Teatri Aleksander Moisiu Durres – 1 vit pa Mjeshtrin!

0
7

Gjergj Vlashi ishte shkrimtar, dramaturg dhe përkthyes i autorëve të rëndësishëm të letërsisë botërore në gjuhën shqipe. Ai konsiderohet si regjisor modernizues i estradës dhe një nga themeluesit e varietesë muzikore. Ai ishte personazh-kyç i tri periudhave të zhvillimit të artit të dramës dhe i teatrit shqiptar: para lufte, mbas saj, si dhe gjatë tranzicionit të pas viteve 1990.
Gjergj Vlashi lindi në qytetin antik të Durrësit, ku kreu dhe shkollën fillore dhe atë të mesme. Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës”, “Prefekti”, “Çani hoxhë” etj. Punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës të këtij qyteti. Kreu studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (1961).
Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e estradës profesioniste të Durrësit dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1992, kur doli në pension. Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit etj. Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para.
Gjithashtu ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. Ka vënë në skenë mbi 120 shfaqje të teatrit dramatik dhe të varietesë. Ishte i prirë më fort nga burlesku, grotesku dhe satira politike, duke qenë elegant dhe i pastër në figurat e tij regjisoriale. Përdorte struktura e forma të larmishme shfaqjesh, me një lajtmotiv a “bosht” tematik, me një personazh qendror, me parapëlqimin e njërës prej formave a zhanreve letrare (siç qenë shfaqjet e ngritura kryesisht me poezinë, me tregimin humoristik, me përrallën, me anekdotën, me komedinë, me monologun etj.). Ka shkruar pjesë për teatrin e estradës, tregime, novela, romane, ese etj.; është marrë edhe me përkthime. Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes.
Gjergj Vlashi mban tituj dhe dekorata të larta si “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2007 është nderuar me urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij si shkrimtar, dramaturg dhe si themelues i estradës shqiptare, në nderim të veprave dhe kryeveprave të vëna në skenë në mjaft qytete të Shqipërisë, duke u bërë një personalitet i pazëvendësueshëm i artit dhe letërsisë së vendit tonë”.
Info-Foto – Florian Vlashi
Materiali – j.p http://ata.gov.al/

Burimi/Facebook