UJQIT ME KATËR E ME DY KËMBË

0
74

Dilaver Goxhaj

Të lindurit në dhjetëvjeçarin e parë të pasçlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj, sot pothuajse janë të gjithë gjyshër. Janë brezi, i cili fëmijërinë e tyre e kaloi gjithë ankth, dhe po me ankth po e kalojnë edhe moshën e tyre të pleqërisë.

Natyrisht që, shumica e tyre kanë lindur në fshat, pasi 80% e popullsisë në atë periudhë kohore jetonte ende në fshat. Aktiviteti krysor ekonomik i fshatarësisë së viteve ’40 e ’50 të asaj periudhe ishte blegtoria dhe bujqësia. Ende nuk ishin krijuar kooperativat bujqësore në të gjitha fshatrat. Por edhe në ato fshatra që ishin krijuar, ato ishin të tipit artel. Kështu që baza kryesore e jetesës së fshatarit ishte prona private, ku të gjithë fshatarët ishin bërë pronarë të barabartë me tokë e me bagëti, si rrjedhojë e reformës agrare. Por edhe kur u krijuan kooperatvat e tipit artel, çdo familje kishte 20 krerë bagëti të imta (dele dhe dhi) dhe dy lopë. Kryesishte këto bagëti kullosnin bazë fshati, duke patur bari të veçantë për dhitë, po ashtu edhe për delet dhe lopët, të cilët i merrnin bagëtitë në mëngjes dhe i kthenin në fshat në mbrëmje.

Sikundër dihet, gjatë atyre dy dekadave të para të pasçlirimit, dimërat ishin shumë të ftohtë e të ashpër; bora fillonte të binte në muajin Nëntor e shkrihej në gjysmën e dytë të muajit Mars. I gjithë brezi e asaj periudhe kohore jemi dëshmitarë se, me kalimn e dekadave, ekosistemi ka ardhur gjithnji duke ndryshuar, gjë që bërë që dimërat të mos jenë aq të gjatë e aq të ashpër. Duke qenë se priudhat dimërore ishin shumë të gjata e të ashpra, kjo bënte që edhe egërsirat, sidomos ujqit, si rrjedhojë e urisë, të afroheshin gjithnjë e më shumë pranë kopeve të dhive e të deleve, duke i sulmuar ato, të cilat kullosnin disi larg qëndrës së banuar. Ka pas edhe jo pak raste që ujqit sulmonin edhe natën brenda nëpër fshatra. Ujqit u trimëruan edhe për faktin se ishte bërë çarmatimi i popullsisë. Këto sulme të përditëshme nga ujqit patën bërë që të gjitha familjet fshatare të ishin në merak derisa të ktheheshin bagëtitë me bariun përkatës.

Ngaqë kjo frikë ishte e përhershme, fëmijët delnin në hyrje të fshatit, në orarin që ktheheshin delet dhe dhitë dhe, duke qëndruar në anë të rrugës, secili numëronte delet ose dhitë e tij, nëse ishin kthyer të gjitha apo jo. Meraku ishte se mos ujku kish ngrënë ndonjë prej tyre. Dhe kur konstatonin se të gjitha bagëtitë ishin kthyer, e shprehnin gëzimin duke thirrur: “Uraa, erdhën të gjitha, ujku nuk ka rrëmbyer asnjë!”

Po do të pyesë dikush: Mirë fëmijërinë e kaloi tërë ankth ai brez, po pleqërinë pse me ankth?

Gjithkujt që i ndodh të kaloi para shkollave fillore publike në të gjithë qytetet, së orët e mëngjezit kur shkojnë fëmijët në shkollë, ashtu edhe në orët e mesditës, do të shohë prindër e gjyshër që shoqërojnë dhe presin para hyrjes së oborreve të atyre shkollave, në pritjetë daljes së nipave e mbesave nga shkolla. Këta gjyshër janë ata që kaluan fëmijërinë me ankthin e ujqëve me katër këmbë. Pothuajse, sa fëmijë janë në shkollë, aq prindër e gjyshër i shoqërojnë e i presin para shkollës në orën e fundit të mësimit. Në kohën që bie zilja e mbarimit të orës së fundit, të gjithë këta prindër e gjyshër i drejtojnë sytë nga hyrja e godinës së shkollës, duke kërkuar me sy, se a doli nipi a mbesa e tij nga klasa. Njësoj sikundër bënin dikur kur këta gjyshër ishin fëmijë, kur prisnin gjithë ankth se mos u kishte rrëmbyer ujku delet apo dhitë.

Pse ndodh kjo?

Sepse jemi dëshmitarë të ndodhive të herëpas-hershme të krimeve të ndryshëm që ndodhin me rrëmbin fëmijësh.

Atëherë, kur këta gjyshër ishin fëmijë, ankthin e kishin për humbjen e bagëtisë nga ekzistenca e egërsirës ujk me katër këmbë; sot ai ankth është për mosrrëmbimin e fëmijës, nga ujqit me dy këmbë, nga njeriu egërsirë.

Atëherë numërimin e ethshëm këta gjyshër e bënin në prag të mbrëmjes; ndërsa sot verifikimin e ethshëm të daljes apo jo nga shkolla të nipit a mbesës, e bëjnë në mes të ditës!

Ateherë këta gjyshër trembeshin se mos ishin dëmtuar nga ujku me katër këmbë, që fshihej në pyje; ndërsa sot tremben nga ujqit me dy këmbë që “fshihen” në qytete.

Atëherë ujkut i kishte dalë frika se barinjtë nuk kishin armë; por edhe sot, ujqit me dy këmbë e dinë që prindërit dhe gjyshët nuk kanë armë; armë kanë veç këta njerëz-ujq.

Por është edhe një veçori tjetër e ujqëve me dy këmbë, në raport me ata me katër këmbë. Këta me dy këmbë i druhen edhe njeri-tjetrit, prandaj fëmijët e tyre i çojnë ose në shkolla private me mikrobuzë ose jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, atëherë, pushtetarin e fshatit e zgjidhnin fshatarët, sot pushtetarët, në shumë raste i zgjedhin ujqit me dy këmbë, për mos të thënë se ndodh që mund të zgjidhen edhe vetë pushtetarë këta ujq-njerëz në të gjithë nivelet e pushtetit. Prandaj, jo më kot fabulisti Gjikë Kurtiqi na tërheq vemendjen:

Kur shoh se ç’bën një deputet,

Një funksionar pushteti,

Për ujkun që kam sharë, me det,

Më rritet sot respekti.

Në fabula, ty miku im,

Të kam goditur rëndë…

Më ujk se ti është padyshim

Sot “Ujku” me dy kambë !

Ja pse ai brez po e kalon pleqërinë me ankth si dikur fëmijërinë.

Tiranë, 8.2.2019