Vajza e Doktorit dhe Babai i Loretës

0
276

Në fillim të vitit 1966 në Berat vjen një çift mjekësh, Koço dhe Bukuri Stamo, dermatolog i pari dhe patholloge e dyta. Tashmë emrave të njohur të Maksut Drrasës, Ymer Dishnicës, Llukës dhe Zino Matathias do t’u shtohej edhe ai i Koço Stamos si një simbol i mjekësisë beratase që për hirë të së vërtetës klasifikohej si ndër më të mirat në shkallë vendi.
Berati nuk ishte i panjohur për Koçon, Ai aty u lind, më 10 Janar të vitit 1939. Në familje ishin pesë fëmijë, dy vëllezër dhe tre motra. I jati, Thimiu, ishte vëndali, ndërsa e jëma, Vito, përmetare. U rritën mirë, as në luks dhe as në fukarallëk. I jati i tij ishte zanatçi, opingar, bile kishte edhe një çirak që e respektonte dhe nderonte ustan e tij si perëndi…dhe këtë e bëri sa pati jetë.
Çlirimi i vendit e gjeti familjen Stamo me një antare më pak, vajza e madhe, Arqilini, kishte rënë në luftë kundër pushtuesve fashistë, duke merituar titullin e lartë të dëshmores së atdheut. Koçua, që në atë kohë ishte vetëm 6 vjeç, binte në sy si një fëmijë i gjallë, i zgjuar, “mjalti” i çunave të Mangalemit. Edhe pse pas disa viteve familja Stamo do të shpërngulej për në Tiranë, Koçua nuk do t’i harronte kurrë shokët e vegjëlisë.
Në shkollë, si në fillore dhe në 7-vjeçare, Koçua shkëlqeu. E njëjta gjë ndodhi edhe më tej, por tashmë në Tiranë e jo në Berat. Ishte mesi i viteve 50 kur familja Stamo u sistemua në Tiranë dhe aty Koçua kreu njërën pas tjetrës Shkollën e Mesme Mjekësore dhe Fakultetin e Mjekësisë. Në Fakultet Koçua njihet me Bukurinë dhe të dy bashkë titullohen Mjekë në vitin 1964. Emërohen që të dy në Ambulancën Qendrore në Tiranë, ndërkohë që Koçua punonte edhe në Spitalin Civil të Tiranës, ku edhe po specializohej si Dermatolog.
Një vit më pas Koçua dhe Bukuria martohen dhe në Shkurt të 66-ës bëhen me vajzë, zoti e bekoi këtë çift simpatik me një engjëll të bukur. Ishte pikërisht kjo kohë kur çifti i mjekëve të rinj dhe me shumë perspektivë, Koço dhe Bukurie Stamo, së bashku me Loretën e vogël, u kthyen në të bukurin Berat, vendlindjen e Koços.
Koçua, qysh në nisje, u prezantua si një mjek i aftë para bashkëqytetarëve të tij, ndërkohë që për cilësitë e tij si njeri të gjithë “shijonin” pritshmërinë e tyre…një djalë flori nga familje fisnikësh. Edhe pse një mjek specialist, dhe për më tepër i vetëm në të gjithë zonën, edhe pse nga dita në ditë po krijonte një emër shumë të mirë si profesionist i zoti, Koçua përsëri mbeti vetvetja, ruajti të pastër kryecilësinë njerëzore, thjeshtësinë. Marrdhëniet e tij me shoqërinë e vjetër, djemtë e Mangalemit, mbetën të pacënuara.
Në vitin 1970 familja Stamo shtohet edhe me një djalë, Boikenin, “dhuratë” e bukur kjo për Loretën e vogël që u bë me vëlla. Në të njëjtën ‘linjë’ suksesi po ecte edhe Bukuria si mjeke, që ndërkohë ishte specializuar si Alergologe…ajo sikurse Koçua krijoi një emër të mirë si profesioniste dhe si njeri.

