Spiro Katundi – ” KA ENDE SHPRESE SHQIPËRIA ” !

0
93
.(Letër e hapur drejtuar Kandidatëve për Deputetë)

Të dashur “Kandidatë për Deputetë”..!
VËLLEZËR ! Ja tek kaloi dhe kjo legjislaturë Parlamentare me të mirat dhe të këqijat e saj, me problemet dhe me premtimet e bëra në vite që shumë prej tyre nuk u realizuan kurrë. Tani me dhënien e votës tuaj për Parlamentin e ri, populli do të shpresojë për më mirë. Unë si qytetar i këtij vendi por dhe si Meshatar i njerëzve të besimit Orthodhoks, ndjej shqetësimin e tyre, jetoj me hallet dhe problemet, gëzoj, qesh dhe qaj bashkë me ta dhe gjithë njerëzit, për të cilët i lutem çdo ditë Zotit, njëkohësisht dhe për gjithë shqiptarët. Ndaj sot, dua t’u rendit disa këshilla vëllazërore, të cilat nga takimet e mija gjatë shërbesave me njerëzit, ato janë shumë shqetësuese ku ata shprehin hapur mjaft pakënaqësi për jetën e tyre.
Pikë së pari dua t’u them se, shikojmë një tension shumë të lartë, elektoral politik midis partive, e cila ka kohë që është ngritur. Ndaj ju bëj thirrje vëllazërore, për një qetësi dhe vetëpërmbajtje. Për këtë dua t’u theksoj të gjithëve ju, se gjatë takimeve në forma të ndryshme që organizoni me njerëzit, kur të shpalosni programet tuaja, përpiquni të jeni të pastër dhe të vërtetë në biseda dhe premtime. Mos u bëni hipokritë për hir të fitores tuaj e cila i bën “nder” Partisë që ju përfaqësoni. Njerëzit janë të tejngopur dhe të tejzhgënjyer nga politika gjatë këtyre viteve të “demokracisë”, ku disa deputetë thuajse nuk punuan fare për popullin. Sigurisht që ka patur dhe deputetë të ndershëm që janë përpjekur për mirë gjatë viteve.
Më të rinjtë nga ju tani e tutje do të quhen “politikanë”, ndonëse disa nuk kanë lidhje fare me politikën dhe as nuk kanë një diplomë të tillë. Por, ju e dini se : politika është shkollë jo injorancë, politika është eksperiencë jo menefregizëm, politika është zgjuarësi jo bashibozukëri, politika është patriotizëm jo abuzivizëm, politika është diplomaci jo rrugaçëri, e të tjera .. populli shpreson ta mësojnë gjatë rrugës, por sa ta mësojnë disa, ka rrezik që rruga të ketë mbaruar. Të paktën ruani ndershmërinë e shqiptarit dhe të familjes tuaj për të mos zhgënjyer njerëzit. Premtoni ato që ju mund t’i bëni.
VËLLEZËR ! Nderi i shqiptarit nuk shitet për pesë lek. Duhet të bëni shumë kujdes. Sepse ky vend është shkatëruar dhe masakruar nga premtime boshe, nga korrupsioni e krimi e të tjera .. aq shumë sa asnjë pushtues apo luftë nuk do ta bënte në këtë gjendje. Ju, po merrni një detyrë të madhe përsipër. Sot në këtë kohë, ju jeni shpresa e fundit e këtyre njerëzve, që siç thotë populli : “Nuk mban më ujë pilafi” !..
Unë nga ana ime ju vlerësoj dhe ju uroj, për këtë mision që kini marë dhe ju shikoj juve në këto momente si : “VAKSINA E SHPËTIMIT” të popullit dhe Shqipërisë. Dhe kështu duhet të bëheni vërtet. Nga ju pritet të “shëroni” këta njerëz të ardhmen e tyre dhe vendin tonë. Nga ju varet gjithçka, duke ngritur zërin tuaj në Parlament. Nëse ju do të jeni vërtet të sinqertë dhe të përgjegjshëm për këtë mision. Unë mendoj se: “KA ENDE SHPRESË SHQIPËRIA”, por duhet ta dini se : “NUK KA MË KOHË PËR TË HUMBUR”. Boll me “spektaklet” e fushatës, apo dhe ato parlamentare nesër, televizive .. me zënkat dhe mëritë e interesave tuaja të ngushta e të tjera !.. Uleni tonin e konflikteve tuaja, të zhurmëshme të panevojshme për popullin !..
