Sot asht 104 vjetori i vdekjes se Abatit te Mirdites Prend Doçit,figure elitare e popullit tone.

0
165

“Abati i Mirditës, figurë e rrallë kombtare, që hapi perspektivë
në jetën tonë, mbetë deri tashti pa mirënjohje, madje pa u
shpërblye nga historia jonë, fitoi një vlerësim gjithëpërfshirës,
të paanshëm, shkencor, në këtë monografi dinjitoze, me shije
historike e me kahje artistike, plot jetë e gjallni, tue na vizatue
portretin e këtij njeriu të veçantë, tue zbulue jetën e këtij prelati jo
të zakonshëm, e tue shfletue biografinë e këtij shqiptari energjik,
me mendje të mprehtë, me nuhatje të thellë politike, me një sens
të theksuem patriotik e me virtyte kristiane, për me na frymëzue
mesazhin se çdo shqiptar asht i thirrun me iu kushtue idealeve
“Fe e Atdhe”, “’me ndjekë virtyt e dituni”, me vu në jetë ligjin e
dashunisë: “Duenje njeni-tjetrin”!, për një të ardhme kombtare
ma të pavarun, ma të përparueme, ma dinjitoze.
Doci asht palcë Mirdite, thalb shqiptar, fryt europian: një fryt
i shijshëm, i asimilueshëm, i ushqyeshëm. Pamja e tij e hijshme,
fjala e tij, e urtë e tërheqëse, shoqnue me një buzëqeshje të ambël
dhe të afrueshme, zani i tij i kandshëm e kumbues të ngjallshin
kureshtje e interes me iu afrue e gjatë bisedës të shtohej dëshira
me ndejë sa ma shumë me të, ndërsa e ndjenë se je para një eprori,
elitë fetare e kombtare, politike e shoqnore.
Qe i squet, i arsyeshëm, i mençëm; i kujdesshëm ndër veprime
të matuna, dyshues, si mirditas, nuk bindej lehtë, as nuk rrehej
kollaj; dinte të hynte në labirintet e jetës, por edhe të dilte me
dinjitet; fjalëpak, ma shumë i heshtun; natyrë autoritare, por jo
pa përulje fetari, komunikues plot joshje, e dialog mirëkuptimi me
frymë të ngrohtë pajtuese e shpirt bashkimi. Besën e jepte vonë,
por e mbante deri në vdekje; merrte flakë ngadalë, por ndizej
ndër veprime të mbara plot energji e besnikëri shqiptari. Ishte
parashikues dhe largpamës. Ndonjëherë u tregue i përmbajtun,
madje edhe nuk veproi, por donte të parashihte fundin, para se
me vendosë. Shumë i lidhun me vendlindjen, por edhe shumë
i shqetësuem për fatet e atdheut, e atdheut etnik. Ngjarjet i
shihte me sy të kthjelltë, i meditonte me pjekuni, i përjetonte me
gjakftohtësi. Dinte të jepte këshilla të mira, të ishte udhërrëfyes
i sigurtë, por edhe të printe i pari. Ma shumë prelat se luftar,
ma shumët trim se guximtar, ma shumë burrë se trim. Paraqiti
mjeshtrisht mendimin e angazhimin kristian në politikë. Fishta u
shpreh: “ I la ndër vedit e nam kombit!”
Ndjeu thirrjen e mbrendshme të Hyjit e hini në marrëdhanie
intime me Te. Pastaj shkoi në Seminarin Papnor ku fjala e Hyjit,
ku dija e thellë, ku virtyti joshës e shuguruen si misionar të fesë e
të atdheut. E tha: Nuk e ka dhanë Zoti shpirtin me shkelë urdhnat
e Perëndisë. Nuk e ka dhanë Zoti jetën me e jetue në robni dhe
nxiti zemrat mirditore kah virtyti fetar, i frymëzoi ata kah liria
kombtare, dhe shtyni mendjet e tyne të etshme drejt një atdheu
ma të lirë, ma të zhvilluem; gjithmonë ngacmues për veprime
fetare e atdhetare. Kurr nuk dha ndonjë gjykim të gabuem nga
frika, kurr nuk u përkund ndër iluzione zhgënjyese. Veprimet ia
mbruente ndërgjegjja e ia zbatonte vullneti i tij i papërkulshëm.
