Takim me martirët: i Lumi dom Ndoc Suma, martir

0
84

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit – Vatican News “Takim me martirët”, e sot nё pjesën e 19-tё dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom Ndoc Suma, meshtar e martir. Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona…
R.SH. – Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit – Vatican News “Takim me martirët”, e sot nё pjesën e 19-tё dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom Ndoc Suma, meshtar e martir. Ishte i varfër, por me një zemër të madhe. Shquhej për butësinë, dashamirësinë, bujarinë dhe bamirësinë e tij. Përgatitja për sakramentet qe angazhimi i tij parësor.

Njihej gjithashtu edhe si një etnolog i mirë. Me ardhjen e qeverisë komuniste, në fund të vitit 1944, gjendja në Shqipëri u rënduar shumë e sidomos për Kishën Katolike e dom Ndocit tha: “Ne ia kemi dhuruar jetën tonë Hyjit dhe popullit, le të ndodhë ç’të dojë, por ne do të qëndrojmë me popullin”. U arrestua nga regjimi komunist me 8 dhjetor 1946 dhe u dënua me 30 vjet burg e punë të detyruar.

Pas 7 vitesh burgimi u paralizua dhe u dërgua në spital. Duke parë se jeta e tij po përfundonte, e liruan më 25 nëntor 1954. Në Pistull më 22 prill 1958 i sosi ditët e veta pasi u rrëfye, u kungua dhe u vajua nga dom Nikollë Mazrreku. Dom Ndoci qe martir gjatë torturave, në gjyq, në burg në punën e detyruar, por edhe më martir në durimin e sëmundjes së gjatë dhe të dhimbshme. Nuk shprehu kurrë urrejtje apo zemërim për xhelatët e vet, por si një qengj i butë plot me dashurinë e Krishtit u flijua për fillimin e një jetë të re. Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona…

I lum i dom Ndoc Suma n. 19-tё

I lum i dom Ndoc Suma lindi në fshatin Nënshat më 31 korrik 1887. Ishte fëmija mashkull i fundit i Palokës dhe i Mrikës. Gjatë jetës do të mbajë mbiemrin e lagjes, Suma, dhe jo atë të familjes, Kaleta. E jetoi fëmijërinë në gjirin e ngrohtë të familjes, në një atmosferë plot devocion të thjeshtë e të përzemërt, që përbëhej nga lutja në familje, nga Mesha e së dielës dhe nga vëmendja ndaj nevojave të të tjerëve.

Që i vogël ndjeu në zemër thirrjen e Krishtit, prandaj prindërit, duke parë këmbënguljen e tij, kërkuan dhe morën nga arqipeshkvi i Shkodrës lejen për ta pranuar në seminar. Në seminar qëndroi deri në moshën 22 vjeç, duke përfunduar dyvjeçarin e parë të kursit të teologjisë. Dyvjeçarin tjetër teologjik e vazhdoi pranë kolegjit Canisianum në Innsbruck të Austrisë. Shugurohet meshtar në Shkodër më 21 shtator 1911 e menjëherë do të angazhohet në jetën baritore në dioqezën e Sapës, fillimisht si ndihmës në famullitë e Kçirës, Komanit e Naraçit. Më pas, prej vitit 1932, për dymbëdhjetë vjet, do të jetë në Laç të Vaut të Dejës e nga viti 1944 e derisa vdiq, në Pistull, duke mbuluar edhe famullinë e Plezhës. Nga viti i shugurimit të tij meshtarak, 1911, e deri në vitin e arrestimit të tij, 1946, për 35 vjet me radhë punoi shumë duke u kujdesur për popullin e krishterë me zell dhe pasion. Me një trup mesatar, me një lëkurë të bardhë e me mustaqe, kishte pamjen e një zotërie, e në të njëjtën kohë ishte i thjeshtë dhe rinor.

