SOT NE DITELINDJEN TENDE LUINDO !

0
492

Sot, në këtë ditë, që bën mesin e muajit të dhjetorit 2019, të këtij dhjetori të ftohtë, dhe për më shumë kjo është një ditë e veçantë për mua. Pikërisht kjo ditë më kujton ditën më të bukur të jetës time, të atij momenti aq të bukur jetësor kur unë u bëra Baba për herë të parë.
Për mua ishte një emocion i vecantë, kur në duar mora atë krijesë aq të bukur dhe të shtrenjtë, djalin tim të dashur, me emrin Luindo. Oh!… Cfarë emocioni dhe sa gëzim solli ky moment për mua, por në të njejtën kohë isha tepër i shokuar që as vetë nuk e dija, dhe nuk po i besoja as syve të mij. Ajo krijesë e brishtë dhe e qetë në duart e mija, sikur po e kuptonte që po pushonte i qetë, pranë Mbretit të tij, me emrin e shenjtë Baba. Ky gëzim nuk ishte më vetëm imi, por u gëzuan të gjithë, dhe në mënyrë të vecantë gjyshi i tij, Gjyshi Kola. Gjyshi Kola sapo morri vesh për ardhjen në jetë të nipit të tij Luindo, nuk e harroj traditën e mirëseardhjes shqiptare. Ai mori pistoletën dhe doli në dritare dhe shtiu dy herë në ajër, për gëzimin e madh të ardhjes për herë të parë të nipit të tij, që do të trashëgonte mbiemrin e tij të nderuar. Ardhja e Luindos në shtëpi u shoqërua me shumë gëzim nga të gjithë, por më i gëzuari nga të gjithë isha unë. Pasi sa herë flisja me familjarë, me shokë e miq, u thoja se fëmija i parë, do të ishte djalë. Një predikim shpirtëror i kahmotshëm që m’u realizua, dhe m’u bë realitet. Ditët shkonin, po ashtu dhe djali im i dashur, rritej nga dita në ditë nën përkujdesjen e të gjithëve.
Por ajo që më binte më shumë në sy, ishte përkujdesja e veçantë e gjyshi Kolës për nipin. Kishte shumë raste që ai vetë e ushqente Luindon, por kur filloi Luindo të flasë, ecë dhe të luante, ai pothuajse kalonte një kohë të gjatë me ‘të. Madje, gjyshi i bënte bukë me “kokodashe”, që e përziente bukën e nxehtë me djathë të bardhë në mes dhe i bënte si topa të vegjël, pasi ashtu kishte dëshirë Luindo të hante, dhe që i shijonte nga dora e gjyshi Kolës. Gjyshi ulesh në tapet dhe luante sëbashku me Luindon për orë të tëra. Ç’ka ishte shumë interesate, ishte mosha e gjyshit, pasi ishte në një moshë të thyer dhe nuk lodhej aspak ashtu ndenjur në tapet për orë të tëra. Kështu vazhduan sëbashku deri pas moshës 5 vjeçare të Luindos. Por, kur filloi kalvari i gjatë i rrugës drejt emigracionit, ju desh ta linte gjyshin Kolë në një mënyrë jo të pëlqyeshme. Dita ditës ai rrinte trishtueshëm, me sytë nga dera, me dëshirën e mirë se kur po i vjen Luindo perseri. Për rrethanat e krijuara Luindo nuk mundi ta vizitojë më gjyshin e tij të dashur në shtëpinë e tij, në Shkodërloce. Por, me t’iu krijuar mundësia Gjyshit Kolë, ai erdhi dhe e vizitoi Luindon, në Danimarkë ku dhe sot jeton dhe u rrit. Malli ishte një luginë e pafund ndjenjash që ish mbushur me lot gëzimi dhe hidhërimi. Telefonatat me gjyshin ishin të rralla, dhe filluan gjithnjë e më shumë të rralloheshin, por dua të theksoj këtu që kjo nuk ishte për fajin e Luindos, por vetë historia e familjes tonë që mori një drejtim jo të mirë. Kjo bëri atë që të krijohej distanca jo vetem nga gjyshi i tij i dashur, por edhe nga babai i tij, Luigj.
Dhe për më shumë nga ai baba që sakrifikoi jetën e tij për Luindon, gjithashtu dhe për të tërë familjen që ai e donte me tërë forcën e shpirtit. Por, le të jemi koshientë, që fajin nuk do t’ia kërkojmë asnjëherë Luindos, por tek ata që ndërtuan barrikada të panevojshme dhe të pacivilizuara që bllokonin dhe luanin me ndjenjën më të shenjtë të tij për babain e tij, gjysherit nga babai që e adhuronin pa masë, si dhe lidhjet e afërta farefisnore.
Madje ligësia dhe ndikimet ishin aq të egra dhe të pamëshirshme, që arritën deri aty sa të ndikonin dhe në ndryshimin e mbiemrit të tij, të gjenezëz atërore dhe ligjore. Nëse bëma të tilla kishin një qëllim, ajo ish përdhosja dhe denigrimi social dhe personal i babait të Luindos.
Njerëz të tillë jane “të vegjël” në shpirtin dhe zemrën e tyre, njorantë të devotshëm, që mizëria e tyre ka veç nji ide mediokre për të dëmtuar imazhin, pasionin, dashurinë e pashtershme që ka dhe gëzon kudo në botë Babai i Luindos.
Kjo e treguar me vepra reale, me punën e tij të palodhur, e realizuar edhe nëpërmjet Radios ku ai si moderator bën të mundur të një bashkëpunimi teper të lartë profesional me të gjithë shqiptarët kudo në botë. Motoja e tij është dashuria që i ka rrënjët tek familja e tij e shkëlqyer, ajo familje ku Luindo morri hapat e para, foli, qeshi, gëzoi dhe u edukua me të njejtën frymë si babai i tij Luigji.
Por gjithësesi, jeta vazhdon mbase një ditë Luindo do ta kuptojë të vërtetën e hidhur, gjë e cila e ndjek si kalvar i gjatë dhimbjeje pas shpine.
Si çdo prind që ka dëshira dhe ëndërra për fëmijët e tij, edhe Luigji kish të tijat për Luindon e tij të dashur, atë që ai të vazhdonte studimet e larta si dhe doktoraturën, sepse Luindo ka qenë dhe mbeten një djalë shumë i zgjuar, me shumë talent, dhe me notat maksimale për të gjitha vitet që ai u shkollua, por që ju dorëzua punës në vend t’i përkushtohej studimit. Te shkruash për fatkeqësinë e turpshme në detaje është një libër i tërë që faqet do të nënshkruajnë veç dhimbje e lotë, por që padyshim babai i Luindos ka mbushur faqe pafund përmes lotësh dhe sakrificash që ju mohuan padrejtësisht.
Mbase një ditë kjo do të jetë një prespektivë e mundshme për të ardhmen në vazhdim, që Luindo të zgjojë ëndërrat e tij profesionale.
Këtë retrospektivë të jetës familjare nuk e solla si ide denigruese, por si një ide që ne nuk duhet të harrojmë nga kemi ardhur, ku i kemi rrënjët, të ndërgjegjësojmë vetveten për një jetë të pastër dhe të bukur sociale.
Dhe sot që është dhe dita e Tij, pra pikërisht sot duhet të flasim për urime, gëzime, edhe pse gjuha shpesh shkon ku dhemb dhëmbi dhe nuk të lë me harru dhimbjen dhe plagën që portretizohet tek unë,nga dita në ditë…

