TË RIKTHEJMË NË VATËR FRYMËN E SHENJTË VATRANE

0
142

Nga Dalip Greca*- Vatranët i bashkon fryma e shenjtë e Vatrës, fryma e bashkimit, e dashurisë për Vatrën, për Kombin, për njeri-tjetrin, frymë që e plazmuan krijuesit e saj. Në editorialin përcjellës të Kryetarit-Ikonë të Vatrës, të ndjerit Agim Karagjozi, lider i dy dekadave në krye të Federatës, pata trajtuar frymën e shenjtë të Vatrës. Editoriali është publikuar në numrin special, kushtuar përcjelljes të kryetarit Karagjozi, Dielli i prillit 2018.

Po citoj veten:” Agim Karagjozi dha për Vatrën gjithçka kishte, por mbi të gjitha shpirtin e tij e njësoi me shpirtin dhe frymën e Vatrës. Po po, Vatra është Frymë, është shpirt.Është frymë Kombëtare, është shpirt atdhetar, ai që nuk e ndjen këtë nuk mund të bëhet vatran i përkushtuar. ..”

Nuk ka qenë e lehtë për vatranët, mbajtja e Vatrës bashkë, me të gjitha degët, por me sakrifica, është arritur. Tendencat përçarse janë tejkaluar dhe Vatra pas sprovash të vështira, edhe kur është plasaritur nga përçarjet, zilitë, tendencat individualiste, familjare, krahinore, fetare, karrieriste, ka arritur të ngrihet mbi to dhe ka rikthyer frymën e shenjtë të bashkimit.

Në dekadat e para përçarjen e nxiste edhe propaganda greke, por Vatra duke pasë në krye burra të ftilluar e të ditur, arriti që të fitojë mbi grekërit dhe ta mbajë bashkë frymën e bashkimit. Fryma e bashkimit u rrezikua seriozisht në vitin 1917, kur Partia Politike e ish kryetarit K. Dako shkëputi një pjesë të konsiderushme të anëtarësisë, por Vatra sërish gjeti veten dhe përmes një aksioni Kombëtar siç ishte Fushata për shpëtimin e Shqipërisë, 3 qershor 1917, arriti të shpëtojë jo vetëm veten e vet, por edhe Pavarësinë e rrezikuar të Shqipërisë. Pikërisht në ato vite Vatra bëri punë të mëdha për Kombin.

 Një rrezik tjetër i madh iu turr Vatrës më 1936, kur mosmarrveshjet brenda vetes krijuan një të çarë të madhe në trupin e saj. U duk fillimisht se anija e Vatrës kishte pësuar dëme të mëdha nga dallgët e zemrimit. Çarja ishte e pariparushme për momentin. Ndarja nuk u shmang. U krijuan dy Vatra, njëra,- Vatra mëmë mbeti në Boston,- tjetra-bijëza në Michigan. U krijuan dy gazeta Dielli, për dy vatrat respektive. U nda e u përça Vatra, por në të dy pjesët e ndara, egzistonte në anëtarësi fryma e shenjtë e bashkimit. Pushtimi fashist i Shqipërisë i tronditi të dy Vatrat dhe sërish u bashkuan, bijëza u kthye tek Mëma.

Por me kaq nuk u sosën hallet e Vatrës së moçme.Një tjetër ndarje ndodhi në vitet e turbullta të Luftës së Dytë Botërore, me 28 Dhjetor 1941, Kostë Çekrezi, patriot, demokrat, antimonarkist, shkrimtar, gazetar, që kishte miq me influencë në administratën Amerikane, i shkëputi një pjesë të konsiderushme Vatrës dhe mori shumë emigrantë në radhët e Organizatës oponente që krijoi përballë Vatrës dhe që e emërtoi “Shqipëria e Lirë”. Shqipëria e Lirë dhe Vatra ishin ballëpërballë në një rrugëtim të gjatë, ashtu siç ishin në përballje dhe dy gazeta”Dielli” e “Shqipëria e Lirë”. E para u shfrytëzua nga qeveria komuniste e Tiranës dhe u bë instrument i saj. Çekrezi e nuhati shpejt dhe bëri divorcin me krijesën e vet. Gjithësesi Vatra e vuajti hemoragjinë që krijoi Shqipëria e Lirë dhe iu drejtua për ndihmë Mbretit Zog, që në atë kohë ishte në Kanë të Francës.Mbreti iu përgjigj pozitivisht kërkesës së vatranëve për të anëtarësuar në Vatër legalistët. Kështu që në vitin 1959 Vatra rinisi rimbushjen e radhëve duke pranuar si vatranë jo vetëm legalistët, por nga të gjitha kategoritë e nacionalsitëve që kishin lënë Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore.

      Tash ka nisur një goditje tjetër, e pesta sipas radhës, që edhe pse është në minorancë, nuk i bën mirë frymës së shenjtë të bashkimit.

