitare” prej Degës Brëndshme të Beratit u nis për Vermosh e shkoi te shtëpia e kushrinit i cili e priti me shumë dashuni e i tha : se simbas rregullores së zonave kufitare ishin të detyruem me u paraqite te Posta e Kufinit së bashku me lejen për regjistrim. Kur komandanti i postës, Ndue Prendi lexoj lejen që i paraqiti Gjeka, iu drejtue me shpejtësi me këto fjalë: ” Djali i Marash Beqit je ti ? Kush ta ka dhanë lejen ty? Po si asht e mundun kjo… ? E vazhdoi tue iu drejtue kushrinit : për çdo ditë qendrimi në shtëpinë tande, Gjek Beqi duhet të paraqitet në postë dy herë në ditë; nadje dhe mbramje, a more vesh ?!
” Me thanë të drejten, deklaron Gjek Beqi, u terrorizova prej kësaj bisede e cila më dha me kuptue edhe mundësinë e ruejtjes së shtëpisë së kushrinit me ushtarë gjatë kohës që unë do të rrijsha në Vermosh, situata u komplikue…, edhe kushrinin e futshe në telashe politike ; vendosa…, hoqa dorë kët radhë prej arratisjes, por jo prej mendimit…!
Në daten 8 maj 1990 , Kuvendi Popullor nën presionin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Perez de Kuelar, liberalizoi ligjin për arratisjen tue mos e konsiderue ma tradhëti kombtare, por vetem si ” kalim kufini të paligjshëm ” me pasojë, denim të lehtë. Kjo situatë e re juridike, nuk parashikonte ma, masa denimi për familjen e të arratisunit, gja teper me randësi për atë që merrte iniciativen e kalimit të paligjshëm të kufinit shtetnor. Në këto rrethana edhe në marrëveshje me vëllaun e tij 25 vjeçar Vat Beqi, vendosin të arratisen drejt ” botës së lirë”. Ato banojshin në fshatin e Velipojës ku kalimi ma i thjeshtë i kufinit ishte në drejtim të lumit Buna, por ajo zonë ishte jashtëzakonisht e kontrollueme prej rojeve kufitare , prandej kët variant nuk e konsideruen, por preferuen rrugën ma të vështirë , nëpërmjet detit që simbas tyne ishte ma pak e kontrollueme, pra e suksesëshme,
Me datë 18 maj 1990 në orën 22.30, te vendi i grykderdhjes së knetës së Vilunit në det, dy vllaznit, Gjek dhe Vat Beqi nisen me not drejt thellsisë së detit Adriatik. Me vete kishin edhe nji kamerdare zetori, për ndihmë në rast lodhje. Notuen në drejtim vertikal me bregun, simbas mendjes së tyne, deri në largësi prej 3 Km. ! Në atë distancë mendojshin se ” prozhektori i pikës vrojtuese kufitare nuk mund ti dallonte, mandej morën drejtimin horizontal me bregun tue notue djathtas. Objektivi ishte kalimi i grykëderdhjes së lumit Buna dhe ndalimi në ishullin e Adës (n’atë kohë territor Jugosllav, sot Montenegro ). Gjatë kohës që notojshin u lëshuen disa herë prozhektorët e kufinit që ndriçojshin të tanë zonën, por dy vllaznit kishin shpresë dhe besim se vrojtuesit e kufinit nuk do ti dallojshin prej faktit se ato po notojshin në largësi të madhe prej bregut. Për fatkeqësinë e tyne nuk ndodhi kështu ! Ushtari i pikës vrojtuese në Pulaj, Artan Derimi i kishte dallue dhe pati njoftue menjiherë ” Njisitin kufitar” i cili me shpejtësi ishte nisë në drejtim të tyne me skafin e kufinit. Sapo skafi i kufinit i ishte afrue në nji distance prej rreth 80 m., komandanti i Postës Kufitare, Bino Binaj kishte qëllue prej skafit, pa paralajmërim, në drejtim të tyne. Si pasojë Gjek Beqi plagoset randë në krye dhe tue mos muejt me notue filloi të zhytet nën ujë, por i vëllau, Vat Beqi e mbajti dhe njikohsisht i pat qenë drejtue atyne që qëlluen prej skafit:

  • ” Pse po na vritni…, jemi prej Velipoje!” Përgjigja e komandant Bino Binaj ishte:
  • ” Mbaje atë kërmen mos të humbasë në det se ty do të vras në breg !”
