Skandali me fondet e BE-së, Neritan Ceka denoncon si po përdoren 6 milionë eurot për Bylisin: Si u shmangën arkeologët tanë për të shtrembëruar historinë

0
119

NERITAN CEKA

Lexuesit duhet t’i kujtohet debati që patëm zhvilluar në njërin nga rrjetet televizive, së bashku me Auron Taren, përkundër studiuesit të njohur italian, Vittorio Sgarbi, në lidhje me deklaratën e tij, se Teatri i Bylisit ishte grek. Pas një ore diskutimi, i vendosur përballë argumenteve shkencore, V. Sgarbi, që njihet për këmbënguljen e tij, u detyrua të tërhiqej nga deklarata, duke pranuar faktin se Bylisi ishte një qytet ilir, se bylinët ishin një popullsi ilire dhe se teatri, ashtu si dhe gjithë monumentet e ndërtuara prej bylinëve për nevojat e tyre, ishin ilire. Natyrisht, të dyja palët u bashkuan në pranimin e realitetit të asaj kohe, kur kultura greke kishte ndikuar popujt kufitarë, që kishin arritur një nivel të lartë zhvillimi ekonomik dhe social, siç ishin edhe bylinët, banorët ilirë të krahinës së sotme të Mallakastrës. Deklarata e V. Sgarbit për “teatrin grek të Bylisit” ishte publikuar në fakt në një sajt zyrtar të Ministrisë së Kulturës, që vetëm heshti në atë rast, por bashkë me Auronin thamë: Fali o Zot, se nuk dinë se çfarë bëjnë! Por çfarë ndodhi?

Jo më larg se vjet, në një tjetër sajt zyrtar të Ministrisë së Kulturës, qyteti i Amantias ishte cilësuar si “qytet grek”. Pas kritikave nga “Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore” ky cilësim abuziv u hoq nga faqja përkatëse, pa bërë asnjë korrigjim dhe pa kërkuar ndjesë. Zoti i Pushtetit i fali përsëri!

Tani vjen e treta, e vërteta! Jo më në një sajt elektronik, që mund të fshihet lehtësisht, por në një dokument shumë të rëndësishëm zyrtar, me siglën e Ministrisë së Kulturës, Bylisi është konsideruar si qytet grek.

Bëhet fjalë për Planin e Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit, një dokument që parashikon investimin e rreth 6 milionë eurove nga fondet e BE-së, me qëllim që të krijohet një park i modeleve bashkëkohore, për të nxitur edhe zhvillimin e turizmit në krahinën e Mallakastrës. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në shtator 2018, financuesi i këtij projekti do të ishte Zyra e Delegacionit të BE në Tiranë, ndërsa përfituesi do të ishte Ministria e Kulturës. Në të vërtetë, për projekte të tilla përfituesit e vërtetë janë organizma të specializuara në peshkimin e fondeve të BE, një rrjet i mirëfilltë fondacionesh, OJQ-sh, katedrash universitare etj., që kanë lidhjet e tyre prej vitesh në ato vende aspiruese, që shohin ëndrrat e një Europe bamirëse. Po flas vetëm për arkeologjinë, pa iu referuar një artikulli të gjatë të ish-ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani, për investimet e avulluara në fushën e infrastrukturës, bujqësisë, arsimit etj. Pra, të flasim vetëm për arkeologjinë.

Në vitin 2013, Zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë “dhuroi” 830 000 euro për një projekt rinovimi të Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Përfituesi ishte Ministria e Kulturës. Vetëm kaq dimë, sepse ju nuk do të gjeni as në sajtin e Zyrës së BE-së në Tiranë, as në atë të Ministrisë së Kulturës dhe as në Apoloni, asnjë të dhënë se kush e bëri projektin, kush e zbatoi dhe kush përfitoi. Kjo, për faktin e thjeshtë se përfituan vetëm ata që morën paratë për një depo uji të ndërtuar në kundërshtim me ligjin mbi murin rrethues të qytetit. Sipas projektit, ajo duhet të shërbente për shuarjen e zjarreve që mund të binin në territorin e parkut dhe për këtë u shtruan me qindra metra tuba nëntokësorë, duke dëmtuar shtresat arkeologjike. Prej tyre dalin disa hidrantë të kuq, që do të lëshonin ujin vetëm me një shtypje të butonit, gjë që natyrisht nuk ndodhi, sepse kjo “çudi e shkencës europiane” nuk funksionoi. Kjo ishte vetëm gjysma e së keqes, ashtu si edhe gjysma e parave, sepse gjysma tjetër u investua në ndërtimin e një parkingu plot një kilometër larg Muzeut Arkeologjik dhe qendrës monumentale. Do ta kërkoni më kot, sepse gjendet në një humbëtirë, i ndërtuar në mënyrë të paligjshme para murit rrethues të qytetit dhe mbi varrezën e lashtë të tij. Si rrjedhim, kur u mbaruan paratë e “dhuruara” doli se duhej gërmuar nekropoli, kësaj radhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Mbi atë nekropol duhej të kalonte patjetër edhe një dalje e autostradës që kushtoi disa miliona euro, të paguara gjithashtu nga shqiptarët.