  • Mami krijoi rrethin e saj të pacientëve që kujdesej dhe që i mjekoi për vite, për vet natyrën kronike të sëmundjeve që mbulonte. Edhe sot komentet e ish pacientëve janë fantastike sa herë postoj ndonjë event me mamin në fb – thotë Loreta.
    Ishin vitet 70 koha kur unë u “njoha” me Koçon. Nuk e mbaj mend arsyen e vizitës tek Ai, por ama mbaj mend rezultatin, rikuperim në kohë rekord. Po ashtu në mendje më mbeti portreti tij, fisnik në shpirt, simpatik në pamje, aristokrat në profesion. Dhe ky nuk ishte vetëm perceptimi im, i tillë ishte opinioni shoqëror për dr Koço Stamon. Nuk më harrohen superlativat që shprehnin për Të pacientë të ndryshëm në pritje të vizitës.
    Koçua i shërbeu Beratit të tij jo pak, por plotë 22 vjetë, 11 prej të cilave edhe si Shef i Seksionit të Shëndetësisë në Komitetin Ekzekutiv, për ta mbyllur me Shef Epidemiologjie shërbimin ndaj qytetit të tij të dashur. Vlen të theksohet se Koçua nuk i’u largua profesionit në asnjë rast dhe, edhe kur kryente detyrën e shefit, çdo javë shkonte në Ambulancë për të vizituar të sëmurët.
    Veçova më sipër thjeshtësinë e Koços, duke e quajtur atë si kryecilësi, por për Koçon nuk mund të thuash vetëm kaq, për atë shumë të thuash e përsëri është pak. Koçua ishte një masiv vlerash e virtytesh, etalon ndershmërie, përgjegjshmërie, përkushtimi. Koçua ishte i drejtë, respektonte norma dhe parime në atë masë sa që i “detyroi ” edhe të “pakënaqurit” ta nderonin e respektonin.
    Koçua ishte i përkushtuar në punë, gjithçka e bënte me dëshirë e pasion, orar e pa orar, kudo dhe kurdoherë. Më tepër këtë e ndjenin familjarët që edhe sot i kujtojnë momentet e atilla. Ja ç’thotë Loreta :
    “- Shkonte në çdo fshat të Beratit sa herë që ishte e nevojshme, shumë herë edhe në mes të dimrit, shiut e baltës dhe atje ku s’shkonte makina. Unë mbaj mend kur vinte me çizmet e gjata mbi gju, gjithë baltë që shpesh më binte t’i laja unë.”
    Koço dhe Bukurie Stamo ishin intelektual të mirëfilltë dhe “prodhimi” më me vlerë i tyre ishin dy fëmijët, Loreta dhe Boikeni. Këta ishin “programuar” për të qënë të përsosur, ishin kopje besnike e prindërve të tyre. Loreta mbaroi Inxhinjerinë Elektronike dhe pasuniversitar për Informatikë, ndërsa Boikeni mbaroi Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për Italisht.
    Në vitin 1992 Koçua u vendos në Tiranë, ku punoi si mjek. Në 1995 u diagnostikua me Leuçemi dhe kolegët e vet në Tiranë nuk i dhanë më shumë se 6 muaj jetë. Por Koço ishte shumë kurajoz. Kurrë s’u ankua dhe kurrë s’e humbi humorin. Në 1997 u bë e mundur të shkonte në Amerikë ku pati fatin të mjekohej me metodat dhe ilaçet më të fundit të asaj kohe. Për këtë periudhë, Loreta tregon :
    “- 6 muaj jetë u bënë 8 vjetë, deri në 4 Qershor 2003, kur mbylli sytë. Gjatë gjithë viteve në Amerikë, megjithë diagnozën e rëndë që mbante mbi supe, megjithë krizat dhe netët spitaleve, me gjithë agoninë se kur do ishte dita e fundit, kurrë s’u përul dhe kurrë s’e humbi kurajon për të jetuar. Midis këtyre krizave kishim kohë të bukura që u munduam shumë t’i kalojmë sa më mirë, me udhëtime e kujtime pa fund. Sa herë kemi udhëtuar vetëm për të takuar shokun e tij të ngushtë, Dr Sami Qazimin që Zoti e bëri t’i bashkonte përsëri këtu në Amerikë. Bëri shumë miq të tjerë, ecte në këmbë me kilometra për të shkuar e takuar miq nëpër kafenetë shqiptare. Të gjithë i befasonte energjia që kishte për jetën. Filloi të ndihmonte në botimin e një periodiku shqiptar duke bërë gjithë punët në kompjuter dhe faqosjen, ndihmoi disa autorë për botimet e librave të tyre..s’rrinte dot pa punë e pa bërë diçka për të kontribuar në çdo lloj mënyre. E donte punën dhe s’i rreshtnin kurrë energjitë për të nxjerrë diçka nga duart. Ca kriza të leuçemisë ishin më ekstreme se të tjerat. Pati disa vdekje klinike dhe gjendje komatoze, por i çuditi edhe mjekët këtu, se kur vinte prapë në jetë, truri çuditërisht punonte njësoj si më parë!”
    Koçua ishte një qytetar model, familjar shëmbullor që kishte “vëlla” fisnikërinë. Zemra e tij nuk e njohu kurrë urrejtjen, shpirti i tij nuk u zileps kurrë, krenohej me arritjet dhe sukseset e fëmijëve, por gjithnji duke “festuar” thjeshtë, duke brumosur edhe tek ata thjeshtësinë që e karakterizonte.
