Vasel Gilaj – Edi Rama dhe “urrejtja e tij patologjike” për veriorët (?!)

0
87

Edi Rama, për shumëçka do të mbahet mend, për mirë e për keq, por për një vepër antikombëtare, si është ajo e përçarjes Veri-Jug, ai do të mbetet damka më e zezë e politikës moderne. Dermisot askush nuk ka guxuar atë që Rama i’a ka lejuar vetes, të përjashtojë nga qeveria të gjithë veriorët, duke e lënë pothuajse gjysmën e territorit të Shqipërisë të papërfaqësuar. “Urrejtje patologjike për veriorët”, siç thotë Berisha, ose jo, faktet janë kokëforta. Në përbërjen e qeverisë së tij nuk ka asnjë verior. Të jetë e rastësishme? Jo. Rama e di fare mirë se ç‘bën dhe arsyen se përse e bën. Atëherë kjo “simpati” për veriorët e Ramës nuk është as e re dhe as e panjohur. Ai e ka shprehur publikisht kur përballej në betejën elektorale për kreun e Bashkisë së Tiranës, kohë kur ai i quajti veriorët “shpellarë”, terminologji, e cila u përdor edhe më vonë, po nga socialistët. Askush nuk u pendua për këtë, dhe aq më pak askush nuk pati kurajën qytetare të kërkonte falje.
Kjo ndasi, ky mospërfaqësim, ky përjashtim i rilindësve me prejardhje ose banues në Veri, është i paprecedent dhe i patolerueshëm. Politika shqiptare në përgjithësi dhe lidershipi i saj në veçanti, duhet të jetë shumë i vëmendshme dhe të mos tolerojë në gabime të tilla. Askujt nuk i shërben ndasia. Nëse kjo i intereson Ramës, kjo është çështje që duhet denoncuar, s’pari nga vetë socialistët, e më pas të gjithë ata që e duan këtë vend dhe nuk lejojnë që një politikan, qoftë ky dhe Kryeministri, të bëjë me të si me çifligun e tij.
Pushteti nuk duhet të jetë një shkas për kapriçot e njërit apo tjetrit. Nëse nuk e bëri Ismail Qemali, Sulejman Delvina, Fan Noli, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Fatos Nano, dhe asnjë tjetër në çdo përfaqësim dhe kulmim historik, kjo jo se ata nuk kishin të njëjtën mundësi që ka Rama, por atyre nuk u voliste një copëtim tjetër i Shqipërisë së masakruar nga mëkatet e historisë.
Nuk duam të besojmë se Shqipëria e Veriut nuk ka përfaqësues të zot në radhët e Rilindjes, të cilët të mund të kontribuojnë denjësisht socialistët. Por kur një Kryeministër ka paranoja, vuan nga ndonjë kompleks, apo i shërben një qëllimi dashakeq, nuk duhet ta lejojmë. Kemi votën forcën që do ta bind atë, se Shqipëria dhe Shqiptarët meritojnë të jenë të bashkuar, me ose pa dëshirën e një Kryeministri që i’a lejon vetes atë që s’kanë guxuar asnjë nga paraardhësit e tij.
Zani i Malsisë

BurimiFacebook/Vasel Gilaj