SKANDALI – Asnjë përfaqësues nga qeveria apo Ministria e Kulturës në varrimin e Mjeshtrit të Madh Fadil Kraja

0
55

Ditën e sotme Shkodra por edhe mbarë Shqipëria, i dhanë lamtumirën e fundit Fadil Krajës, Mjeshtër i Madh dhe patriark i pakontestuar i dramarturgjisë shqiptare për kohën që jetoi dhe jo vetëm. Kanë qenë qindra, ndoshta mijëra ata që i janë drejtuar sot Teatrit “Migjeni” për tu ndarë me Mjeshtrin.

Ajo që ra në sy, ishte mungesa e përfaqësuesve të qeverisë, edhe pse Shkodra përfaqësohet në kabinetin e kryeministrit Rama. Madje, as nga Ministra e Kulturës, lëmi ku Fadil Kraja dha një kontribut të vyer, nuk kishte asnjë përfaqësues. Ka qenë një i afërm, djali i tezes Astrit Dervishi, figurë e njohur e sportit dhe edukimit në Shkodër, që e ka evidentuar këtë me një publikim të shkurtër në Facebook.

“Sot, ne varrimin e Fadil Krajes Qeveria Qendrore na nderoi me mosardhjen e asnje perfaqesuesi te saj, bile as nga Ministria e Kultures…koloset e dramave lindin nje here…vepra e tyre mbetet e lexohet per jete, nuk vdes kurre!”, shkruan Dervishi.

Mungesa e vëmendjes dhe respektit për një figurë të këtyre permasave nga ana e institucioneve shtetërore, nuk i bën asnjë dëm Fadil Krajës, veprës së tij dhe imazhit të tij sot edhe nesër. Të humbur janë kryeministri, qeveria e Ministria e Kulturës. Për së gjalli nuk po kujtohen për kolosë të tillë por edhe në momentet e përcjelljes së tyre, nuk gjendet as edhe një përfaqësues për të nderuar Fadil Krajën.

Burimi/shkodraweb.com/