Vasel Gilaj – Anton Grishaj, shpirti krijues që shkroi përjetësinë me një vepër vlerash që na krenojnë

0
56

PORTRET
Anton Grishaj, shpirti krijues që shkroi përjetësinë me një vepër vlerash që na krenojnë
Anton Grishaj është një emër, me të cilin sinjifikohet një obelisk shtatlartë vepre e vlerash, të cilat bartin në vetvete tharmin e shpirtit të tij krijues, atë shpirt që u përkushtuan me mish e me gjak, me mirësi dhe devocion. Megjithëse fati i trishtë e ndau atë nga jeta në moshën 54-vjeçare, më 26 prill të vitit 2017, atëherë kur ai kishte ende rrugë për të bërë, ende vepër për të dhuruar, ende vlera për të promovuar, ai iku duke lënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Sepse ai jetoi intensivisht dhe dhuroi me gjithë forcën e tij, çfarë kishte më të shtrenjtë, çfarë e donte me gjithë zemër, çfarë e ushqente me gjithë shpirt.
Kontributi i Anton Grishaj ishte shumëdimensional, si krijues, si gazetar televiziv, kineast, por edhe si një producent i filmave artistikë. Kudo ku ai ofroi vetmohueshëm përkushtimin dhe pasionin e tij, e blatoi shpirtin, dhe krijoi atë çfarë e bëri atë të pavdekshëm, çfarë e bëri atë t’i jemi mirënjohës. Ikja e tij e parakohshme la ndoshta shumë udhë në mes, la shumë projekte në letër, la shumë shpirt të ndezur në dëshira, zjarre që u shuan duke mbarsur kaq shumë dhimbje.
Po cili ishte Anton Grishaj?
Anton Grishaj u lind më 2 mars të vitit 1963 në Zagor, Malësi e Madhe. Në vitin 1984 -1989 mbaroi studimet e larta në degën Agronomi pran Universitetit Bujqësor, Tiranë. Vitet 1989-1993 e gjejnë atë duke ushtruar detyrën si agronom pran Kooperativës Bujqësore, Bajzë. Për të vijuar në periudhën ndërvitase, 1993-1998 si drejtor i Qendrës Kulturore, Malësi e Madhe.
Në vitet 1998-2002 ai ishte në TV Klan, ndërsa në vitet 2002-2014 e gjejmë atë si producent i shtëpisë filmike “Grishaj Film Production”.
Në këtë përpjekje për të krijuar një panoramë njohës të këtij kapaciteti shumëdimensional, nuk mund të mos ndalemi te një nga dashuritë e tij dhe pasionet shpërthyese, te krijimtaria. Gjate viteve 1993-1997, Anton Grishaj i drejtohet adhuruesve të tij, atyre që e kanë vlerësuar dhe konsideruar me dy vëllime me poezi, ” Vështroj nga dritarja e asaj nate” dhe “ Diku atje shihemi”.
Duke u ndalur te kontributi që Anton Grishaj ka dhënë si producent i “Grishaj Film Poduction”, sjellim në vëmendje vlerësimet ndërkombëtare që ai ka marrë.
Vepra e tij është nderuar me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të filmit dokumentar, me temë sportive, në Milano. Me Çmimin e Dyte të jurisë në festivalin botëror të filmit dokumentar në Bjellorusi, për filmin “Beratinus”, kushtuar kodikëve të Beratit dhe Çmimin special për nder të jubileut të 20-vjetorit të Gazetarisë Shqiptare.
Në galerinë e “Grishaj Film Production”, që kanë marrë bekimi e shpirtit krijues të Anton Grishaj janë film artistik, “Letra Fatale”, “Pleqtë e hashashit”, për të vijuar me filmin vizatimor, “Koha e dashurisë së akrepave”. Por një vepër të përfaqësuar me një larmi komponentësh ideor dhe artistik, etik dhe teknik janë dokumentarët ku duket se Antoni dha kaq shumë nga vetja, aq sa ato janë një vetvete e tij e shprehur përmes gjithë asaj game dhe gjithë atij ofrimi. Këtë kontribut të Grishaj e përbëjnë dokumentarët, “Ditëlindja e të ngujuarit”, “Një gur në vendin e tij”, “Aleksandri i Madh i shqiptarëve”, “Lidhëset e këpucëve”, “Beratinus”, “Prej dritës në dritë”, “Shpresa e të ringjallurve”, “Malësia e Madhe, doke dhe zakone”, “Shkrelasit”, “Denjësisht shqiptar”. Dhe vijon kjo kolanë krijuese e filmit dokumentar e Anton Grishaj me “Pyjet, pasuri e madhe kombëtare”, “Parku i Dajtit”, “Dy veleshtat”, “Zjarmi i votrës së nezun”, “Klithma e shqiponjës”, “Ata ishin shqipëtarë”, “Vlera e rrallë e një qyteti”, “Homerët e filmit Ballkanik”, “Aromë përjetësie”, “Gjithmonë mes nesh”, “Parku kombëtar i Qafë-Shtamës”, “Zona e mbrojtur Kuterman”. E gjitha kjo është një vepër sa voluminoze aq dhe cilësore.
Me produksionin e 37 dokumentarëve televizivë, 21 filmave dokumentarë, si bashkëpunim, me Fondin shqiptar të Zhvillimit, si dhe 6 serive të telenovelës “Familja”, një bashkëpunim me RTSH, janë dëshmia më autentike e një producenti tejet të suksesshëm.
Përmes kësaj vepre të vëllimshme, Anton Grishaj ka dëshmuar se rrugëtimi tij ka qenë i gjatë dhe i begatë. Pasioni dhe shpirti i tij, përkushtimi dhe vendosmëria, për të arritur atë që e përfaqëson zellin dhe energjinë krijuese, ishin në një farë mënyre gara që ai kishte me veten dhe me kohën, me mundësitë dhe me ambiciet. Dhe… ai arriti të bënte kaq shumë dhe të dëshmonte kaq vendosmërisht shpirtin e tij të malësorit, atë shpirt të pasur në vlera dhe të ndezur në sfida, të cilat ishin për të beteja dhe triumfe.
Anton Grishaj nuk është më, por vepra e tij e ka nënshkruar përjetësinë dhe mirënjohjen që i detyrohet Malësia e Madhe, është një krenari, me të cilën mburremi, me të cilën frymëzojmë gjenerata krijuesish, poetësh, kineastësh, producentësh. Ai erdhi për të dhënë më të mirën e tij dhe për të lënë çfarë kishte më të shtrenjtë dhe çfarë na e besoi si një testament.
Malsia e Madhe do të jenë përjetësisht mirënjohës, Anton Grishaj. Gazeta “Zani i Malsisë” e ndjen obligim ta konsiderojë dhe ta vlerësojë këtë monument, sepse Malësia e meriton veprën e birit të saj, sepse koha e ka dëshmuar se shpirtra të tillë, të paepur dhe vendosmërisht qëndrestarë, janë ata që përfaqësojnë brezat dhe i bëhen urë gjeneratave që do të vijnë.
Zani i Malsisë
(Për informacionet telegrafike, “Zani i Malsisë” i shpreh mirënjohjen ndihmës që na dha miku dhe kolegu Zef Gjetja)

Burimi/Facebook/Vasel Gilaj