    Vat Beqi sistemoi vëllaun e plagosun në komerdare dhe të tërhekun prej skafit i afrohen bregut, por sapo dalin , Bino Binaj qëlloi disa herë në drejtim të tij tue i marrë jeten Vatës, mandej iu afrue Gjek Beqit të plagosun për vdekje dhe urdhnoi ushtarin Hysni Syla prej Kuksit:
    ” Futi nji plumb në kokë , mos e lër që të përpëlitet”, por ushtari i ishte përgjigjë.
    ” Nuk kam pse ta vras sepse ai është i kapur tani” I paknaqun prej përgjigjes, komandant Bino Binaj i pat qenë afrue Gjekës së plagosun për me e vra ai vetë, por skafisti Bashkim Musta i pati ndërhye: ” Mos komandant, i njoha, janë vëllezër, lere këtë se ndofta shpëton , pse po e vret?” Enveristi Bino Binaj, tue kuptue se Gjek Beqin plumbi e kishte marrë në krye ( nofull) e praktikisht ishte pothuej i vdekun, asht ndalue në krimin e tretë të asaj nate…!
    Në spitalin e Shkodrës, Gjek Beqi ( gjysë i vdekun) gjeti përkujdesje maksimale prej mjekve Mark Mirashi, Ferid Hoti dhe Ali Spahija e falë Zotit shpëtoi. Mbas nji mueji edhe pse Gjeka ishte ende me nofull të bllokueme prej allçisë, e nxorën prej spitalit dhe e dërguen në paraburgim. Vështirësia ma e madhe ishte me marrë ushqimin, sepse gojen e kishte të bllokueme, por ndërhymja profesionale e mjekut stomatolog Abdullah Bilali e ndihmoi. Ai i dha nji ” kompas ortopedik dhe e instruktoi se si me e përdorë tue e mbajtë në gojë, gja që me kalimin e kohës rezultoi me sukses-.
    Tragjedia e familjes së nderueme kelmendase të Gjek Marash Beqit ban pjesë në tragjedinë kombtare të shqiptarve të ndershëm që e psuen prej sistemit mafioz diktatorial enverist pikërisht sepse ishin të ndershëm!. Njeriu i ndershëm beson ! Shqiptart e ndershëm i besuen premtimeve mashtruese komuniste !. Edhe gjatë luftës së dytë botnore, shumë shqiptarë ndihmuen, përkrahën e sakrifikuen edhe jetën për luftën nacional çlirimtare kunder pushtuesve me besim të plotë ( simbas premtimit) se Shqipnia e lirë do të ishte sistem demokratik, por i doli krejtë ndryshe; diktatura komuniste i perzekutoi pa mëshirë e shqiptarët provuen dhunën ma të eger komuniste të vendeve të Europës Lindore. Mashtrimi i radhës ishte edhe liberalizimi i ligjit për veprën e kalimit të kufinit në mënyrë të paligjshme. Shqiptarët e ndershëm e besuen atë ligjë e të nxitun prej vorfnisë ekstreme morën rrugën e rrezikshme të kalimit të kufinit, por tradhëtia komuniste veproi pa mëshirë mbi ta; gjatë periudhës Maj deri Dhetor 1990 u vranë dhe u masakruen 54 shqiptarë në tentativen e kalimit të kufinit, ndër ta, edhe e tanë familja Palma me fëmijë 9 vjeç !
    Simbas padisë së familjes së Marash Beqit, në vitin 1996, gjyqtari Admir Thanza shpalli fajtor ( në mungesë) komandantin vrasës Bino Binaj me dënim ” Burgimit të përjetshëm ” Në proçesin gjygjësor dëshmuen ushtarët e kufinit të cilët e përjetuen atë ngjarje makabre; Hysen Sula, Bashkim Musta dhe Hysen Allkanjari.
    Krimineli Bino Binaj hupi gjurmët në Itali. Interpoli italian ra në gjurmët e tij dhe e kapi si “person në kërkim”, por nuk mbrrijti me u ba ekstradimi i tij në Shqipni sepse drejtësia e korruptueme shqiptare e sabotoi atë ekstradim dhe ” mbrojti” kriminelin enverist Bino Binaj!
    Në vitin 1995 pjestarët e familjes Beqi; Gjeto Mark Beqi, Nikë Zef Beqi e Vat Marash Beqi u shpallën prej Presidentit Berisha ” Martirë të Demokracisë” si viktima të pafajshme të dhunës komuniste.
    F.G.
    ( Pjesë e librit ” Dromca kujtimesh” i derguem për publikim)
    Neë foto (prej së majtës); Vat Beqi dhe Gjek Beqi.

Burimi/Facebook/Pro Gegnishtes