    Loreta ishte e shkëlqyer në shkollë, por sukseset e saj i’a atribuonin si Vajza e Doktorit ata që se njihnin nga afër, dhe kjo ngaqë Koçua kishte bërë emër e vend në Berat…por vetëm kaq, dhe kjo është e logjikshme…Loreta, me dhjetat e saj po hidhte piketat për t’u bërë si i jati pas disa viteve…dhe kjo ndodhi në ShBA, Koçua e shijoi dhe u lumturua.
    Ja si e tregon Loreta këtë moment :
  • Kur babai erdhi në Amerikë, 4 vjetë pasi kisha ardhur unë vetëm dhe kisha krijuar rrethin tim këtu, punoja si informaticiene…kënaqej kur i drejtoheshin gjithë respekt me ‘babai i Loretës’. Krenar më thoshte : “- s’ka kënaqsi më të madhe për mua…dikur ishe ti “vajza e doktorit”, tani jam unë “babai i Loretës”.
    Koço Stamos përëndia i’a kishte dhënë të gjitha, mendjen dhe forcën, vlera dhe virtyte, ndaj vetë ajo ishte e paqartë se ç’duhej të bënte me Të, ta merrte pranë vetes në parajsë, apo ta linte edhe ca kohë si modelin e saj në tokë. Ndaj edhe ndodhte hera herës që Koçua kthehej nga rrugëtimi për parajsë e që, për njërin rast, Loreta tregon :
    “Në ditën e 7 në koma, gjithë familja ishte aty në dhomë dhe doktori i tij i preferuar (turk me origjinë, sa shumë u lidhën bashkë dhe sa shumë shqiptarë të tjerë ndihmoi ai doktor!) po dëgjonim prognozën e doktorit…dukej që ishte fundi…me gjithë tentativat tona babi s’tregonte shenjë jete…
    Bie telefoni dhe ishte Lilo Ziu, shoku i tij i fëmijërisë që pyeste për Koçon. Im shoq u përgjigj e i tha : “- më fal Lilo, Koco vazhdon në koma…s’mund të flas më shumë tani se kemi doktorin këtu. Koço hapi sytë dhe i tha Gonit : “- ma jep të flas me Lilon”…dhe foli për pak. Ngelëm të gjithë me gojë hapur! Doktori më pyeti mua në anglisht : “- a kanë kuptim ato që po i thotë?” Po, po flasin normal – i thashë. Çudia e atij momenti s’ka përgjigje as sot…iku nga kjo botë dhe u kthye ‘normalisht’…me siguri doktori ka shkruar referate mjekësore me këtë rast, se dilte jashtë çdo parashikimi mjekësor…
    Më vonë Koço i referohej këtij rasti si kthim nga parajsa. Nuk e mbante mend që kish folur me Lilon, por na tregonte herë pas here ‘çudira’ nga ajo javë në koma. Po dobësohej shumë ato muajt e fundit dhe me thonte : “- jam bërë si ‘kashé i pavdekshëm’ …duhet të iki tani’….dhe unë që me humor i thoja : “-ku do vdesësh ndonjëherë ti!”
    Para se zoti ta merrte pranë, në parajsë, e plotësoi Koçon me kryekënaqësinë njerëzore, atë të të qënurit gjysh. Edhe për këtë, Loreta tregon :
    “2 muaj e gjysëm para fundit u bë gjysh për herë të parë me vajzën time Fiona. U lumturua aq shumë sa nuk tregohet. I mori gjithë njerëzit në telefon dhe u jepte lajmin që u bë gjysh! Kurrë nuk u bë pesimist. Cigaren që dikur e kishte pirë me paketa e pakësoi, por nuk e la kurrë. Sa herë që unë i thoja ta linte cigaren, më thonte me humor : ‘- Do ma heqësh edhe këtë kënaqësi tani? Unë për të vdekur kam! Më ler të vdes i kënaqur’. Kurrë s’e përmendi seriozisht vdekjen apo varrimin, vetëm kur bënte humor. Më bëri dhe mua të flisja për vdekjen sikur e kishim komshi. Kur ndodhi, s’ngeli njeri pa na ngushëlluar…kishte bërë aq shumë miq këtu. Shkruan artikuj e poezi njerëz që as nuk i nhihnim tamam. Në ditën e varrimit u bllokua trafiku nga vargu pa fund i makinave. Në Amerike s’para është zakon të marrin pjesë në varrim përveç se familja e ngushtë. Drejtoresha e shtëpise funerale u çudit… ‘babai juaj qënka njeri shumë i rëndësishëm’ – më tha. Jemi shqiptar – i thashë unë.”
    Dhe për ta mbyllur këtë dedikim zemre për të madhin Koço Stamo. E ndjente që nuk do ta shijonte gjatë Fionën e vogël, ndaj vendosi t’i “dërgonte” kartolinë urimi çdo muaj fiks në datën e lindjes. Në muajin e tretë Koçua i’a “nisi” kartolinën Fionës dy javë para datës së lindjes.
  • Përse sot, o ba…duhen edhe dy javë të vijë data – i tha Loreta.
  • Si dihet, o ba – i’a ktheu Koçua.
    Tre ditë më pas mbylli sytë dhe mori rrugën për në parajsë. Ishte 4 Qershori i vitit 2003!

Nga Vladimir Duraj

Burimi/Facebook