Shquhej për butësinë, dashamirësinë, bujarinë dhe bamirësinë e tij. Përgatitja për sakramentet qe angazhimi i tij parësor, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë përgatitjes së të rinjve për martesë. Kishte një fe të fortë dhe ishte shumë i devotshëm, gjë që e shfaqte sidomos ndaj të Shenjtërueshmit Sakrament, Zojës dhe Shën Jozefit. Me gjithë zemër përgatiste procesionin e Corpus Domini-t. Përgatiste për këtë festë tre altarë në vende të ndryshme, larg njëri-tjetrit rreth një kilometër, ku mblidheshin besimtarët nga fshatrat e ndryshme. Ishte një organizues dhe gjallërues shumë i mirë i grigjës së vet, si dhe bëri ç’mundi për të organizuar laikatin e çdo moshe.

E dëshmon një artikull i shkruar nga i Lumi dom Ndre Zadeja në revistën dioqezane “Kumbona e së Diellës”, në vitin 1938. Me fjalë të thjeshta e të gjetura vihet në dukje zelli i treguar prej dom Ndocit për zgjerimin e “Veprimit katolik”, filluar prej paraardhësit të vet, dom Nikollë Sheldisë. Në Pistull themeloi Kongregatën e Bijave të Marisë. Një tjetër veçori e tij ishte shërbimi ndaj të sëmurëve, gjë që e bënte me shpirtin e samaritanit të mirë. Ishte gjithashtu shumë pajtues. Mbesa e tij, stigmatinja motër Marije Kaleta, pohon se në një këngë popullore që këndohet në zonën e Pukës, shoqëruar me çifteli, dom Ndoci kujtohet si person që pajtoi dy fshatra: Kçirë dhe Dush.

Angazhohej edhe për pajtimin e atyre që ishin në gjak. Mes shumë episodeve, është njëri i treguar nga Tomë Lumçi: “Me datë 6 janar 1945, pas kremtimit në Plezhë, dom Ndoci shkoi te një i sëmurë, Tom Jaku. Ndërsa gjendej atje, në fshat filluan të shtëna armësh mes dy familjesh. Duke dëgjuar të shtënat ai u drejtua drejt atyre shtëpive dhe me të mbërritur në vend ngriti të Shenjtnueshmin Sakrament Eukaristik, që kishte me vete dhe hyri mes dy zjarreve dhe thirri: “Në emër të Krishtit ndaloni zjarrin”. Menjëherë u ndaluan të shtënat. Pas disa ditësh u kthye për të vendosur paqen mes dy familjeve dhe brenda dhjetë ditësh arriti t’i pajtonte”.

Ishte i varfër, por me një zemër të madhe. Njëherë, dy familje myslimane nga Paçrami, ajo e Tahir Avdylit dhe ajo e Xhafë Haxhisë, jetonin në mjerim. Duke qenë afër me tokat e Kishës, dom Ndoci iu dha atyre mundësinë ta shfrytëzonin atë tokë për të ushqyer familjet. Njihej gjithashtu edhe si një etnolog i mirë. Në vitet 1932-1936 në revistën “LEKA” botoi punimin “Mitologjia”, që pati shumë sukses. Me ardhjen e qeverisë komuniste, në fund të vitit 1944, gjendja në Shqipëri u rënduar shumë e sidomos për Kishën Katolike. Në këtë situatë, pohon mbesa, motër Marije Kaleta, i ati i jepte të kuptonte dom Ndocit mundësinë e arratisjes, por ky i përgjigjej: “Ne ia kemi dhuruar jetën tonë Hyjit dhe popullit, le të ndodhë ç’të dojë, por ne do të qëndrojmë me popullin”.