Jeta e vepra e tij janë ende të gjalla në gjurmët e pashlyeshme
që ruhen si trashigimi: në fushën e politikës kombtare: të jetojmë
të lirë në atdheun e përbashkët.
I. Qemali: “Ne e bëmë si e bëmë Shqipërinë, Abati do ta bënte
pa ne e më mirë se ne”. Në fushën shoqnore: të shërojmë shpirtin
shqiptar nga plagët e kohëve të kalueme: egoizmin, përçarjen,
vetëgjyqësinë, dhunën në familje…; në fushën intelektuale: hapi
shkolla, krijoi alfabetin me shkroja latine, bazë e alfabetit të sotëm,
themeloi shoqni kulturore, afroi forcat intelektuale, botoi poezi
patriotike e tekste shkollore, nxiti botimin e periodikëve fetarë e
kulturorë. Pra, synoi: jetë të zhvillueme ekonomike, jetë të gjallë
intelektuale plot arsim e kulturë, jetë të pasun morale me “fe,
shpresë e dashuni”, e tue kultivue virtytet etnike. Kulmoi edhe
në Kongresin e Manastirit: “Kam dërgue aty njerëzit ma të aftë
të mijtë: Fishtën e Gurakuqin”, u thonte kolegëve të vet. Ishte ma
i flakti për alfabetin me shkronja latine. Vërtetë dolën pikëpamje
të ndryshme për alfabetin: Doçi ma praktik, Mjeda ma shkencor.
Turbullonte ujë edhe politika e huej. Më thonte shumë e shumë vjet
ma parë Pader Viktor Volaj, njohësi ma i mirë i Fishtës: “Mjeda
ka qenë një pykë e Austrisë për me prishë bashkimin”. Sigurisht,
Mjeda nuk ishte agjent i Austrisë, por Austria përkrahte alfabetin
e Mjedës për t’i dhanë shkollës shqiptare drejtim austriak, pse
libra e programet shkollore etj., detyrimisht, do të botoheshin
në Austri, për hir të shkronjave të veçanta mjediane dhe jo
Doçin me alfabetin latin me drejtim perëndimor. Doçi ishte kaq
i dhanun mbas alfabetit të tij e shoqnisë «Bashkimi», sa Fishta
thonte: “Anglia nuk i jep kaq randësi kolonive të saja në Indi, sa
i jep Abati shoqnisë “Bashkimi”. Urithat e diktaturës i fryjshin
divergjencave, për të përpajnue përçarje. Në fakt, atë ditë që u
caktue alfabeti, Mjeda, Fishta, Gurakuqi, Logoreci i çuen telegram
jezuitëve, me të cilët vepronin harmonikisht në fushën e kulturës.
Vetem një ndjenjë e përflakët e një zell i fortë, si të hollë, me
një gjykim të pastër e patriotik, frymëzuen dy promemorje të
randsishme: e para, 1886, drejtue Papës, asht lutje e një zemre
mirditore, që rreh për Epirin shqiptar, pasqyrë e qartë e një shpirti
etnik, i cili di të harmonizojë dëshirat fetare me ato atdhetare;
e dyta, rrugë për një Shqipni etnike, krijim i një besëlidhjeje
organizuese e drejtuese për një Shqipni të vertetë, të bashkueme,
të fortë, të zhvillueme, mbasi «Principi lëvizës i shpirtit të çdo
shqiptari, qoftë musliman, qoftë kristian, asht me të vertetë
dashunia për atdhe”, si shprehej Doçi. Në Promemorjen e dytë
projekton besëlidhjen e pesë krahinave shqiptare: l. Shqipnia e
Epërme me qendër Shkodrën, 2. Kosova, 3. Shqipnia e Mesme
me qendër Durrsin, 4. Tosknia me qendër Vlonën, 5. Epiri me
qendër Janinën. «Prej Tivarit en’ Prevezë, nji asht gjuha e kombi
nji”.
Të gjitha këto krahina të kenë një zhvillim të vetin, të gjitha
këto krahina të jenë Shqipnia me shtetin shqiptar. Fort u mundue
të lidhi familjen shqiptare, të lidhi fisin me fis, e fshatin me fshat.