VËLLEZËR KANDIDATË ! Përpiquni për njerëzit dhe vlerësoni jetën dhe pronën e tyre, që ata ta kenë atë të sigurtë. Flisni nga afër me ata si të ishin njerëzit e familjes tuaj, se Shqiptarët janë popull shembullor që mendojnë për familjen dhe kanë besim tek Zoti. Vota e tyre, është një besim që krijohet duke shpresuar tek ju. Përkrahini njerëzit të punojnë, por dhe ju vetë, lutuni dhe falenderoni Zotin, që jeni zgjedhur t’iu shërbeni njerëzve dhe kombit tuaj. Kujdesuni për ata, të mbrojnë shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Jepni shembullin tuaj se si ata të krijojnë familje të bukur, me respekt reciprok tek çiftet dhe si të edukojnë fëmijët. Përkrahni rininë të punësohet dhe të japin kontributin e tyre në vendin e tyre, sepse ata do të vazhdojnë veprën e ndërtimit në këtë vend. Ktheni shpresën tek rinia që mos largohet në emigracion.
Ndihmoni punonjësit e Rendit të respektojnë të drejtat e njerëzve dhe të ndalin dhunën ndaj tyre. Mos jenë vegël e politikës. Bëhuni ju të parët zbatues të ligjeve të shtetit, dhe jo të parët shkelës të tyre. Prokurorët, gjykatësit, mësuesit, mjekët e ndershëm e të tjerë.. janë “Kripa e tokës”, ndihmojini ata të bëjnë punën pa u ndikuar nga ju me urdhëra, si të jeni “padronët” e tyre.
Sot që ju i kërkoni votën njerëzve, derën e shtëpisë së tyre e kini të hapur ata ju presin, po ju a do ta kini nesër të hapur derën tuaj për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre ? Shikojeni Shqipërinë si familjen tuaj të madhe. Ajo ka vite që lëngon vetëm e vetëm nga politika e keqe dhe politikanët e koruptuar. Mos haroni se gjithë populli, të varfërit, të vejat, jetimët janë vëllezërit dhe motrat tuaj. Mbani lidhje me emigrantët, kanë shumë probleme për të zgjidhur. Shpresa e tyre sot, jeni ju.
VËLLEZËR ! Kujdesuni për injorancën kombëtare, shkollimin e fëmijëve, të sëmurët, njerëzit në nevojë e të tjera .. Populli duhet ndihmuar. A e dini se nuk po plotësojnë dot nevojat më elementare familjare dhe të fëmijëve të tyre ? Mos o Zot, të dalë dhe një lypës përpara dhe duhet të ndrosh rrugën nga turpi se nuk ke çfarë ti japësh. Ju lutem !.. Mos i haroni njerëzit. Ju të gjithë kini dalë nga ky popull. Të jeni të sigurtë se askush nuk kërkon lluksin, por vetëm normalitetin .. “bukën e përditëshme”.
Ju duhet të përpiqeni shumë për ekonominë e vendit, për shëndetësinë etj.. duhet të ofroni ndihmë edhe për problemet shpirtërore në komunitetet fetare të njerëzve dhe bashkëjetesën midis feve. Si p.sh : Mbi pronat e komuniteteve e të tjera.. Nuk mjafton vetëm puna e tyre, por edhe shteti dhe ju duhet ti ndihmoni, sepse komunitetet fetare ndihmojnë njerëzit dhe edukojnë besimtarët e Zotit me ndjenjë shpirtërore, për të qenë patriotë dhe njerëz të vlefshëm për atdheun e tyre. Çfarë do të bëni ju për artet dhe kulturën në Shqipëri, të cilët përpiqen t’i japin emrin e mirë vendit, ta ngrejnë atë në arenë ndërkombëtare, për të qenë edhe ne më pranë Europës ?