Mund të ishte evituar kjo dalldi? Natyrisht, fare lehtë, nëse do të ishin pyetur arkeologët shqiptarë që punojnë atje, si prof. Vangjel Dimo, prof.. Bashkim Lahi, as. prof. Belisa Muka etj. Por “dhuruesit” ishin të sigurt që ata nuk do të pranonin as çmendurinë e depos mrekullibërëse të ujit dhe as parkingun sekret, pra, “metro kubet e betonit herë kaq euro” të firmave klienteliste që i realizuan ato. Kam qenë atje me ambasadorin italian një verë të kaluar dhe kemi parë së bashku se si turistët taksapagues europianë rrinin në radhë në mes të diellit, pa asnjë strehë, përpara një barake plastike, për të marrë biletat, se si ecnin në shtigjet e bëra përrenj, se si habiteshin me hidrantët e kuq, që shëmtonin monumentet, se si nuk lexonin dot tekstet në tabelat, që nuk ishin ndërruar prej vitesh dhe se si qëndronin në radhë para WC së restorantit, sepse “dhuruesve” nuk i kishin dalë paratë për të bërë qoftë edhe dy banjë për vizitorët e parkut. Ambasadori italian ia paraqiti këtë gjendje ambasadorit të BE-së dhe nuk e pa as të habitej, as të shqetësohej. Përse?

Sepse ky nuk është shembulli i vetëm. Kush ka pasur rastin të shkojë në Parkun Arkeologjik të Finiqit në Sarandë, nuk do ta marrë vesh se aty BE ka “dhuruar” 300 000 euro. Nuk ka asnjë tabelë që të tregojë se kush e bëri projektin dhe kush e zbatoi. Natyrisht që përfituesi ishte përsëri Ministria e Kulturës dhe përfitimi ishin furnizuesit klientelistë të disa qindra metro kub granil i bardhë, që shtrihet për një kilometër në kurriz të kodrës së Finiqit, në një rrugë triumfale të rrethuar me parmakë prej trungjesh të holla pishe, si dhe disa tip kasollesh, ku duhet të çlodheshin turistët. Ka edhe një barakë, pak më e mirë se kuvlia e Apolonisë, për biletashitësit, por nja dyqind metra më poshtë se parku, në mënyrë që rojet të mos shikojnë asgjë. Dhe ndodhi që ra një zjarr që i dogji pjesën më të madhe të parmakëve dhe kasolleve, ashtu si u zhdukën edhe kamerat e vëzhgimit, bashkë me përcjellësit dhe shtyllat që i mbanin. Natyrisht që monumentet nuk pësuan asgjë, për shkakun e lumtur se tek ato nuk ishte investuar as edhe një euro e vetme. Përse ndodhi? Unë them përsëri, sepse nuk u pyetën arkeologët që punojnë prej 20 vjetësh në atë park dhe që natyrisht nuk do të kishin pranuar as çakullin, as parmakët, as kasollet, pa u investuar më parë në monumentet arkeologjike që përbëjnë vetë parkun.

Janë edhe 300 000 euro të tjera të “dhuruara” në Butrint, por nuk po merremi me to. Fundi janë çikërrima për zemërgjerësinë e zyrave të BE.

