Vasel Gilaj – KISHA E SHKRELIT NGA ALBANOLOGU AUSTRO-HUNGAREZ FRANC BARON NOPSCA DERI SOT

0
133

Padyshim që historia e kësaj krahine është e lidhur ngushtë me historinë e kishës, kjo gjithashtu e bën atë edhe një histori kulture përpos se një histori luftërash të përgjakshme.
E para dëshmi e shkruar për ekzistencën e kishës shenjte, si objekt ne këtë krahinë, vjen prej albanologut të shquar austro-hungarez Franc Baron Nopsca, i cili, në një dorëshkrim të vetin, na tregon sesi një farë Mal Pepa nga Shkreli diku rreth vitit 1625, duke ndertuar shtëpinë e vet në Prelë Ivanaj, pas malit te Bulecit, gjen atje një kishë. Natyrisht rrenojat e gjetura të kësaj Kishë prej Mal Pepës tregojnë se kohë më parë kjo kishë paska pa qenë e ndërtuar. Ajo kishë e sipërpërmendur ka mundur të jetë sipas traditës, në vendin e quajtur “Glec”, ku prej kohësh flitet për një kishë të vjetër, kushtuar Shëna Prenës. Për të njëjtën gjë flet edhe i dërguari i Selisë Shenjte në Shqipëri, Shtjefen Gaspri në vitin 1671. Ai ndër të tjera thotë se Shkreli ka Kishen e vet kushtuar Shëna Prenës dhe se, kujdesin për këtë Kishë e ka prifti i Rrjollit, At Klementi nga Brindisi. Që të ketë ekzistuar edhe më heret Kisha katolike ne Shkrel dëshmon edhe Frano Bardhi në relacionin e vet dërguar Selisë Shenjte në vitin 1635, ku ndër të tjera thotë se Shkreli ka pasur kishën e vet kushtuar Shën Nikollës dhe ka shërbyer për 56 shtëpi dhe 520 banorë. Po kështu ka dokumente se kisha të vogëla e të vjetëra, ka pasur edhe në Gerben, Serkuj, Zagorë, në mahallen e Kolajve, ku sot janë vorrezat dhe në Zhaje, te Brija e Fierkuqe dhe në Ducaj, ku ekziston edhe sot e kësaj dite. Burimet për dy kishat e hershme Shëna Prenës e Shën Kollit mund të komentohen mbi faktin se, krahina e Shkrelit ka pasur dhe ka dy festa kushtuar këtyre dy shenjtëve.

Burimi/zanimalsise.com/