Trishtim për Notre D(r)ame. Papa i shkruan kryeipeshkvit të Parisit

0
110

Në një mesazh për kryeipeshkvin e Parisit, imzot Michel Aupetit, Papa uron që katedralja Notre Dame “falë punës se rindërtimit dhe mobilizimit të të gjithëve, të bëhet sërish ai peshtaf me gurë të çmuar në qendër të qytetit, shenjë e fesë së atyre që e ngritën, kishë nënë e dioqezës, trashëgimi arkitektonike dhe shpirtërore e Parisit, e Francës dhe njerëzimit”.
R.SH. – Vatikan

Atë që s’arriti ta bënte dot filozofi Henri de Saint-Simon, pas Revolucionit Francez, kur propozoi ta blinte katedralen Notre Dame të Parisit për ta shkatërruar si simbol të obskurantizmit fetar, e bëri mbrëmë, ndoshta, një punëtor i pakujdesshëm. E gjithë bota i mbërtheu e vazhdon t’i mbajë të ngulura sytë mbi një prej simboleve të krishterimit e të kulturës botërore, që filloi të digjej mbrëmë, duke bërë shkrumb e hi gati 2 shekuj, që u deshën për ta ndërtuar e, gati 7 shekuj histori. Zjarri tani është shuar e në sfondin e një navate të shkrumbuar, përvijohet kryqi mbi altarin, që u ka shpëtuar flakëve. Prej tij, francezët dhe e mbarë bota, që e konsideron katedralen e Zojës trashëgimi të përbashkët, do të fillojnë rindërtimin.

Lutja e Papës Françesku
Edhe Papa Françesku trishtohet e gjunjëzohet në lutje, siç njofton drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti. “Papa është pranë Francës – shkruan ai në një tweet – lutet për katolikët francezë dhe për popullsinë parisiane të shokuar nga zjarri i tmerrshëm, që shkatërroi katedralen Notre Dame. Siguron lutje për të gjithë ata, që po përpiqen t’i bëjnë ballë kësaj situate dramatike”. Në një mesazh për kryeipeshkvin e Parisit, imzot Michel Aupetit, Papa uron që katedralja Notre Dame “falë punës se rindërtimit dhe mobilizimit të të gjithëve, të bëhet sërish ai peshtaf me gurë të çmuar në qendër të qytetit, shenjë e fesë së atyre që e ngritën, kishë nënë e dioqezës, trashëgimi arkitektonike dhe shpirtërore e Parisit, e Francës dhe njerëzimit”. “Bashkohem me trishtimin tuaj – i shkruan më tej Ati i Shenjtë, ipeshkvit – dhe me atë të besimtarëve të dioqezës, të banorëve të Parisit dhe të të gjithë francezëve. Në këtë Javë të Madhe kur kujtojmë Mundimet e Krishtit, vdekjen dhe Ringjalljen e Tij, siguroj afërsinë time shpirtërore dhe lutjen”.

     “Kjo katastrofë – vijon Papa – e dëmtoi rëndë këtë ndërtesë historike. Por jam i vetëdijshëm se goditi edhe një simbol kombëtar, tepër të dashur për zemrën e parisianëve e të francezëve, pavarësisht nga larmia e bindjeve të tyre. Vërtet, Notre Damë është një stoli e çmuar arkitektonike e kujtesës kolektive, vend për shumë ngjarje të mëdha, dëshmitare e fesë dhe e lutjes së katolikëve të qytetit”. Në fund, Papa u jep bekimin ipeshkvijve dhe besimtarëve e kërkon bekime hyjnore edhe për banorët e Parisit e për gjithë francezët.

Trishtimi e ndjesia e pafundësisë
Në të vërtetë, nuk është thjesht çështje fetare apo kulturore, pavarësisht se hareja e papërmbajtur e xhihadistëve, ndërsa gulja e katedrales, e përfshirë nga flakët, binte përdhe, tregon se akoma ka nga ata, që mundohen t’i hedhin benzinë zjarrit të konfliktit ndërmjet dy qytetërimeve. Çështja është se kur shemben katedralet e tempujt e Zotit, shembet edhe ndjesia jonë e pafundësisë, pasi çdo monument – vepër feje e arti – mbart mbi vete një dëshmi amshimi, që na bën ta ndjejmë veten bashkëkohës të vegjël të një historie më të madhe. Katedralet e ndezin këtë ndjesi në fuqi eksponenciale, sepse, krejt natyrshëm, na bëjnë t’i ngremë sytë drejt qiellit dhe ta kuptojmë se, pavarësisht nga vogëlsia jonë njerëzore, jemi në gjendje të priremi kah Amshimi, qoftë edhe për një çast. Zjarri mbi Notre Dame na trishton kaq shumë, sepse pa atë gulje në majë, qielli na duket më i vogël, një hapësirë disi më e ngushtë e jo aq e pafundme. E kjo na bën të ndihemi më të vetmuar, sidomos në këtë Javë të Madhe të Pashkëve, kur përgatitemi të kremtojmë Mundimet e Krishtit, por – e duhet ta kujtojmë gjithnjë – edhe Ngjalljen e Tij në Ditën e Pashkëve.

16 prill 2019, 13:40

Burimi – Vaticannews.va