Sytë e Tetovës – Reportazh nga Namik Selmani

0
17

“…..Të kisha sytë e Tetovës për të parë Çamërinë time !Të kisha…….!
Ky monolog falëshkurtër më ndoqi hap pas hapi në ditët e qëndrimit tim në Tetovë më 10- ditët e fundit të qershorit kur Tetova u kthye në një strehë të ngrohtë e shqiptarizmës ,streha e vlerave të panumërta kulturore që krijon pandërprerë kombi shqiptar.Kënga,vallja,fotografia ,fjala e magjishme e skenës e interpretuar nga aktorët më në zë të saj si Artistja e Popullit Margarita Xhepa ,nga aktorët zëmagjishëm të teatrit ‘Migjeni ‘ të Shkodrës Bruno Shllaku e Paskalina Gruda (Shllaku) deri te ëmbëlsia e mikpritjes tetovare solli në mjediset e saj ata që i jetësojnë këto vlera , që i rrezatojnë e i kthejnë në institucione të fuqishëm që do t’i kishin zili edhe kombe të tjerë. Erdhën nga vise të largëta e të afërta. Nga Tirana e Prishtina. Nga Berati e Shkodra. Nga Gjirokastra e Gjilani.Ishte një pjesë e identitetit kulturor që shfaqej bukur emocionues. Drejtori i Qendrës Kulturore e njëkohosisht ideatori dhe mikpritësi i veprimtarisë që e kishin titulluar “DITËT E KULTURËS NË TETOVË” Ejup Mamuti që në momentet e para të takimit me artistët e ardhur jeton me emocionet e shqetësimin për të mos iu munguar asgjë vëllezërve të ftuar.Në fytyrën e fjalën e tij të matur e të ngrohtë urimi shumëfishohet. Dashamirësia merr fytyrë të re.Të kujton pak se ka qenë 12 vjet në burgjet sllave.Jo më pak ka merakun e prindit që djali i tij i vetëm 12-vjeçar, i quajtur Berat, të jetë pjesë e diellit të shpirtit të tij,pjesë e diellit të shqiptarizmës.Në një bisedë miqsh një poet nga Kosova tek e dëgjonte tha se Tetova është një copë e diellit shqiptar që e vendosur në prehërin e Sharrit legjendar duket si një gur i rëndë , bukur i fortë, bukur i pashkulur asnjëherë nga vendi. E, në ato ditë qëndrimi si gurët e mbijetesës kulturore shqiptare i lexoje të gjitha :dëshirën për miqësi të reja, vlerat, krahun e zgjatur të bashkëpunimit e, mbi të gjitha ëndrrën e së nesërmes….
……..Pas dhjetra e dhjetra vitesh (pse mos ta themi pas afër një shekulli) që kur trojet shqiptare u copëtuan egërsisht )Parga e Dora D’istrias,Gumenica,nënat çame lotpathara nga dhimbja,burrat e bukur të rrudhur brenda një nate , tingujdrithërues të këngëve çame ,Saranda bukuroshe Paramithia me dhimbjen e pambaruar të genocidit grek,Profesori Hasan Tahsini e poeti jetëtragjik Bilal Xhaferri …vinin në Tetovë.Deti i ngrohtë i Çamërisë takonte në këto ditë valët e detit të dashurisë për trojet e të parëve e bëhej më i bukur më i madh…Kurrsesi si mysafirë të mbetur në udhët e historisë , po si motra te motra.Si vëllai te vëllai,Të gjitha futeshin të ekspozita fotografike më e plotë deri tani të titulluar “Fytyra e Çamërisë “ Sa pak hi na paska kujtesa e prushëruar e historisë!Vetëm sa e nisim detyrën e vështirë të cicëronit të saj dhe