Tani të kthehemi te Bylisi. Kanë arritur 6 milionë euro për t’u investuar kryesisht në Parkun Arkeologjik të Bylisit, si promotor i zhvillimit të turizmit kulturor në trevën e Mallakastrës. Me të njëjtin skenar është caktuar nga e njëjta Zyrë e BE-së edhe menaxheri, që është AICS (Agenzia Italiana per la Cooperazione allo Sviluppo). Përfituesi është përsëri Ministria e Kulturës (po ajo e Apolonisë, Finiqit dhe Butrintit!), por duket se kësaj herë u ka ngecur sharra në gozhdë, sepse pas një beteje deri në Bruksel kundër zyrës së BE-së në Tiranë, është imponuar si stakeholder, pra, si aksioner i projektit, edhe Instituti i Arkeologjisë. Pra, arkeologët, këta njerëz të bezdisur, që punojnë me bisturi e furça, që nuk honepsin dot llogaritë “metro kub herë euro”, që nuk durojnë raporte e trajnime, por duan punë direkt në diell e shi te monumentet e stërgjyshërve të tyre barbarë ilirë. Si t’i heqim qafe dhe të sjellim “kompetentët” e racës së qytetëruar europiane? Kollaj fare. Themi që janë arkaikë, nostalgjikë, nacionalistë, folklorikë, pra, epitete trende në zhargonet e zyrave të Ministrisë së Kulturës. Por edhe të BE-së. Klikoni te sajti i tyre në Tiranë dhe do të gjeni shprehjen: Në Shqipëri mungojnë specialistët. Dhe e dini kush e shkruan? “Specialistja” që ka ndjekur investimet “metro kub herë euro” të Apolonisë. Është nga ato 3.5 milionëshet e listës së pagave dhe që arkeologët shqiptarë që marrin nga 0.5 milionë në muaj, që nuk i paguhen dietat e ekspeditave, që shkojnë me makinat e tyre në shërbime dhe nuk i paguhet benzina, i duken jo vetëm të bezdisur, por edhe pabuksa. Prandaj si t’i heqim qafe! Dhe e gjejnë zgjidhjen. Partnerët e menaxherit të AICS në Bylis nuk do të jenë pabuksat shqiptarë, që kanë zbuluar gjithë monumentet e Bylisit gjatë dyzet viteve punë dhe vazhdojnë edhe tani çdo vit me zbulime spektakolare. Do sjellim profesorët tanë, trashëgimtarë të Cezarit e Augustit, superiorë nga profesioni dhe kultura në krahasim me stërnipërit fanatikë të bylinëve barbarë. Dhe ata janë pikërisht profesorët nga Emilia Romagna, që pa pasur asnjë ide për Bylisin, pasi e kanë parë vetëm në “Google” apo vizituar kalimthi, hartojnë Planin e Menaxhimit të Parkut të Bylisit. Nuk po i them emrat e tyre, sepse nuk do t’i gjeni askund, sikur të klikoni në të gjithë sajtet e internetit apo të kërkoni në gjithë bibliotekat e botës. Vetëm nëse klikoni te programet e BE-së për projektet ekstrakomunitare, sepse këta nuk janë të tipit “metro kub herë euro”, por “raporte plus xhingla herë euro”. Dhe ja se si.

Instituti i Arkeologjisë, si krijues dhe menaxhues shkencor i Parkut Arkeologjik të Bylisit, kishte kërkuar disa projekte kryesore në tërësinë e Planit të Menaxhimit. I pari, dhe më i rëndësishmi, ishte një Muze Arkeologjik, që do të ekspozonte një pjesë të mirë të objekteve të zbuluara gjatë gërmimeve dhe përmes tyre do të shpjegonte historinë, kulturën, jetën shoqërore e politike të Bylisit, si modelin e qytetërimit antik ilir të shekujve IV-I p.Kr., por dhe rolin që luajti ai qytet në përqafimin e krishterimit nga ilirët, si një nga faktorët kryesorë të etnogjenezës së shqiptarëve, trashëgimtarë etnikë të tyre. Si rrjedhim, në këtë muze nuk do të përfaqësohej vetëm Bylisi, por edhe rruga, nëpër të cilën ai kaloi për t’u bërë një qytet i kulturës dhe i artit ilir. Sepse në dyzet vitet e kërkimeve të tyre arkeologët shqiptarë kishin vërtetuar përmes gërmimeve se fillimet e tij Bylisi i kishte që në shek. VII p. Kr. me krijimin e komunitetit të hershëm qytetar bylin në Margëlliç e Mashkjezë, pastaj me themelimin e qytetit të mirëfilltë në Klos në shek. V p. Kr dhe në Gurëzezë të Cakranit në fillim të shek. IV p. Kr. Vetëm pas kësaj, rreth mesit të shek. IV p. Kr. bylinët vendosën themelimin e Bylisit, pasi pyetën më parë orakullin e Dodonës.

