Sokol Marku ka një kontribut të gjatë e të sukseshëm në mësimdhënie

0
111

Nga Kujtim Alija

Me hidhërim të thellë e brengë në shpirt të gjithë ne artistët e qytetit të Shkodrës i dhamë lamtumirën e fundit kolegut Sokol Marku, babait të dashur, pedagogut pasionant e të palodhur, instrumentistit e bashkëpunëtorit tonë të nderuar.
Që në moshë shkollore Sokoli aktivizohet si instrumentist në orkestrën sinfonike te shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe falë talentit dhe pasionit, shumë shpejt, rreth vitit 1976 bëhet pjesë e “Filarmonisë së Shkodrës” dhe “Formacionit orkestral” të teatrit “Migjeni”.
Veprimtaria dhe kontributi i trombonistit Sokol Marku pranë institucioneve kulturore të qytetit përfshin Festivalet lokale e kom- bëtare të këngës, koncertet e orkestrës sinfonike dhe orkestrës frymore, premierat shumë të suksesshme të Estradës së Shkodrës, operetat dhe operat që u realizuan në qytetin tonë si dhe në prezantimin në shumë veprimtari kombëtare e ndërkombëtare.
Por jo vetëm kaq, Sokol Marku ka një kontribut të gjatë e të sukseshëm në mësimdhënie, si themelues i klasës së trombonit pranë shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova”, nga puna kolo- sale dhe pasioni i të cilit kanë dalë shumë trombonistë të talentuar që sot debutojnë me sukses në skenat shqiptare, europiane e më gjerë. Për disa vjet me radhë ai mori përsipër edhe drejtimin e këtij institucioni që kulmoi me organizimin perfekt të 50 vjetorit të këtij institucioni, nga më të rëndësishmit për kulturën kombëtare.
Si muzikant Sokol Marku e ka të përcaktuar dhe të vlerësuar portretin e tij pranë institucioneve artistike të qytetit të Shkodrës përmes kontributit të tij të gjatë dhe për këtë është nderuar dhe respektuar nga të gjithë kolegët dhe brezat e nxënësve me të cilët ka punuar.
Me vdekjen e muzikantit Sokol Marku familja humbi njeriun e saj të dashur, ne të gjithë humbëm një koleg të nderuar, qyteti i Shkodrës humbi një muzikant të talentuar dhe qytetar shembullor, kultura shkodrane humbi një profesionist të vërtetë.
Duke shprehur ngushëllimet më të thella për këtë dhimbje të madhe, lutemi me të gjithë Ju që shpirti i Sokolit të prehet në paqen e merituar.
Qofsh i parajsës miku ynë i dashur Sokol Marku.

Burimi/Facebook