Një besëlidhje e fortë mes tyne do t’i mbajë gjallë e të zhvilluem. E,
kur u shpall Pavarësia e Shqipnisë, përshëndeti Ismail Qemalin e i
premtoi me lidhë Mirditën me qeverinë kombtare. Këtë e dëshmoi
edhe Gurakuqi, këtë e vërtetojnë Kuvendet që organizoi e drejtoi,
këtë e vërtetojnë telegramet e shkëmbyera, ndonëse këto telegrame ende nuk janë gjetë, ndonëse ndonjë mbledhje për këte qëllim nuk asht sqarue!
Ende nuk e kemi përmbushë dëshirën e tij: Çamëria ende e
ndame. Kosova ende e pabashkueme, por fara e samaritanit të mirë
ka mbijtë: ta kultivojmë e të shijojmë frutin e dëshiruem. Atdheun
e fillonte nga Mirdita, truell i vjetër e luftar, ku gjithmonë ka
mizotnue një frymë autonomie: nga ana fetare synonte që të gjitha
fshatet e Mirditës të ishin në juridiksionin e abacisë, pra një njësi
fetare; nga ana shtetnore: e donte Mirditën si tharm për të arrijtë
te Shqipnia etnike: një Piemonte, një Prusi.
Asht absurd e malinj mendimi i shprehun nga Dela Roka (e i
mbrojtun edhe nga veqilat e historisë komuniste), në “Kombësia
dhe feja në Shqipëri 1924-1944” f. 135, T. 1994: “Nostalgjitë e
katolikëve për një zgjidhje politike që t’i shkëpuste nga qeveria
e konsideruar “islamike”…rriteshin…Projekti i një kantoni o
shtet “xhuxh” shqiptar katolik i pavarur, i sajuar në territorin e
Shkodrës ishte bërë përsëri aktual: sigurisht ishin të vetëdijshëm
se në praktikë ishte i pazbatueshëm, sepse kjo do të thoshte
ndër të tjera të dorëzoheshe te fqinjët e fuqishëm serbë, të cilët
tradicionalisht nuk ishin të butë as ndaj katolikëve…”. Bravo
Dela Roka!
Katolikët kanë ba përpjekje për një qeveri ma të mirë, por
jo të shkëputeshin. Nuk e ka kuptue, ose nuk ka dashtë me e
kuptue, se katolikët nuk kanë dashtë me formue një shtet xhuxh,
të pavarun. Gabon Dela Roka, edhe kur i kujton katolikëve, aq
ma tepër, bash Doçit e Mjedës, dhunën serbe, për të cilën ata
kanë lanë një trashigimi dokumentuese jo të vogël. E dokumentat
flasin kjartë: Doçi porositë gjithë vartësit e vet të mbledhin
materiale për dhunën serbe e malazeze dhe t’i dërgojnë në abaci.
Në disa letra të pabotueme e të pashfrytëzueme të Doçit paraqitet
gjendja kaotike, shtimi i skajshëm i vorfnisë, rritja e vjedhjeve
dhe e krimeve. Gjithashtu, kërkohet të merren masa rgjentisht.
Çarmatimi i popullsisë ka luejtë rol negativ, mbasi populli nuk
mund të mbrohet. Doçi kërkon t”u jepen armë popullit.
E tash edhe një fakt: Prelatëve katolikë u asht propozue me marrë
toka në Argjentinë për shqiptarët katolikë, por nuk kanë pranue,
pikërisht, për çështje kombtare. Due t’ i kujtoj Dela Rokave se,
ma vonë, kur u ngjall ky mendim, gazeta «Ora e maleve»(1923),
organ i klerit katolik, drejtue nga Imzot Lazer Mjeda, shkruente:
«Përsa i përket të ndamit të Shqipnisë ndër kantone, kjo asht
një çashtje administrate të mbrendshme e cila rregullohet si
e do e mira e atdheut, prej fuqisë ekzekutive e prej parlamentit
të zgjedhun ligjërisht prej popullit». Ndërsa në një proteste,
anëtarët e Grupit «Ora e maleve» mes tjerash shkruejshin: “Ta
mbajë gjithmonë ngjitë fatin e Shkodrës e të Shqipnisë së Verit
me fat të Shqipnisë mbarë… Pa male nuk ka Shkodër, pa Shkodër,
nuk ka Shqipni Veriore e pa Shqipni Veriore, për ne Shqipnia
nuk ka kuptim” (1923). Doçi luejti rol të randësishëm në fushën
kombtare, letrare, shoqnore. Për Mirditën e malet tona veriore qe
udhëheqës jetëshpirtnorë. kombtar e shoqnor, por emni i tij njihej
në tanë vendin dhe jashtë, në qarqe të nalta dhe gjithkund ky emën
shqiptohet me çmim e nderim. Malsorët tanë për antonomazi
e quejshin: Abati i Madh, Abati i ditun e i shëtitun, Abati që
dinte shumë gjuhë të hueja. Ma mirë: gjuhën e mirëkuptimit, e
vallaznimit e të dashunisë, pse bij të një Zoti të vetëm. Pendëen
as nuk ia fali kuj, as nuk e shtrembnoj, as nuk e theu! Burrë fjale,
burrë pende, burrë betejash. Mirditas autentik!