ndjejmë se të gjithë meditojnë për të.Profesori i Univerisitetit të Tetovës Ejup Hajdini na thotë se “filloi të mbajë Çamërinë në shpinë”Prekin fotografitë.Pyesin e pyesin.Në sallë ndjehet kënga e Çelo Mezanit si një dekor i dhimbjes dhe i optimizmit.Sy të ngrohtë. Fjalë të ngrohta si mijëra hoje të mjaltosura .Urime që ajo të bëhet shpejt,sa më shpejt. Po edhe lotë,lotë.Gazetarja fytyrëqeshur e RADIO KOSOVËS Radije Hoxha mban fort,fort mikrofonin e nuk do që t’i shpëtojë asnjë fjalë nga regëtima shekullore drithëruese e Çamërisë, e njerëzve të saj.Ndërkohë Radije Hoxha qan, qan. Falma lotin e bukur,motra Radije!Falma!Më jep sytë e tu që ta rishoh përsëri Çamërinë tonë e ta duam edhe më shumë së bashku !Posa mbaron regjistrimin, me një shkrim shumë të bukur shkruan “….Ah,Çamëri, plagë e hapur! ”Fletorja e përshtypjeve e improvizuar aty për aty nuk mund t;i mbajë të gjitha emocionet.Poetët e Kosovës,profëesorë të dëgjuar shqiptarë,aktorë e regjisorë ,nëna tetovare që kanë ardhur enkas për këtë ekspozitë nxitojnë të shkruajnë diçka.Piktorët AbdullaAzemi, Liridon Etemi e Burhan Amiti fiksojnë imazhet e tragjedisë çame.Regjisori Selfko Bogdani duket si në një skenë tragjedie ku të gjithë janë aktorë e spektatorë.Aktori Myzafer Etemi shkruan”…Më duket se Çamëria me fatet e saj e vargjet për të po shetit shtëpi më shtëpi për të më treguar se ajo është gjallë e iu takon shqiptarëve-çamë..”Sadetin Selmani shkruan “ kjo që po shoh ,gjithçka që shoh këtu dua ta kem në shtëpi…aty ku më zë gjumi….aty ku zgjohem….Mësuesi-poet e biznesmeni Kasem Shaqirvelaj tepër i emocionuar shkruan: “u shmalla për disa çste me historinë e kombit tim….Ekspozita për Çamërinë më mori me vete e më mbajti peng.”Poetja nga Tirana Shukrije Mudaj shkruan shkurt “
Borxh ma kanë Çamërinë
Nga Kosturi në Janinë
E paskan vendin e vet në këtë dolli fjale edhe artistët nga Shqipëria që nuk kanë patur mundësi ta shohin atë deri tani.Artistja e Popullit Margarita Xhepa që, porsa ka ndezur sallën me fjalën e saj poetike, shkruan ‘…historia e Çamërisë është e dhimbshme për të gjithë, por jemi me shpresë se një ditë do të marrë fund.”Aktori e regjisori i njohur shkodran Bruno Shllaku bashkë me bashkëshorten e tij aktoren Paskalina Shllaku janë mysafirë nderi të kësaj ekspozite .Heshtja e tij karakteristike sot është bërë më e dukshme . Të dy siglojnë një shënim “Me admirim për punën patriotike e artistike që pasqyron autoktoninë e vëllezërve çamë.”Një kronikë e gjatë e interesante e TV ART të qytetit të Tetovës me gazetarin e palodhur REAN SEITI i përcolli këto emocione në rreth 350 000 shikues që ai ka pas rreth 12 vjetëve të transmetimit të tij në Maqedoni.
Sa shumë emocione! Sa shumë sy! E Çamëria nuk ka pse të ndihet jetime. Pas Tetovës na pret Prishtina., Gjakova. Ah, sikur të kisha prapë sytë e Tetovës për të parë të nesërmen e saj!