Çfarë bënë “profesorët” anonimë, po të preferuar nga Regio Emilia? Meqë nuk kishin asnjë ide mbi historinë e Bylisit e të qytetërimit ilir, që ai përfaqësonte, dhe aq më pak për objektet arkeologjike që e ilustronin këtë qytetërim, filluan punën për një “story telling”, një seri filmash multiplikativë të tipit fiction. Në to do të tregohet se si Bylisi u themelua nga heroi grek Neoptolemi i shek. XIII p. Kr. dhe se si ata e mbajtën të pushtuar qytetin deri në shek. IV p. Kr., kur e rrethuan me mure; se si ata krijuan një koinon grek, një republikë të vogël që përfshinte gjithë Mallakastrën e sotme; se si vendosën ligje greke dhe se si kjo krahinë kaloi një periudhë të lulëzuar greke, para se të kalohej në periudhat romake dhe bizantine! Natyrisht, ilirët nuk gjendeshin gjëkundi dhe as shqiptarët si trashëgimtarë të historisë, kulturës dhe gjuhës së tyre. Jo vetëm kaq! Meqë nuk kanë asnjë mbështetje arkeologjike dhe historike për një skenar të tillë, atëherë hoqën edhe muzeun nga projekti dhe e zëvendësuan me një barakë, ku do të instaloheshin aparaturat e shtrenjta për të shfaqur filmat e tyre. Me këtë rast vrisnin dy zogj me të njëjtin gur. Hidhnin poshtë dëshmitë e arkeologëve shqiptarë për karakterin etnik ilir të Bylisit dhe bylinëve, ndërkohë që një pjesë e mirë e parave të muzeut kthehej në aparatura të bëra gati nga bizneset e Emilia Romagna dhe pjesa tjetër në pagesat e majmura për “profesorët” e Universitetit të Bolonjës. Natyrisht, kjo nuk mund të bëhet pa miratimin paraprak të Zyrës së BE-së në Tiranë, që do të paguajë faturat. Sa për Ministrinë e Kulturës, aq i bën nëse Bylisi është grek apo ilir dhe nëse shqiptarët vijnë nga ilirët apo janë të ardhur në trojet e tyre bashkë me turqit, siç thonë vorioepirotët, apo serbomëdhenjtë. Ajo i ka hapur katër kanatat këtij shpërdorimi skandaloz, duke mos krijuar Komitetin e Aksionerëve Shqiptarë, që duhet të monitoronte dhe kontrollonte zhvillimin e të gjithë projektit, sipas një deklarate të Zyrës së BE-së në Tiranë të muajit shkurt 2020. E vetmja gjë që ka bërë me shumë zell është pastrimi i vendit ku “profesorët” kanë vendosur të ngrenë barakën brenda murit rrethues të Bylisit! Ka mjaftuar një telefonatë nga një zyrë diplomatike në Tiranë!

Natyrisht një projekt i tillë antishkencor dhe antishqiptar u kundërshtua nga arkeologët dhe kjo solli shqetësimin e faturapaguesve të BE-së. Mjaftoi një telefonatë tjetër nga zyra diplomatike dhe Ministria e Kulturës mori përsipër autorësinë e Planit të Menaxhimit të Bylisit, të qëndisur nga profesorët bolonjezë, duke vënë siglën e saj qorrazi mbi dokument. Pra, siç thotë populli, mori derrin në thes!

Kjo të kujton historinë e arkeologut bolonjez Luigi Ugolini, të njohur mirë nga publiku shqiptar, i cili pati marrë nga funksionari i lartë Ministrisë së Jashtme të Italisë, Roberto Paribeni, udhëzimin “shqiptarët nuk ua dinë vlerën antikiteteve, prandaj, në se zbuloni diçka të veçantë, silleni fshehurazi në Itali”. Ugolini që gërmonte në Butrint me lejen e shtetit shqiptar, gjeti kokën e Deas dhe e ngarkoi në një anije në Sarandë për ta çuar në Bari. Ndodhi që një doganier patriot e ndaloi dhe informoi autoritetet. Atëherë, Mbreti Zog, që sapo kishte nënshkruar një traktat me Italinë fashiste, e mbuloi skandalin, duke ia falur Dean Musolinit. Natyrisht. pa asnjë dokument dhe pa firmë. Si rrjedhim qeveria italiane u detyrua ta kthente Dean në Shqipëri në vitin 1981.

Tani besoj se si qytetar shqiptar e kam të drejtën ta pyes ministren e Kulturës, që merr një rrogë sa çereku i nëpunëses së BE-së dhe e cila nuk pranoi ofertën e ekipit shqiptar që punon në Bylis prej dhjetëra vitesh, për t’u vënë personalisht ajo në krye të punës për realizimin e projektit të BE-së në Bylis, përse nuk e krijon Komitetin Drejtues të Projektit? Përse nuk i kontrollon dokumentet, mbi të cilat po zhvillohen procedurat? Përse nuk i doni arkeologët shqiptarë në Bylis dhe përse doni të ktheni përsëri Ugolinin, qoftë edhe të vdekur, nga Emilia Romagna? Ku bazoheni në konfirmimin e ministrisë suaj se Bylisi ka qenë qytet grek? Në funksionin tuaj kushtetues për të mbrojtur integritetin e kulturës së kombit shqiptar do t’ju kërkoja që përgjigjen ta jepni publikisht në përballje me ekipin shqiptar të Bylisit, në një rrjet televiziv që do ta zgjidhni vetë dhe duke pasur në ekipin tuaj profesorët e Emilia Romagna, si dhe të gjithë profesorët që mund t’jua sjellë Zyra e BE-së në Tiranë.

Sa për Zyrën e Delegacionit të BE-së që merr për të katërtën herë nëpër këmbë arkeologjinë shqiptare, pyes qytetarët e mi: A mund t’i themi kësaj radhe atyre se nuk ua duam paratë tuaja për Bylisin në shkëmbim të përdhosjes së historisë sonë!

Burimi/panorama.com.al/