Si thikë në zemër i mbërrinin lajmet e arrestimeve në masë të meshtarëve dhe të pushkatimeve të një pjese prej tyre. Por edhe për të regjimi mezi priste të gjente një pretekst për ta asgjësuar, dhe shkaku u gjet me vrasjen në Shelqet të komunistit Ndoc Shtjefni. Regjimi menjëherë arrestoi dom Ndocin dhe dom Luigj Prendushin. Ishte data 8 dhjetor 1946, festa e Zojës së Papërlyer, e dom Ndoci sapo kishte kremtuar Meshën në Plezhë, kur një korrier e njoftoi që të paraqitej në mbledhjen e organizuar në Mjedë. Pa ditur arsyen u paraqit e aty iu numëruan një seri akuzash të rreme dhe përpara të gjithëve i vunë prangat dhe e çuan në burg në Shkodër e pas 5 ditësh e transferuan në burgun tjetër: Burgun e Madh, po në Shkodër. Pas arrestimit të tij, Kisha në Pistull u kthye në magazinë dhe qela u shtetëzua. Sipas dëshmisë së Atë Zef Pllumit, aty në burg meshtarët “i vendosën në odën n. 5, ish-depoja ngjitur me WC-në allaturka. U mat vendi dhe secilit i ra për hise nga 29 cm. Përveç orarit të burgut, vetë meshtarët kishin caktuar edhe një orar lutjeje dhe meditimi që zakonisht i drejtonte mons. Mikel Koliqi”.

Dom Ndoci, kur u arrestua, ishte 59 vjeç dhe shëndetlig. Pas një gjyqi farsë më 16 dhjetor 1946, u dënua me 30 vjet burg e punë të detyruar në Beden të Kavajës e më pas në Maliq të Korçës. Me gjithë dobësinë e vet fizike, prapë e tha “fiat”-in e vet për t’iu dorëzuar edhe një herë planeve të Hyjit. Siç dëshmon edhe patër Giacomo Gardin-i “puna dhe vuajtja në këto kampe ishte një ferr i vërtetë që nuk kishin asgjë për t’u lakmuar kampeve naziste… Komandanti i kampit në Beden u thoshte të burgosurve për grupin e meshtarëve: “Mbytni këta qêna kur t’i keni mbarue kanalet”. Dom Ndoci ishte gjithmonë plot guxim dhe i qetë. Fshehtazi rrëfente ndokënd. Por nga vuajtja, shëndeti i tij përkeqësohej dhe pas 7 vitesh burgimi u paralizua dhe u dërgua në spital. Duke parë se jeta e tij po përfundonte, e liruan më 25 nëntor 1954, por ia ndaluan të kremtonte Meshë në publik. Edhe pse në gjendje të keqe shëndetësore e dërguan të jetonte në ahurin e qelës, ku dikur famullitari mbante bagëtinë.

Regjimi gjithashtu bënte presion mbi fshatarët që të mos e ndihmonin. Më 16 maj 1956 iu dha prapë leja për të kremtuar dhe ai, edhe pse me vështirësi nga paraliza, nuk e la pas dore kremtimin e Meshës ku e pati të mundur. Pos nga zemra, vuajti tmerrësisht nga kanceri në stomak dhe nuk pati ilaçe për të qetësuar dhimbjet. Kishte një besim të fortë dhe kush shkonte ta takonte shihte tek ai një Job të ri që, përtej kllapive të shkaktuara nga dhimbjet e forta, qëndronte i qetë dhe i butë për të bërë deri në fund vullnesën shenjtëruese të Hyjit. Në Pistull më 22 prill 1958 i sosi ditët e veta pasi u rrëfye, u kungua dhe u vajua nga dom Nikollë Mazrreku.

Në momentin e vdekjes, përveç mbesës, motër Marijes, ishte Nikollë Dragusha dhe dom Kolë Shkoza. Ndërsa meshtari lutej, fjala e tij qe: “Libera me!”, ndërsa fjala e fundit ishte: “Shën Jozef, i Shenjtërueshmi Sakrament”. Dom Ndoci qe martir gjatë torturave, në gjyq, në burg në punën e detyruar, por edhe më martir në durimin e sëmundjes së gjatë dhe të dhimbshme. Nuk shprehu kurrë urrejtje apo zemërim për xhelatët e vet, por si një qengj i butë plot me dashurinë e Krishtit u flijua për fillimin e një jetë të re… të lavdishme, pasi krejt jeta e tij ishte vënë e sigurt në zemrën e Shëlbuesit, të cilit i qëndroi besnik deri në fund, duke mbetur për të gjithë ne si një thirrje për koherencë, besnikëri dhe heroizëm të krishterë.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Ndoc Suma, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

Burimi/vaticannews.va/