Vasil Sofokli Tole – 14 qershor, ditelindja e themeluesit te etnomuzikologjise shqiptare Prof. Ramadan Sokoli.

0
60

▪Në opusin e tij krijues punimet në foklorin muzikor e përkatësisht në etnomuzikologji zënë kryet e vendit, vepra të cilat janë ndër të tjera edhe punimet themeluese të etnomuzikologjisë shqiptare në përgjithësi. Në një lloj kuptimi gjithë kontributi etnomuzikologjik i prof. Sokolit eshtë si një enciklopedi e mbartjes dhe e shpjegimit të fenomenit të folklorit muzikor shqiptar në kohë dhe hapësirë shumë të gjerë. Këtë e konstatojnë studiuesit, muziktarët, studentët dhe nxënësit e muzikës, për të cilët ai orientoi dhe futi në strukturën e shkollës qysh në vitet ’50 të shek. XX-të, si një diçka të natyrshme lëndën e Folklorit Muzikor Shqiptar. Ishte një hap mendimtari ky, ai që përcaktoi edhe orientimin prej vlerave tona shekullore, që shkolla e re shqiptare duhej detyrimisht t’i ndiqte.
Në vitet 1957 dhe 1959, përmes organizimit të ekspeditave të përbashkëta ndërkombëtare me institutet kërkimore shkencore të Gjermanisë dhe Rumanisë, ndikoi së tepërmi në popullarizimin e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore, ndër to edhe të folklorit muzikor çam, në Evropë e më gjerë.
Vlerat e veprës së Prof. Sokolit janë konturuar së bashku me rritjen profesionale, shkencore dhe artistike të autorit të saj. Ajo ç’ka i ka ngjizur ato në një unitet të vetëm rrezatues, është shpirti, puna dhe përkushtimi i tij prej rilindasi. Falë kontributit të tij të jashtëzakonshëm dhe interpretimeve të tij shkencore, kanë folur shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore, të mëdhenjtë Niketë Dardani, Jan Kukuzeli e Danush Lapacaja, figurën e Skënderbeut në muzikë, si dhe janë dhënë përgjigje thelbësore për mënyrën e organizimit dhe tipologjitë bazë të folklorit muzikor shqiptar duke filluar prej veglave tona muzikore e deri tek përgjigje të komplikuara të origjinës së muzikës sonë popullore, këtej e matanë kufirit.


Po kaq të rëndësishme e konsiderojmë edhe krijimtarinë e tij muzikore, e cila ka në thelb orientimin për nga vlerat e etnomuzikës; punimet e tij muzikologjike në të cilat influenca e etnomuzikës është e drejtpërdrejtë, e po aq konstatimi se edhe në studimet e tij albanologjike, vështrimi etnomuzikologjik i problemit albanologjik është më se origjinal. Janë të paharrueshme krijimet e tij muzikore të të gjitha llojeve dhe gjinive, duke kujtuar ndër to këngët aq të njohura si: “Turtulleshë”, “Blegron delja”, “Luleja me erë” etj.
Puna e tij e jashtëzakonshme u krye pa mbështetjen e duhur dhe kujdesin e veçantë që duhet të kishte ky kollos i trashëgimisë sonë shpirtërore. E gjithë vepra e tij mban vetëm vulën e punës së tij të përveçme, e kryer jashtë ambjenteve të institucioneve zyrtare të studimit të traditave, por nën kujdesin e veçantë të zonjës Lili, gruas së tij të dashur dhe të përkushtuar ndaj Tij deri në çastet e fundit.
Me shumë vonesë, vetëm në vitin 1995 i jepet titulli i Profesorit, ndërsa me 2002 i akordohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, titulli “Mjeshtër i Madh”. Vepra e tij studimore dhe muzikore tashmë është pjesë e identitetit kulturor europian të shqiptarëve.
Qofte i paharruar!
Shih intervistën mbi Ramadan Sokolin https://m.youtube.com/watch?v=6G-JQw3BoEs

Burimi/Facebook