Po, kush e cënon sot frymën vatrane dhe kush po përçanë Vatrën? Është një grupim fare i vogël që me deklarata e komunikata të pa pamatura, dhe së fundi me një aventurë të rrezikshme për Federatën, krijimin e degës, ka kaluar në eksterm, pa i llogaritur dëmet që po i bën me ndërgjegje Vatrës. Nuk dua të besoj se pas kësaj aventure fshihen interesa që kanë të bëjnë me VATRA FOUNDATION INC., Presidenti i të cilit, ka kohë që në mënyrë arbitrare ka shpallë pavarësinë nga Vatra dhe prej vitesh nuk pranon të informojë strukturat e Vatrës për veprimtarinë financiare!!. Përveç presidentit Kaliqi, kush ka interes ta mbajë larg Vatrës këtë fondacion? Çfarë veprimtarie ka kryer ai deri me sot? Pa zgjidhur këtë enigmë nuk mund të kuptohen motivet e vërteta të arkitetktëve të përçarjes së Vatrës me vatër paralele. Si mund të krijohen degë të Vatrës pa patur autorizim me shkrim nga qendra? Pretendohet për mosrespektim të institucioneve nga qendra, dhe shkelen symbyllurazi institucionet e Federatës, prej këtyre që pretendojnë të vendosin në vend drejtësinë e munguar!

Vendimet e rëndësishme, historikisht Vatra i ka marrë në Kuvende. Edhe në Kuvendin e fundit, të 19 Janarit të 2020-ës, Vatra nuk e njohu të vetshpallurin”Komision të 5 tetorit”-, por edhe i panjohur, ky komision paska nisë krijimin e degëve! Por natyrisht nuk është e lehtë që të gjenden vatranë të vërtetë, nga ata me frymën e shenjtë vatrane,(përjashtojmë nga ky gjykim të mashtruarit) që vullnetarisht të ndërmarrin aventurën e përçarjes së Vatrës duke u anëtarësuar në një vatër të paligjshme? Kur Federata paralajmëroi krijimin e degëve të reja, këta vrapuan dhe sajuan një degëz në Staten Island-NY, me 8 apo 10 veta. Në fakt në fotografitë e publikuar duken 10 persona, por Dielli kontaktoi me njerin prej anëtarëve të Këshillit të Federatës, i pranishëm në fotografi, i cili ishte i ftuar në atë “themelim illegal”, pa e ditur fare qëllimin. Ai pohoi se nuk ka pranuar të bëhet pjesë e asaj dege, sepse siç tha ”Nuk jam për përçarje”… Vazhdoj të jem anëtar i Federatës dhe i Këshillit të saj, ndërsa një tjetër prej dhjetshes, nuk ia vlen t’ia përmendim emrin sepse ka vite që ai e qëllon me gurë Vatrën dhe nuk besojmë se do të ketë dashuri të madhe për të ashtuquajturin “Komision i 5 Ttetorit”.

     Krijues i degës me 8 veta qenka Uk Gjonbalaj, i cili iu bashkëngjit “Komisionit 5 Tetorit 2019”, ndërkohë që jo shumë kohë më parë(Dhjetor 2018) shkroi në statusin e tij në fb me rastin e nderimit me Mirënjohje nga Kryetari Dritan Mishto:” Se Vatra është në rrugë të drejtë dhe po bën atë që duhej të bënte shteti shqiptar! Faleminderit Vatrës! Faleminderit Kryesisë!…Faleminderit Kryetarit!”…

Ku shkuan gjithë këto falenderime për qendrën? Çudi e madhe, kur u prish Uka me qendrën?…Gjithësesi Federata nuk e ndjen fare largimin e Ukës sepse më shumë se dhjetë Gjonbalaj janë anëtarësuar në VATËR, pas ikjes së tij tek Komisioni i paligjshëm!

     Të gjitha këto përpjekje, përfshi dhe paralelizmin në facebook, në ndonjë portal të rëndomtë, apo të ndonjë gazete, që bëhet strehë e paligjshmërisë së këtij grupimi, janë të destinuara të dështojnë, siç kanë dështuar në 108 vite të gjitha tentaivat përçarse.

     Qendra e Vatrës ka ruajtë gjakftohtësinë dhe nuk ka ndërmarrë veprime publike, nuk ka përmendur emra, por ajo do të veprojë sipas Kushtetutës së vet dhe ligjeve të shtetit ku jetojmë.

Veprimet e pamenduara që kanë ndërmarrë disa persona për të dëmtuar Vatrën, për të krijuar Vatër të dytë, vetëm frymë vatrane nuk mund të kenë. Le të presim dhe të shikojmë se deri ku do të shkojnë veprimet e tyre; historia do t’i gjykojë….

Tash është koha që sejcili të gjykojë veprimet e veta. Është koha që të kthejmë frymën e shenjtë vatrane, përçarjet nuk bëjnë gjë tjetër veçse baltosin individët dhe vënë në pikëpyetje motivet e punës së tyre të deritanishme në Vatër.

Vatra duhet të nxjerrë mësime nga krijimi i këtij fraksioni dhe të punojë më shumë për të kultivuar frymën bashkuse. Edhe veprime që duken të parëndësishme; ato që nuk i shohim, por i ndjejmë, telefonatat, email-et që zgjojnë zili,ky tha kështu për ty, ai tha ashtu,… por ai të do, ky s’të do… thashethemet, mund ta vrasin frymën e bashkimit. KUJDES!

I ndjeri Karagjozi na e la Vatrën e bashkuar, le ta rikthejmë sërish frymën e Tij sepse është vlerë për Vatrën e sotme dhe duhet t’i shërbejë vatranëve si model përkushtimi. Që ta rikthejmë këtë frymë duhet ta çlirojmë shpirtin nga qejfmbetjet, grindjet,dukja, xhelozirat profesioanle por dhe sociale, shpirti karrierist, dhe të vendosim mbi gjithçka frymën kombëtare, e cila qëndron në themelet e Federatës. Vatra do punë, jo fjalë!

  • EDITORIAL I DIELLIT- PRINT- KORRIK 2020

Burimi/gazetadielli.com/