Ti pema e tharë e rrugës time

0
308

Sa shpesh më ndiqje me sytë e tharë, por prapë e pa parë. Sa herë nxitoja duke e shypur fort pedalin e gazit të makinës, pasi nuk doja të t’ shihja përsëri, por ti druri i tharë dimëror si plak i moçëm, me një nga qindra gishterinjt’ e kërcunjtë hidhje sikur pa dashje, doje të më bëje të ditur që ti buzë rrugës time akoma ri.
Buzëqeshja e ngrirë, degët si krahë edhe pse t’ tharë, çdo udhëtari i uroje lamtumirë, i ndiqje me sytë e kërcunjtë që veç shiu t’i kish larë.
Aq shpesh kaloja, udhëtoja pranë shtatit tënd të nxirrë, të rreshkur e bërë trok, unë për çdo ditë zbuloja, një mimikë të re, sytë e lodhur të mplakur, vetullat rrudhur, flokët stuhia përpjetë, buzët e ngrira të lyera me zjarrin e rrufeve, por unë nuk desha t’i vija re as sot.
Ti shpesh, më kujtoje babanë e gjorë të mplakur nga hallet që rënduar kishin, nanëbabën me fustan të zi që barra e jetës e mplaku para kohe nga skamja dhe varfëria, babëgjyshin që kurbeti e morri si çunak të ri.
Të kam parë që ditën e parë, të tharë mbi tokë dukesh pa jetë, rrënjët duhet t’i kesh shumë thëllë, që kryet ti e heshtura ime akoma mban përpjetë.
Ti moj pemë e gjorë, sa rënkime ke dëgjuar, me vitet ikur ka dhe qenia njeri, kur trupin ta kanë lënduar makinat që rrugën humbnin përpëliteshin të dehura bërë tapë me alkol të lanë, mes dhimbjesh linin edhe një amanet tek ti.
Eh!…, sa amanete nën lëkurë të kanë shkruar kush mund t’i shfletojë të gjitha ato nji e nga nji, paqja mbizotron me sorrat që numërojnë, përshëndesin makinat dhe vitet, por dhe të nesërmen që do të vij’.
Unë, akoma edhe sot kaloj, të përshendes me sy, por nji ditë të premtoj, do t’ vij e të t’ ulem pranë, të t’i dëgjoj dhimbjet, faqet historike që ti mbart, tregomi dua t’i shfletoj me ty.
Me ty moj pemë e tharë, e rreshkur në diell, edhe në netët e acarta me stuhi, dua të ndaj, të pëshpëris sekretet e moshës, jetës time, unë dua të t’ besoj, të lutem të jap fjalën, tregomë edhe ato që ti di.
Përsëri nuk di, cfarë më shtyu që të zgjodha ty moj pemë e tharë, mbase me moshë je akoma e re, por rrënjët askush nuk t’i ka parë.
Shhhh!… mos trego ç’ke brenda, besomë unë të kuptoj, unë përsëri do të kaloj pranë teje, si çdo ditë të parë…

Ti pema e tharë e rrugës time, rrudha fisnikërinë ke,
me krenarinë qiellore thërret të shohësh jetën e re…
Ardiana Mitrushi 02/21/2020…