E pra.. Nga të gjithë ju varet e ardhmja e vendit. Ju jeni pjesë e këtij trupi, “mishi” dhe “kocka” e këtij populli. Sigurisht që ka dhe shumë të tjera probleme të rëndësishme që ju duhet të përballeni nesër. E dimë që të gjitha nuk mund të realizohen kërkesat dhe nevojat e njerëzve 100%, por më elementaret janë plotësisht të realizueshme, sepse janë provuar që shumë prej tyre kanë qenë të realizuara, por tani dhe ato janë prishur. Bisedoni hapur me njerëzit dhe do mësoni shumë më tepër nga ata mbi hallet e këtij populli. Ju vetë duhet të largoni nga rradhët tuaja të kandidimit, personat e përfolur dhe të korruptuar të deritanishëm. Ka akoma njerëz të ndershëm ky vend.
Dhe vërtet, ky vend ka patur disa njerëz që e kanë përfaqësuar shumë mirë në vite dhe janë përpjekur për popullin, por tani !?..
Askush nuk po merret me njerëzit, por mendojnë vetëm si e si të mbrojnë abuzimet e tyre dhe të bëhen të zgjedhurit dhe “paria” e përjetshme e vendit. Nëse do të mendojë dikush kështu, apo nuk do të përpiqet për popullin dhe Shqipërinë, është më mirë të tërhiqet dhe mos i hyjë fare kësaj pune.
Por.. dhe populli, derisa do t’u zgjedhë ju për ta përfaqësuar në Parlamentin e Shqipërisë, do të kërkojë gjithmonë me forcë të drejtat e tij, dhe kam besim që nuk do të tolerojë akoma, që jeta dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre të jetë e pasigurtë dhe e nëpërkëmbur. Përpiquni për ekonominë e vendit dhe të popullit, standartet e jetesës së tyre, dhe hapjen e vendeve të punës. Përpiquni të bëni ligje të mira në funksion të popullit dhe Shqipërisë. Përpiquni ta justifikoni besimin, me punën tuaj të ndershme.
VËLLEZËR KANDIDATË ! Duke ju renditur këto shqetësime që dëgjoj çdo ditë nga njerëzit, besoj se shumë nga këto ju i dini sepse këtu jetoni edhe ju.
Por unë sot, po plotësoj sado pak atë që atyre ju ka munguar : “Komunikimin për të qarë hallet me të zgjedhurit, për të biseduar dy fjalë .. ata me ju”.
Dhe për këtë besoj se do ti merrni në konsideratë, vëllazërisht dhe qytetarisht.
Tani e keni ju rradhën ti dëgjoni njerëzit, duke ju plotësuar ato që ata kërkojnë, kërkesat minimale për jetën e tyre.
Prandaj edhe unë sot, popullit të vendit tim do ti drejtohesha duke e inkurajuar me këto katër vargje të mija :
Mos u dekurajoni, vëllezër !
Vendin e mban gjallë qytetaria,
Ejani të punojmë së bashku,
“Ka ende shpresë Shqipëria” !
Po !.. Me ata që do të votojë populli, shpresojmë se : KA ENDE SHPRESË SHQIPËRIA ! Për këtë i lutemi Zotit që ky vend i begatë dhe këta njerëz puntorë dhe trima, të jenë vërtet të zotët e tij dhe të vetvetes, ta ndërtojnë dhe të jetojnë si njerëz dhe jo ta braktisin atë.
Lutem për të zgjedhurit dhe uroj të kenë bekime nga Zoti.
Jemi në pritje të tregoni që, vërtet besimi i popullit nuk do të shpërdorohet nga ju.
Tani nga ju pritet të shikohen “Frutat, e ndryshimeve të mëdha” në këtë vend.
Faleminderit !
Zoti ju ndihmoftë vëllezër !
Me bekime nga zemra për ju :
Ikonom :
AT SPIRO KATUNDI
2021

Burimi/Facebook