Nga palca e ëndrrës së shqiptarizmës ka lindur përherë fjala e mençur.E derdhur bujarisht jo vetëm në odat e burrave, por edhe në libra.Të ardhur nga Prishtina ,Tirana ,nga Zvicra, por edhe nga të gjitha qytetet shqiptare të Maqedonisë poetët shqipvargëzues dukej se ishin takuar prej shekujsh.Duart e tyre si lulishte mençurie ndërrojnë librat më të fundit si ‘I mërguar në atdhe”,’Kroi i këngës çame”,Sheshi i shtigave’,”Pak është një unazë”,”Më shumë se dashuri””Rroftë e qoftë Lalëstani”” Fytyra e pasqyrës “.Pas kopertinave njerëzit përcjellin urime për të tjera vepra.Recitojnë flasin,urojnë organizatorët ,e … koha ikën si pa u kuptuar .Redaktori i revistës prestigjioze në tërë trevat shqiptare ‘Vlera’Iliaz Osmani ndjen se të tjera bashkëpunime trokasin të faqet e revistës së tij.Ai shkëput nervin e tyre MALLIN e na thotë :”Kënaqësia mbëltohet me vlugun e mallit .Ajo merr hov kur ndeshet me maninë që shkatërrohet në etje “Këngëtarja e talentuar Mifarete Laze edhe pse është e ngarkuar sot nuk ka refuzuar ftesën e miqve të këngës duke kënduar disa këngë nga repertori i saj Gazetari e studiuesi i njohur i kulturës arvanitase Arban Llalla,njëkohosisht edhe mik i Antoni Belushit mendon se duhet bërë më shumë për qarkullimin e vlerave tona..Poeti nga Prishtina Nehat S.Hoxha njëkohosisht edhe një menaxhues i mirë i veprimtarive kulturore mbarëkombëtare mediton e projekton një takim të tillë së shpejti në Prishtinë.Mjekërrbardhi Gani Xhafolli një poet mjaft prodhimtar për fëmijë e të rritur në Prishtinë thotë se ‘festa e poezisë dhe e Çamërisë duhet t’i bashkangjiten çdo qyteti në trevat shqiptare.”Nuk fsheh kënaqësinë e nxiton të thotë :”Mirë u takofshim në Prishtinë!”


Vizita në familjen e fotografit të vjetër Xhemil Daci ishte befasuese për të dy palët.Kishim me vete tregtarin buzagaz Ahmet Sulejmani që e kishim njohur teksa kërkonim studion e Xhemilit. Për disa çaste u bëmë dëshmitarë të dhimbjes njerëzore të Xhemilit kur më 1989 ai punonte në televizionin e Prishtinës e me sytë e tij shihte se si ishin djegur rreth 15 000 negativë të arkivit .Një kujtese 20 vjeçare që shkrumbosej tragjikisht .Mes gazit të hapave të mbesës Lehona e të luleve të rralla të kopshtit e të kafesë së miqësisë së re s’e kuptuam se si ikte koha .Por befasia na priste në mbrëmje . Me Ejupin ,poeten Miradije Maliqin e këngëtaren Mifarete Laze shkuam për të pirë një kafe në lokalin ‘SOLE” ku ishte pronar z.Milaim Nuredini.Ishte njëri nga disa vëllezër që e ushtronin këtë biznes në Slloveni,Gjermani etj Meqë kaloi pak nga koha e caktuar nga komuna policia e thërret në zyrat e saj e i kërkon me çdo kusht që të nxirrte jasht klientët .”Jo ,bre burra!Jo! Ata janë mysafirët e mi e unë nuk i nxjerr në asnjë mënyrë jasht .Lokali është një herë edhe shtëpia ime e unë jam i nderuar që sot kam njerëz të tillë.” Ne nuk e kuptonim se ç’bëhej me të në rajonin e policisë e kur e morëm vesh na erdhi keq për këtë incident që bëhej në emër të mikpritjes shqiptare.
Nga çdo shtëpi e lokal i Tetovës dritaret shikonin nga fshatrat që para disa vitesh u bënë skena ngjarjesh kur shqiptarët kërkonin të drejtat e tyre sidomos ato të gjuhës që ende nuk ishin respektuar në këto treva.Regjisori Ejup Mahmutaj drejtori i Qendrës Kulturore të Tetovës na përcjell për në udhën e kthimit deri në doganë. Një sakrificë për moshën e tij.
-Zakoni e do që unë t’ju përcjell në portën e shtëpisë sime që nuk ëhtë vetëm Tetova,por edhe Gostivari,Struga,liqeni…
Tek po i linim malet e gjelbëruar të Gostivarit më erdhën sërish në mendje poetët ,njerëzit e thjeshtë,fëmijët paqësorë e thashë sërish me vete :
– Të kisha sytë e Tetovës Gostivarit ,Prishtinës Ulqinit,Deçanit,Drenicës,Krujës ,Tiranës ,Manastirit për të parë Çamërinë time!
Njësoj sikur të kisha mijëra dritare për të parë sa më afër Malin e lartë të Dashurisë ,Dhimbjes e Bashkimit nga të gjitha anët,nga të gjitha majat!