Gëzuar! Gëzuar! Gëzuar nga thellësia e shpirtim tim, nga dhimbja ime e pashtershme, nga shpërfytyrimi im i lënguar jetësor, por që kurrë nuk ju harron, dhe veç don dhe sjell dashurinë, respektin, dhe që sot vjen tek ty me urimin si atë ditë kur erdhe në jetë, Luindo gëzuar ditelindjen dhe u bafsh 100 vjeç!
Unë si Luigj dhe babai juaj, ju uroj të dyve ju të dashurit dhe te shtrenjtët e mij Luindo dhe Nicola të jeni të suksesshëm në rrugët tuaja të jetës… të realizoni aspirata tuaja kudo në profesionet e zgjedhura, siç edhe sot unë kam ndërmarrë këtë rrugë kaq të bukur dhe të ëndërruar prej vitesh. Të ëndërrosh është një dëshirë që kurrë nuk duhet t’ia deprivosh vetvetes, por t’ia kultivosh me fanatizëm. Të të them edhe njëherë të dua sa vetë jeta, të betohem nuk dua të behem i besdisshëm. Por dua të të ve në dukje që të jesh kurdoherë i sinqertë me veten më parë dhe ata që të transparojnë të njejtë, pa elozhe dhe dhe iluzione arktike. Unë dua të të jap edhe një mesazh jetik timin, që kurrë të mos thyhesh nga genjështrat dhe manikët patologjikë, pasi nuk na heq dera e shtëpisë tonë të shenjtë. Këto kanë qenë trashëguar prej gjyshit Kolë tek unë, dhe me krenari dua t’i përcjell edhe tek ty o njeriu i shtrenjtë i jetës time.
Kalofsh një ditë dhe mbrëmje të mbushur me surpriza dhe gëzim!
Shkruar nga Luigj Shkodrani