Kohët ndryshojnë, ndryshojshin edhe projektet politike,
por nuk iu lëkund kurrë ideali kombtar. U tregue i paepun, i
pagënjyem, i pakurruptuem. Nuk u lodh, nuk u zhgënjye, nuk
ndërroi miq, as nuk u tërhoq nga politika kombtare a nga jeta
shoqnore. Skribët e diktaturës hodhën baltë në fytyrën e këtij
patrioti, e quejtën shërbtor të Vatikanit, mbështetës i politikës
turke… Autori i monografisë e pastroi e Doçi mori shkëlqimin e
vet.
Të huejt e çmojshin, por nuk e dojshin: Shumë e quejtën
filoitalian, Nopça e quente “filomalazez”; Ipeni e quejti: “agjent
austriak”. Kral e pyeti P. Pal Dodën:
A ka vdekë Mons. Abati? (shih k.ç., «Luigj Gurakuqi në një
optikë të re”f.35)
Më duket se po, i kishte përgjegjë Frati.
Ma në fund, ka vdekë kundërshtari im ma i madh. Shqipnia
ka humbë të vetmin burrë shteti!
Por të lexojmë Durhamin, “gjithë jetën mikeshë e popullit
shqiptar”, ajo e ka njoftë ma mirë. Ja si shkruen: “Nga shtëpia
e Kapidanit shkova te ajo e Abatit, truri i Mirditës, ndoshta
personaliteti ma i fuqishëm në Shqipërinë e Veriut. Kur diskutohej
diçka e rëndësishme, pyetej: “Ç ‘mendon Abati?». Doçi e mori
paren austriake, por ia fali atdheut, nuk u konuptue. Ipeni gëzohej
se e bani Doçin agjent të Austrisë, Doçi gëzohej se paren austriake
e përdori për të mirën morale e materiale të atdheut. “Aksionin
shqiptar” të Austrisë ai e përdori për të mirë të kombit. Doçi asht
profil në vete. Ai ka hy në histori, se ka qenë i zoti me ba histori.
Me këtë monografi, Doçi nuk rri ma si i harruem, si i
mënjanuem, si i panjohun. Ai hyn ngadhënjyes në panteonin
shqiptar, aty ku e vendosin vlerat e tij të çmueshme: Fe e Atdhe!
Në këtë qindvjetor Pavarsie, kur populli po drejton sytë kah herojt
e vet, “… se kah ai prak ty don me ndjekë Shqipnia”(Koliqi) kjo
monografi, me fletë historie, më ngjanë si një ringjallje, gjurmë
për gjurmë, e dejë e dinjitoze, tue e ba të paharrueshme jetën,
mendimin, veprimtarinë e tij, për të formue një gjykim të
shëndetshëm mbi këte burrë, madhnia e të cilit nderon e naltëson
kombin. Pikërisht sot, që jemi të unshëm e të etshëm me ndigjue
fjalën e urtë të politikanit të ndërgjegjshëm, të shtetarit të
ndershëm, e të administratorit të virtytshëm, që të dëshmojmë
virtytet tona etnike, të zhvillojmë vlerat tona kombtare në një
areal shqiptar e europian e në të njajtën kohë, me iu falë nderës
atyne që punuen pa u kursye e u sakrifikuen për atdheun tonë e
nuk u shpërblyen!”
Kolec Çefa
(Marre nga libri monografik i Luigj Martinit)

Burimi/Facebook/Orosh, Mirdite